Në zgjedhjet e 11 majit, rreth 114 mijë të rinj do të fitojnë të drejtën të votojnë për herë të parë. Për t’i informuar dhe ndërgjegjësuar për rëndësinë e kësaj të drejte, po zhvillohet një program edukimi në të gjitha shkollat e mesme publike në vend.
Nxënësit, votues për herë të parë, organizuan një proces të simuluar votimi për tre kandidatë duke marrë role si komisionerë, vëzhgues, përfaqësues të medias etj. Qëllimi i këtij ushtrimi është njohja e tyre me procedurat e votimit dhe shmangia e parregullsive të mundshme në ditën e zgjedhjeve.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi pa nga afër ushtrimin, i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re dhe drejtorin e Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase.
Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e programit “Edukimi i votuesve për herë të parë në Shqipëri 2025 – Unë votoj gjithashtu!”, një bashkëpunim mes KQZ, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP) dhe Akademisë së Studimeve Politike (ASP).
Gjatë dy muajve të fundit, programi ka trajnuar mbi 365 mësues në të gjitha shkollat e mesme të vendit mbi kurrikulën e Këshillit të Evropës mbi edukimin zgjedhor për nxënësit e moshës 17-18 vjeç, tashmë e akredituar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit ParaUniversitar (ASCAP).
Këta mësues, kanë zhvilluar në muajin prill dy orë informuese mësimi mbi demokracinë, sistemet zgjedhore dhe rëndësinë e votës me rreth 20 mijë maturantë, pjesë e të rinjve që votojnë për herë të pare në këto zgjedhje.
Komente
