Sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Cristian Shpendi ka shënuar 15 gola në 21 ndeshjet me Cesenan këtë sezon në Serie C. Djaloshi kuqezi është në listën e shumë klubeve elitare italiane dhe vera e 2024 do e shohë 20-vjeçarin larg nga "Dino Manuzzi". Calciomercato në Itali shkruan se tanimë ai ka formuar profilin e tij të lojës, duke mos dashur ta krahasojnë me vëllanë binjak që luan për Empolin, Stivenin. Epo, duket se Shqipëria në sulm ka mjaft variante për të ardhmen dhe fanella kuqezi mund t'i ribashkojë sërish binjakët në një ekip.
"Mos e quani më ‘Shpendi tjetër’, as ‘Binjaku tjetër’, as ‘vëllai i…Stiven’. Cristian Shpendi tashmë është bërë një nga talentet më të mirë në të gjithë skenën e futbollit italian.
Në mos edhe më shumë se vëllai i tij Stiven, i cili me transferimin te Empoli në Serinë A dhe një sezon kryesor në Cesena vitin e kaluar kishte monopolizuar vëmendjen, duke hedhur hije tepër të pamerituar mbi vëllanë e tij binjak. Hijet që fjalë për fjalë u fshinë nga uragani Cristian, ylli absolut i sezonit të Serisë C, prej të cilit deri tani është një nga lojtarët më të mirë, nëse jo më i miri”, shkruan "Calciomercato".