Kjo është pamja përrallore që të ofrojnë llixhat e Sarandoporit në Leskovik. Ujërat termale që burojnë në Sarandopor kanë vlera të jashtëzakonshme kurative. Një grup të rinjsh kanë zgjedhur pikërisht Sarandoporin, për shkak se nuk është vend i promovuar mjaftueshëm dhe kërkon një vëmendje të madhe.
“Turizmi termal është diçka që siç po diskutonim dhe rrugës mund të zhvillohet në të katërta stinët e vitit, nuk është që të zhvillohet vetëm zona, por gjithashtu edhe qytetet përreth. Duam që këto ujëra termalë të marrin vëmendjen e duhur. Jemi diku tek 50 veta sot, gjetëm edhe turistë që nuk i prisnim këtu realisht.
Shumë interesante edhe vendin nuk e dinim që në rajonin tonë të Korçës e kishim, kështu që e shikojmë si një eksperiencë të re në një habitat të ri, le ta quajmë kështu.
Janë shumë të kënaqur por pak të lodhur sepse sepse dhe infrastruktura është pak e keqe derisa të vish këtu. Prandaj, mbase është edhe një zonë jo shumë e promovuar”, thanë të rinjtë.
Ujërat termale përveçse ofrojnë mundësinë për turizëm gjithëvjetor kanë veti kurative për sëmundjet e lëkurës dhe të aparatit tretës.
“Sëmundjet e të gjitha ekzemave të lëkurës dhe ajo që është më e rëndësishme, kur ngrohet artificialisht ky ujë nëpër vaska në temperaturën 36 gard celsius, atëherë ai ka një veprim maksimal dhe çudibërës për sëmundjet e reumatizmës, sëmundjet e deformimit të eshtrave dhe me radhë. Është një ujë që del shumë i pastër dhe duke u pirë, njëkohësisht shërben shumë për sëmundjet e ulcerës të vedhëzës, sëmundjet e mëlçisë”, tha drejtori i ADZM, Iljon Thanas.
Mbërritja në Sarandopor nuk është aspak e lehtë, pasi mungon infrastruktura rrugore. Llixhat e Sarandoporit janë monument natyror, me burimet termale të pashtershme dhe ndodhen 7 km nga qyteti i Leskovikut.