Kronikë

Në kërkim ndërkombëtar, arrestohen në Dubai 3 ushtarët e Talo Çelës! Ndihmuan të shumëkërkuarin t’i fshihej policisë

8 Maj, 08:27| Përditesimi: 8 Maj, 16:08

  • Share

TIRANË- Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, tre personazhe të njohur të botës së krimit janë vënë në pranga në Dubai. Të lidhur në grup kriminal të drejtuar nga i shumëkërkuari Talo Çela, akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim. Përkrahës të Talo Çelës, i quan policia në njoftimin për prangosjen e tyre, pasi e kanë ndihmuar të arratisurin të fshihej, e kanë transportuar, madje në rastin e Ado Xhikës i kanë çuar gazetar për ta intervistuar.

Përkatësisht, Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020. Në rastin e Pikut ka qenë informator për lëvizjet, ndërsa në rastin e vrasjes së Spahiut në Belgjikë ka siguruar kushtet për eliminimin e tij. Daka është nën akuzë edhe për përkrahja e autorit të krimit pasi Talo Çelën e ka strehuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë. Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjen e dy personave, Klevis Kapllanit dhe një tjetri, si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve, përfshirë ndihmën për fshehjen e Talo Çelës. I treti, Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. Xhika, për 2 vjet me radhë ka ndihmuar Talo Çelën të fshihet, ndërsa në 2020-ën shoqëroi një gazetar me qëllim intervistimin e të shumëkërkuarit.

Talo Çela, një emër i njohur i botës së krimit, prej vitesh është në kërkim, si një prej kokave kryesore të krimit në Elbasan, me disa masa arresti. Emri i tij është lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale, në akuzë për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe disa vrasje të tjera. Po ashtu edhe për përfshirjen në grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit në prill 2019.

Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa mundësitë për deportimin e shqiptarëve të krimit që jetojnë atje janë rritur. Pak ditë më parë u deportua Florenc Çapja.

Kush është Talo Çela

Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit  Haxhia në Durrës.  Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.

Njoftimi i Policise se Shtetit

Kapen në Dubai, 3 shtetas të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit T. Ç.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai, 3 faza të tjera të operacionit “The Wanted”. Konkretisht, u kapën shtetasit:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;

-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;

-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;

-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;

-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:

-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;

-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/05/2025 02:32

    Kjo treshe mund te ekstradohej thjesht per krimet e tyre edhe sikur te mos e kishin ndihmuar kurre T.Celen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?