Një i kërkuar nga Interpoli për 'trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha' është vënë në prangat e policisë së Tiranës. Bëhet fjalë për Gjino Lleshajn, për të cilin gjykata e Hetimeve Paraprake të Romës ka caktuar masën e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.
Drejtësia italiane ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve, të këtij shtetasi dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
38-vjeçari shqiptar ka patur rolin e ndërmjetësit, që së bashku me persona të tjerë, i ka dorëzuar një sasi të madhe droge kanabisi një shtetasi italian. Kjo sasi droge më pas është kapur nga policia italiane, e cila ka bërë edhe zbulimin e rrjetit, duke e çuar më pas para gjykatës.