LAÇ - Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar nga policia në Laç.
Donald Martinaj, lindur në fshatin Gurëz të Kurbinit, ishte në kërkim nga drejtësia italiane, pasi Gjykata e Riminit kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ pasi në korrik të vitit 2023, ky shtetas kishte përndjekur ish të dashurën, duke i djegur makinën me benzinë dhe së bashku me shtetas të tjerë e kishin dhunuar atë dhe partnerin e saj.
Ai akuzohet për disa vepra penale si: penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
'Gjykata e Riminit, Itali, me vendimin e datës 25.08.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, pasi akuzohet se në muajin korrik, 2023, ka përndjekur ish të dashurën, i ka djegur me benzinë automjetin, si dhe ka organizuar shtetas të tjerë që kanë dhunuar këtë shtetase dhe partnerin e saj.', thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Ndërkohë pritet ekstradimi i tij në Itali, teksa Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë bashkëpunimin.