ELBASAN- Një 51-vjeçar i shpallur në kërkim nga SPAK, u arrestua nga policia e Elbasanit, pasi ka tentuar që të korruptojë zyrtarë të IMT-së për një ndërtim pa leje.
Policia vuri në pranga Gentain Bako, i cili në prill të këtij viti, ka bashkëpunuar me dy punonjës të IMT-së në Elbasan, për marrje ryshfeti, në lidhje me një objekt të ndërtuar pa leje.
Gentian Bako, ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
‘Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim G. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar Tiranë, me vendimin e datës 29.08.2024, ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në muajin prill 2024, ka bashkëpunuar me dy punonjës të IMT Elbasan, për marrje rryshfeti, në lidhje me një objekt të ndërtuar pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.
Më 23 prill, në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim kryeinspektori i IMT Elbasan Andri Mehja dhe inspektori Bujar Qajaj
Për të dy Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
Ata dyshohen se nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen "28 Nëntori", Elbasan, dhe kanë marrë para për këtë favorizim.