Kronikë

Në kërkim nga SPAK për trafik droge dhe grup kriminal, arrestohet në Spanjë Juxhin Drazhi! Pjesë e grupit të Elvis Doçit që trafikonin lëndë narkotike në Itali (VIDEO)

8 Gusht, 18:08| Përditesimi: 8 Gusht, 18:39

  • Share

34-vjeçari Juxhin Drazhi është arrestuar në Spanjë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe grup kriminal në kuadër të operacionit Ura. Nga ky operacion i zhvilluar pak muaj më parë u goditën tre grupe kriminale ndërsa u ‘firmosën’ mbi 50 masa sigurie për anëtarët.

Në prill GJKKO i caktoi Juxhin Drazhit masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për tre vepra penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Drazhi ishte pjesë e grupit të Elvis Doçit që trafikonin drogë në Itali. Mediat spanjolle raportojnë se ai u arrestua në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada) nga oficerët e Gardës Civile të Malagas. Policia ra në gjurmët e tij pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonën në fjalë po ndërmerrenin masa të shumta sigurie, gjë që solli dyshime.

Autoritetet zbuluan se një nga krerët më të lartë të një bande ishte fshehur atje, duke mos dalë nga shtëpie, dhe duke përdorur bashkëpunëtorët e tij për t'i siguruar gjithçka që i nevojitej për të shmangur identifikimin dhe arrestimin. Prona ku ai fshihej ishte një shtëpi luksoze me çdo komoditet, e vendosur në një vend të lartë, gjë që i lejonte të monitoronte mjedisin përreth dhe të parashikonte çdo ndërhyrje të policisë.

Sipas raportimeve, ai kishte edhe një eskortë. Me të vënë re praninë e policisë, 34-vjeçari ka tentuar që t’ia mbathë përtej shpatit të malit, duke përshkuar vendin, por u kap nga oficerët që rrethonin shtëpinë. Gjatë kontrollit të shtëpisë, u gjetën dokumente të shumta personale të falsifikuara (pasaportë, kartë identiteti dhe patentë shoferi) që dyshohet se i jepnin të ndaluarit një identitet të rremë që ai mund ta kishte përdorur për të shmangur veprimet policore, si dhe sende të shumta luksi, përfshirë një orë dore me vlerë të lartë.

Përveç kësaj, gjatë kontrollit të zonës ku i arrestuari iku, u gjet një armë zjarri me dy karikatorë, 13 fishekë dhe një silenciator.

Më herët SPAK i sekuestroi 34-vjeçarit Juxhion Drazhit edhe firmën 'Majestic Construction' dhe 9 prona në kuadër të këtij operacioni.  “Ura” kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.  

Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë.

Njoftimi i policisë: 

Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit vë në pranga një shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë.

1754669582_juxhindrazhi.jpg

Juxhin Drazhi

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?