Në kërkim për inceneratorët, SPAK zgjat me 3 muaj afatet hetimore për Arben Ahmetaj

24 Qershor, 12:11| Përditesimi: 9 Nëntor, 22:28

  • Share

Prokuroria e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatet hetimore për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim që prej muajit korrik të vitit 2023, për çështjen e inceneratorëve.

Afatet hetimore përfundonin në datë 21 qershor, ndërkohë që verifikimet e tjera që po kryen struktura e posaçme kanë bërë që dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai, t’i zgjasin me tre muaj afatet.

Çka do të thotë që dosja, pritet të dërgohet në gjykatë në muajin shtator. Zgjatja e hetimeve i është komunikuar avokatëve mbrojtës të Arben Ahmetaj.

Më 24 korrik të vitit që lamë pas, SPAK shpalli zyrtarisht në kërkim ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, duke ngritur ndaj tij tre akuza, “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.

Ndërkohë që në muajin mars të këtij viti, SPAK i komunikoi ish ministrit të financave akuzat, përmes avokatëve të tij mbrojtës.

Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.

Për të njëjtën çështje, është marrë e pandehur edhe ish bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mancka, bashkëjetuesja aktuale Erjola Hoxha, për “fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash”.

Po ashtu, të pandehur janë marrë edhe disa biznesmenë.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?