Dyshohet si ekzekutues i Edmond Papës, Andrew Bode mund të jetë larguar ilegalisht në Greqi! U ndihmua nga grupi kriminal shqiptar në Athinë?

5 Janar 2023, 10:45| Përditesimi: 5 Janar 2023, 16:44

  • Share

TIRANË- 44-vjeçari nga Berati Edvin Bode që e ka ndërruar emrin në gjendje civile, në Andrew, dyshohet të jetë larguar nga Shqipëria në mënyrë ilegale menjëherë pas vrasjes në Selitë të Edmond Papës, 16 dhjetorin e vitit të kaluar në Tiranë. Në sistemin TIMS nuk ka asnjë shenjë të kalimit në ndonjë pikë kufitare, por hetuesit dyshojnë që Bode të jetë larguar drejt Greqisë të paktën 2 ditë pas ekzekutimit për hakmarrje të 49-vjeçarit nga Saranda. Burime nga prokuroria, thanë për Report Tv se autori i dyshuar i vrasjes ta ketë përdorur shtetin fqinj tranzit për të kaluar në një vend tjetër, të cilin e kanë zbuluar.

Në Greqi, beratasi dyshohet të jetë ndihmuar për tu arratisur nga anëtarë të tjerë të grupeve kriminale me shqiptarë atje. 44-vjeçari me dy emra ka precedent penal të regjistruar në vendin tonë për trafikim të narkotikëve, por asnjëherë nuk është dënuar me vendim gjykate.

Aktualisht Bode është në kërkim kombëtar, por policia po pret një vendim të Gjykatës Penale të Tiranës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë për të bërë shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar. Referuar procedurës në raste të ngjashme, pas arrestit në mungesë, emri dhe foto e tij, përmes Interpol Tirana, u shpërndahet të gjithë partnerëve ndërkombëtar për ta lokalizuar dhe arrestuar. Në mungesë të një kërkimi ndërkombëtar Bode ka përfituar deri tani për të lëvizur i lirë në arrati.

Në pranga për krimin është 30-vjeçari Albano Velo, në rolin e organizatorit dhe bashkëpunëtorit për ta ndihmuar në arratisje ekzekutorin. Makina Audi me të cilën janë larguar të dy, Velo dhe Bode, dhe që u sekuestrua nga policia, rezulton të jetë jo e vjedhur, por targat janë të huaja të marra nga një automjet tjetër. Makina që kishte të vendosura këto targa të huaja belge është futur brenda territorit të vendit tonë nga një shtetas, i cili më pas e ka shitur makinën që është targuar me targa shqiptare. Policia po heton mënyrën se si targat e huaja përfunduan në duart e dy autorëve të vrasjes, të cilët më pas i montuan tek “Audi”, që shërbeu për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 49-vjeçarit. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe babain e Albano Velos, Dilaver Velo. Ky i fundit oficer policie në Komisariatin nr. 4 dhe u pezullua nga detyra pas arrestimit të të birit si organizator në vrasjen e Papës.

Dilaver Velo ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për implikimin e të birit në ngjarje. Por AMP ka nisur verifikimet për të parë nëse i ati ka favorizuar Albano Velon për ta larguar nga Shqipëria. Ndërkohë, janë verifikuar tabulatet telefonike të Albano Velos që kanë vërtetuar dyshimet e policisë që ditën e krimit, më 16 dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u ekzekutua Papa.

Vrasja e Edmond Papës është zbardhur 2 ditë më parë nga policia,  6 muaj i janë dashur Albano Velos, djalit të efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022. 30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet është vënë në pranga në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës më 16 dhjetor pranë një lokali në kryeqytet. Ai kishte monitoruar lëvizjet e tij dhe duket se ka pritur që të vijë në Shqipëri për ta vrarë në bashkëpunim me 44-vjeçarin  Andrew Bode.   Autorët e kanë ndjekur për disa ditë Edmond Papën dhe ditën e ngjarjes kur sapo ishin kthyer nga jugu arritën realizimin e krimit pranë një lokali në Selitë.

Hetuesit dyshojnë se vrasja e Papës të jetë bërë për hakmarrje, teksa e lidhin atë me ekzekutimin e Sadikajt. Policia është e rezervuar në dhënien e detajeve, por mendohet se po punohet ngushtë për zbardhjen e vrasjes së Sadikajt, e mbetur e pazbardhur edhe pas më shumë se gjashtë muajsh. Një tjetër pistë e dyshuar për vrasjen e Papës është raportuar larja e hesapeve për një sasi prej 700 kg kanabis që solli edhe ekzekutimin e 2 shqiptarëve Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organaja në Athinë. Urdhri dyshohet se u dha nga Klodian Lekocaj, i burgosur në Greqi. Por pas lidhjes së Sadikajt me autorin e vrasjes së Papës, kjo pistë mund të rrëzohet. 

Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën "Fadil Bodinaku". 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.  Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.

Ora 16:37
Ekzekutimi i Edmond Papës, ‘Audi’ i autorëve nuk rezulton i vjedhur, iu mbivendosën targa belge! Mister ku e morën

Mjeti tip “Audi” që u përdor nga dy autorët Albano Velo dhe Andrew alias Edvin Bode për vrasjes e Edmond Papës, nuk rezulton të jetë i vjedhur. Mirëpo, burimet bëjnë me dije se targat e huaja të këtij mjeti janë të mbivendosura dhe nuk kanë qenë të “Audi-t”, por të një mjeti tjetër. Makina që kishte të vendosura këto targa të huaja belge është futur brenda territorit të vendit tonë nga një shtetas, i cili më pas e ka shitur makinën që është targuar me targa shqiptare. Policia po heton mënyrën se si targat e huaja përfunduan në duart e dy autorëve të vrasjes, të cilët më pas i montuan tek “Audi”, që shërbeu për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 49-vjeçarit.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?