SHKODËR- Dy vëllezër, 20 dhe 28 vjeç të shpallur në kërkim për kultivimin e 400 bimëve narkotike, u arrestuan në pikën kufitare të Kapshticës në tentativë për të dalë nga vendi dhe për të shkuar në Greqi. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar në mungesë për ta, masën e sigurisë arrest në burg.
Mikelian dhe Emiljan Filipi akuzohen se kultivuan kanabis në fshatin Sheldi, që policia i zbuloi më 29 prill të këtij viti, në kuadër të operacionit anti-kanabis të koduar “Koordinata”.
“Finalizohet operacioni “Sheldija” për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, të dyshuar si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike.
Vihen në pranga dy vëllezërit, ndaj të cilëve Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg".
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të një hetimi të ndjekur me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, siguruan informacion dhe prova për autorët e dyshuar të bimëve narkotike në fshatin Sheldi.
Bazuar në këto prova, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy vëllezërit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sheldija”, u kapën dhe u vunë në pranga:
E. F., 28 vjeç dhe M. F., 20 vjeç,
banues në fshatin Sheldi.
Nga hetimi dhe veprimet në terren, rezulton se E. F. dhe M. F. dyshohen si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike, të zbuluara nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, më datë 29.04.2025, në fshatin Sheldi”, njoftoi Policia e Shkodrës.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Komente
