TIRANË- Tre persona në kërkim nga autoritetet shqiptare për vepra të ndryshme penale janë arrestuar u ekstraduan në Shqipëri. Ndërkohë, një tjetër shqiptar është ekstraduar në Spanjë.
Konkretisht, rasti i parë bën fjalë për një italian, Salvatore Salozzo, 31 vjeç. Ai u ekstradua nga Italia në Shqipëri, pasi është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. 31-vjeçari ka fshehur të ardhurat e shoqërisë tregtare të tij dhe nuk i ka paguar detyrimet tatimore shtetit shqiptar.
Ndërkohë, nga Gjermania në Shqipëri është ekstraduar shqiptari Renald Lleshi (Canaj), 29 vjeç. I riu rezulton i dënuar nga Gjykata e Sarandës me rreth 3 vjet burg, pasi ka bashkëpunuar për plagosjen me armë zjarri të 3 personave në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur në 29.08.2017, ndërsa gjatë kontrollit në banesë, 29-vjeçarit i janë gjetur edhe 9.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Nga Luksemburgu është ekstraduar në Shqipëri 28-vjeçari Njazi Kulla. Ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 28-vjeçari duhet të vuajë dhe rreth 2 vjet burgim, nga ky dënim.
Nga ana tjetër, një 48-vjeçar i arrestuar në Vlorë u ekstradua në Spanjë. Luan Llanaj ka rënë në pranga më 18 tetor pasi Gjykata e Barcelonës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Komente
