Ereledio Shebeku

Kronikë

Në kërkim për firmat piramidale online Xuex, arrestohet organizatori kryesor për zonën e Divjakës (EMRI)

22 Shtator, 20:35| Përditesimi: 22 Shtator, 20:53

  • Share

Njëri nga personat e shpallur në kërkim për skemat piramidale online Xuex, është arrestuar nga policia në vijim të operacionit të koduar “Xuex” që u finalizua më 14 shtator.

Në pranga ka rënë Ereledio Shebeku 35 vjeç. Sipas policisë, ai dyshohet si organizatori kryesor për zonën e Divjakës në lidhje me organizimin e këtyre skemave.

Ky është personi i 7 që arrestohet në kuadër të këtij operacioni. Më 14 shtator u arrestuan 6 persona; Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe.

Kujtojmë që Brunilda Todi është motra e Ereledio Shebekut. Kurse në kërkim vazhdon të jetë gruaja e tij këtij të fundit, A.Sh. 35 vjeç.

Ndërkohë, Gjykata e Fierit, në seancën për masat e sigurisë, liroi nga qelia Emanuel Taullau dhe Flavio Mukajn, duke i lënë në detyrim paraqitje.

Katër të tjerët u lanë në burg me afat 60 ditor. 

Të arrestuarit ishin përgjegjës për rekrutimin në terren të personave që t’i bindnin të investonin në firmat piramidale online Xuex.

Hetimi për të goditur skemat piramidale online zgjati disa muaj. Ky hetim nisi dhe u finalizua në Fier. Kontrolle u kryen edhe në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh. Policia sekuestroi 50 celularë, 11 kompjutera, hard-disqe, DVR, një makinë dhe shuma të konsiderueshme parash. Hetuesit zbuluan bazën e grupit, një lokal në zonën e Lushnjes në pronësi të Arbër Çelës. Gjithashtu, për llogari të hetimit, autoritetet shqiptare bllokuan 6 llogari të kriptomonedhave.

Të arrestuarit, të konsideruar si agjentë në terren, kishin rol kyç në rekrutimin dhe orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në “Telegram”. Aty udhëzoheshin si të investonin në kriptomonedha. Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor, përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.

Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar. Rrjeti u zbërthye pasi në skemë u infiltruan agjentë të policisë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi Ereledio Shebku 35 vjeç.

Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.

Çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.

 

ARREST NË BURG 60 DITË
Arbër Çela 38 vjeç nga Lushnja
⁠Marius Kodra 28 vjeç nga Tirana
Brunilda Todi 38 vjeçe nga Divjaka
Brunilda Ndini 38 vjeçe nga Divjaka
DETYRIM PARAQITJE
Emanuel Taullau 21 vjeç nga Lushnja
Flavio Mukaj 23 vjeç nga Lushnja
ARRESTUAR:
Ereledio Shebeku 35 vjeç
NË KËRKIM:
A.Sh 35 vjeç

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?