Svetlana Timofeeva, 33-vjeçarja ruse e cila u la në burg bashkë me dy të tjerë, Mikhail Zorin dhe ukrainasin, Fedir Alpatov, pas sulmit në ish-uzinën e Armëve në Gramsh ndaj ushtarëve shqiptarë në gusht të vitit të kaluar, rezulton në kërkim në Rusi. Rusia ka kërkuar ekstradimin e saj, por kjo e fundit kërkon që mos të ekstradohet në Rusi. Sipas autoriteteve ruse të drejtësisë, rezulton se Svetlana Timofeeva, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”.
‘Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka marrë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva. Kjo shtetase aktualisht është e paraburgosur nën masën e sigurimit “Arrest në burg” caktuar për nevoja të procedimit penal nr.1168, viti 2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësësi rezulton se shtetasja ruse Svetlana Timofeeva, lindur më 18.03.1989, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, parashikuar nga pika “a”, paragrafi 2 të nenit 283 të Kodit Penal Rus.
Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest ne burg”, për veprën penale të sipërcituar. Në zbatim të nenit 492 të K.Pr.Penale, nga prokurori, është marrë kontakt me shtetasen ruse për të cilën kërkohet ekstradimi Svetlana Timofeeva, e cila ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi. Në vijim të veprimeve procedurale, më datë 10.01.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka dorëzuar në gjykatë kërkesën me objekt : marrjen në shqyrtim të kërkesës së autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.’- njofton prokuroria.
Lajmi kryesor:
Kërkohet si spiune, Rusia dëshiron ekstradimin e Timofeevës, 33-vjeçarja ruse refuzon! Zbardhet akt-ekspertimi, ushtarët që u sulmuan në Gramsh me djegie në lëkurë e dorë
M.Q./ReportTv.al