POGRADEC- Një 43-vjeçar në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e policisë në qytetin e Pogradecit. Ergys Likaj, banues në Durrës, rezulton në kërkim nga autoritetet italiane.
Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2016, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
“Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 27”. Lokalizohet, kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe i koordinimit të punës me homologët italianë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania), në kuadër të operacionit “Operacionalja 27”, lokalizuan në Pogradec dhe arrestuan provizorisht shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ergys Likaj, 43 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2016, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, njofton policia.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi në Itali.
Komente
