Një 46-vjeçar u lokalizua në malin e Tomorrit dhe u arrestua pasi ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë arrest në burg për trafik lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Dorian Beu po lëvizte me automjet kur Forcat Operacionale në bashkëpunim me policinë e Durrësit ndërhynë duke e arrestuar.
Në videon e policisë, shihet momenti kur forcat Operacionale ndalojnë 46-vjeçarin që mesa duket ndodhej atje për pelegrinazh. Në vitin 2023, GJKKO dha masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në tetor të vitit 2023, ai u arrestua bashkë me kushëririn e tij, Emirjan Beu dhe Syrjan Tolën në Itali, si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Milano. Tre trafikantëve iu sekuestruan edhe 1 milionë euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi. Policia iu sekuestroi 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, një bar kafe, 3 dyqane, 2 shoqëri peshkimi së bashku me asetet e tyre.
Emri i Dorian Beut doli në dosjen e SPAK, i cili goditi bandën në dhjetor të vitit 2023. Grupi me drejtues Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, akuzohej për trafikimin e 356 lëndë narkotike ( 120 kg kokainë, 15 kg heroinë e pastër, 129 marijuanë dhe 92 kg hashash), të cilat u sekuestruan në Itali në disa episode të ndryshme.
Emirjan Beu është vëllai i Florida Beut, e cila zbuloi skandalin e korrupsionit të ish-zëvendësministres së Brendshme Rovena Voda. Ish-zëvendës ministrja i premtoi punë në ministri avokates Florida Beut në këmbim të 2 mijë eurove, një arke peshku dhe një telefoni.
Njoftimi i policisë:
Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 60”.
Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.
Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.
Report TV ka siguruar foton e Dorian Beut, 46-vjeçarit që u kap në malin e Tomorit pasi ishte në kërkim si pjesë e një grupi trafiku droge. Ndaj tij, GJKKO kishte dhënë masën e sigurisë arrest në burg.
46-vjeçari është pjesë e grupit të trafikut të drogës të goditur nga SPAK në dhjetor të vitit 2023, i cili akuzohet për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash.
Një ndër drejtuesit e grupit ishte edhe Emirjan Beu, kushëri i Dorian Beut.
Komente

Ka shkuar te laj gjynahet me gjak shelegu pa faj.. plehra ..!!
PërgjigjuKeto muslimanet e devotshem si shume merren me mall.
Përgjigju