Ish-minatorët e Qarkut të Korçës prej 30 vitesh kërkojnë statusin e minatorit, që do tu garantonte atyre një pension më të lartë dhe lehtësira të tjera për trajtimet shëndetësore.
Llazi Kërxhixha, Presidenti i Sindikatës për rajonin e Korçës thotë se të drejtat e minatorëve janë nëpërkëmbur dhe asnjë qeveri nuk e ka mbajtur premtimet. Çuditërisht zgjidhjen tashmë e presin nga ambasada amerikane.
“Janë 30 vite të humbura me kërkesa, protesta. Jemi future dhe forcërisht dhe nuk kemi përfituar asgjë. Shumica kanë vdekur, por edhe ato që janë gjallë po përjetojnë ditë të vështira. I bëj thirrje Ambasadës Amerikane, atasheve dhe BE-së. Normalisht për të na ardhur në ndihmë. Për të kërkuar të njëjtën llogari. Politikanëve dhe dy krerëve të sindikatës që po e mbajnë peng situatën”, tha president i sindikatës rajonale Korçë, Llazi Kerxhalli.
Një tjetër sindikalisht, Beshir Cuka, thotë se ka punuar 20 vite në galeri, ndërsa pensioni prej 15 mijë lekësh në muaj nuk mjafton as për ilaçe.
“Minatorët vuajnë. Nuk pinë dot një kafe. Kalojnë lokaleve dhe nuk kanë 500 lekë të paguajnë një kafe. Kanë dhe tre sëmundje. Këto lekë nuk përballojmë dot ilaçet, dritat, ujin. Nevojat më minimale”, u shpreh kryetar i sindikatës se qarkut Korçë, Beshir Cuka.
Në qarkun e Korçës numërohen rreth 4000 ish-minatorë , te cilët kane punuar në 17 minierat e këtij qarku, pjesa më e madhe të cilave tashmë janë jashtë funksioni.