Në Korçë laboratori ku falsifikoheshin pasaporta amerikane e BE! Arrest me burg për 3 korçarët! Merrnin 300 - 10 mijë euro për dokumente të falsifikuara

24 Korrik 2023, 12:04| Përditesimi: 9 Nëntor, 22:54

  • Share

Gjykata e Korçës dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për tre korçarët e arrestuar pasi akuzohen se falsifikonin dokumente të ndryshme duke nisur  nga Karta ID deri tek pasaporta amerikane apo të vendeve të BE-së.

Arrest me burg është dhënë për 3 shtetasit Artur Rakip, Thanas Sholla dhe Besnik Dine, të arrestuar më 22 korrik 2023.

Për dy shtetasit e fundit seanca u zhvillua dje, pasi ndaj tyre kishte më parë një vendim gjykate, ndërsa për shtetasin Artur Rakip me precedentë të mëparshëm penal që u arrestua në flagrancë të shtunën, seanca u mbajt sot.

Laboratori u zbulua në banesën e Artur Rakipit, ku prodhoheshin karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, apo leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle false. 

Ndërsa në banesat e Thanas Sholla dhe Besnik Dine dhe në automjetin e këtij të fundit u gjetën pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.

“Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj” informoi policia e Korçës ditën e arrestimit më 22 korrik 2023.

 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?