Edhe pse në mes të sezonit turistik, sigurimi i ujit të pijshëm është kthyer në një sfidë për banorët dhe bizneset e lagjes sipër portit në Shëngjin.
Uji në çezmat e kësaj zone rrjedh vetem një ditë në javë, por sipas banorëve është i ndotur dhe i pakonsumueshëm.
“Ne na vjen 5 orë ujë në javë. Herë vjen të mërkurën, herë vjen të enjten asnjeherë nuk është njësoj me njoftimin që bëjnë këta”, thotë një banor.
Ata tregojnë se ky problem ekziston prej vitesh, ndërsa thonë se janë të detyruar që ujin e pijshëm ta blejnë ose ta mbushin me bidona në zona të tjera. Ankesat e vazhdueshme të tyre janë lënë jashtë vëmendjes institucionale.
“Jo, ujë të pijshëm s’ka. Mbushim ose e blejmë në dyqan ose lokal”, shprehet nje banor.
“Për ujin e pijshëm tek lagjja jonë, ne marrim bidona 10 kilogramshme ose 30 kg dalim i mbushim kur kemi mundësi në autostradë, gjithmonë ose tek gurrat ku është burimi se nuk na vjen uji. Premtime ka sa të duash, por asgjë nuk bëhet. Vetëm di të them që paguaj,. Ja ku është libreza edhe këtë muaj kam për të paguar, po se di as pse duhet të paguaj kur nuk vjen uji”, thotë një banor tjetër.