Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i renditur i 23 në listë, ka arritur që të kalojë pragun minimal, për të qenë deputet në legjislaturën e ardhme me votat preferenciale.
Xhafaj, i cili deri tani ka arritur që të sigurojë 13164, në një reagim në rrjetet sociale ka shprehur mirënjohjen ndaj votuesve të tij si dhe për të gjithë socialistët e qarkut që e kanë vlerësuar.
Më tej Xhafaj thotë se shifrat tashmë publike konfirmojnë se e ka kaluar pragun minimal për të qënë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë dhe se së bashku me ekipin e fushatës po monitorojnë përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit.
‘MIRËNJOHJE! Kjo është fjala ime e parë në këto momente. Socialistëve që më dhanë kurajo dhe forcë ta çoj deri në fund këtë betejë! Të gjithë votuesve të qarkut që më vlerësuan për çfarë kam bërë në politikë, për çfarë unë jam dhe për çfarë ata besojnë se mund të vazhdoj të bëj.
Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qënë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit.
Ekipit të jashtëzakonshëm që punoi intensivisht me mua gjatë këtyre muajve me shpresën e madhe se do ja dilnim. Dhe ja dolëm të bënim një fushatë tejet modeste në shpenzime, por të pasur në besim, në kurajo dhe në energji.
Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë.
Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund!’- shkruan Xhafaj.