Laçi fitoi 3-2 me Partizanin për javën e 29-të në Superligën e futbollit. Dueli u përmbys nga vendasit, teksa presidenti i "Demave", Gazmend Demi hedh dyshime për mënyrën e arbitrimit dhe humbjen e të tijve.
Në një intervistë, Demi tregon se goli i akorduar dhe që sipas specialistëve ishte në pozicion jashtë loje ndikoi në rezultat. Demi thotë se të tijve i është "ngrënë haku" në këtë duel, duke favorizuar Laçin në një terren që ngjante si në Afganistan.
"Nuk e kam dëgjuar deklartën e trajnerin Colella-s dhe kam bërë gabim. Ndoshta Laçit ngaqë iu bë një hile me Krujën donin ta mbulonin sot. Terreni ishte si në Afganistan. Një gol ndikon gjithçka. Me qenë se Pregja e tha që goli ishte pozicion jashtë loje, unë nuk kam çfarë them. Unë nuk jam i cënuar si njeri, iu thashë edhe tifozëve, që është turp që bëni kështu", tha fillimisht Demi.
Më pas presidenti i "Demave" u ndal edhe te arbitri Juxhin Xhaja, teksa sipas tij disa ndeshje më parë ka ndëshkuar me karton një nga lojtarët e Partizanit, për mos luajtur në këtë duel.
"Ky Xhaja para 1 jave ishte në Durrës, e nxorri me karton të verdhë lojtarin tonë që mos luante në ndeshjen pasardhëse. Unë kam të drejtë të dyshoj. Sot më duket një vjedhje ndaj Partizanit. Nga moviola e Pregjës, i bie që neve na kanë vjedhur sot si Partizanin. Kuptova që Partizanit sot i kanë rënë në qafë, nuk kam çfarë flas më shumë", tha kreu i klubit.
Demi tregon se terreni në Laç ishte si në Afganistan, ndërsa flet edhe për borxhin që FSHF i kishte kurbinasve për golin e anulluar kundër Kastriotit dhe të pranuar nga institucioni i futbollit pas presioneve për arbitrat në ndeshjen kundër Kastriotit.
"Në Laç ishte si në Afganistan. I bie që duhet të sillem edhe unë te fusha e Partizanit si në Afganistan, por fytyra ime nuk e lejon këto. Shpresojmë t’ia kenë larë Laçit borxhin që i kishin dhe ta kenë goditur Partizanin. Do më vinte shumë keq po të qe e stisur kjo punë. Një diçka nuk shkon", përfundoi Demi.
Me këtë humbje të Partizanit dhe fitoren e Tiranës, bardheblutë lënë pas skuadrën e Colellës me pesë pikë në renditjen dhe garën për titullin kampion të Superligës.