Me dimrin para që sjell virozat por dhe frikën për shtim të infektimeve Covid, sipas mjekëve, vaksinimi i fëmijëve bëhet edhe më i domosdoshëm. Por ende prindërit hezitojnë t’i çojnë fëmijët në qendra shëndetësore për të marrë dozën Anti-Covid të Pfizer.
Kur ka nisur prej një jave vaksinimi i grupmoshës 16 vjeç e lart, duket se interesi i prindërve është krejt i ulët. Vetëm 20 fëmijë kanë marrë vaksinën "Pfizer" në të gjitha qendrat shëndetësore të Lezhës.
Mjeku pediatër, Mark Marku thotë se periudha e dimrit mund të shoqërohet me shtim të rasteve të fëmijëve të prekur nga COVID-19 dhe vaksinimi është mjaft i domosdoshëm.
"Vaksinimi i fëmijëve 16 vjeç e sipër duhet të fillojë pasi në muajin nëntor dhjetor presim shtim të rasteve jo vetëm viroza dhe covid-19. Ndërsa për moshën 12+ komiteti i eksperteve ka rekomanduar vaksinim vetëm për fëmijët që kanë sëmundje kronike. Në këto raste vaksinimi bëhet me rekomandimin e mjekut të familjes dhe dakordësinë e prindërve", u shpreh Marku.
Edhe pse Komiteti i Ekspertëve ka rekomanduar qe të vaksinohen fëmijët 12 deri 15 vjeç, me sëmundje kronike ende në Lezhë nuk është kryer asnjë aplikim për këtë grupmoshë.
Qe prej nisjes së pandemisë në mars 2019 e deri më sot numërohen 60 fëmijë të prekur nga Covid 19 në bashkinë e Lezhës, por që e kanë kaluar me simptoma të lehta.