Kultura

‘Në Librari’ me 3 tituj: 'Historia pa mbarim', 'Mbreti i inatit' dhe 'Si ta lexojmë letërsinë shqipe'! 'Dëshira për ty këtë mbrëmje' tek Melodia e Vargut

23 Shkurt, 08:55| Përditesimi: 23 Shkurt, 11:22

  • Share

“Historia pa mbarim” nga Michael Ende, “Mbreti i inatit” nga Ana Huang dhe “Si ta lexojmë letërsinë shqipe” nga Gazmend Krasniqi janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

“HISTORIA PA MBARIM”, NJË LIBËR PËR TË VEGJËL DHE TË RRITUR

Titulli: Historia pa mbarim
Autor: Michael Ende
Përktheu: Robert Shvarc
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1600 lekë

Ka njerëz që pëlqejnë pa masë trillimet, siç ka edhe të tjerë që rendin pas fantazive, por që ngecin dhe kapen rob në rrjetën imagjinare të tyre. Ka dhe disa qenie të tjera njerëzore që rendin pas fantazive dhe dëshirave, por rikthehen sërish me këmbë në tokë. Kjo i shkon për shtat Bastianit, sepse vetëm këta lloj njerëzish i bëjnë që të dyja botët, në ëndërr e në zhgjëndërr, edhe më të shëndetshme e të jetueshme.

“Historia pa mbarim” është libri që vjen për lexuesin nga “Albas” me përkthimin mjeshtëror të Robert Shvarc.

Ky roman i botuar më 1979, i përkthyer menjëherë në shumë gjuhë të huaja të botës dhe i nderuar me dhjetë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, është libri i një fantazie shpërthyese, që mbart në vetvete një ndërthurje filozofish të larmishme, ku kritika ndaj epokës sonë mbështillet nga simboli artistik dhe ku lënda poetike dhe misteri i nënshtrohen një kompozicioni krejt të veçantë.

Bastian Baltasar Buksi zbulon një libër të përdorur në një dyqan antikuarësh, që e tërheq në mënyrë magjike:

Atij i pëlqejnë pa masë fantazitë e shfrenuara, me anë të të cilave ajo që nuk ekziston, lind dhe zhvillohet gjithnjë e më tepër në një mënyrë të çuditshme. Kjo ndodh për shkak të sëmundjes vdekjeprurëse të Perandoreshës-Fëmijë, e cila ka nevojë për një emër të ri që të shërohet. Meqenëse kjo mundësi i ofrohet vetëm një njeriu, Bastiani kupton se ai është “i zgjedhuri” që mund t’i shpëtojë këto fantazi. Së bashku me luftëtarin riosh, Atreju, dhe Dragoin e Fatit, Fuhur, ai ndërmerr një udhëtim fantastik, çdo minutë e të cilit e shpërblen me ngjarje dhe bëma të papara.

“Historia pa mbarim” është një klasik fantastik gjerman, i krijuar nëpërmjet fuqisë së imagjinatës. Një libër i shpërndarë anembanë botës – i përkthyer në 41 gjuhë dhe me mbi 9 milionë kopje të shitura.

Ky libër është vlerësuar me çmime të ndryshme letrare gjermane dhe ndërkombëtare, mes tyre edhe Çmimin Europian të Librit për Fëmijë. Ky libër është realizuar edhe film nga regjisori Ëolfgang Peterson.

Mbi librin

"Bëj ç'të duash", thotë mbishkrimi në simbolin e pushtetit sundues pa kufij të Fantastikës. Por se ç'do të thotë kjo në të vërtetë, Bastiani e merr vesh vetëm pas shumë kërkimesh të gjata e të mundimshme. Kujtdo që vjen në Fantastikë, Perandoresha – fëmijë i jep një medaljon si shenjë pushteti pa kufij.

"Bëj ç'të duash", shkruhet brenda në të dhe Bastiani në fillim e interpreton kështu: "Bëj ç'të të dojë qejfi!". Kështu, ai zhytet gjithnjë e më thellë në strudelin e fantazisë pa fre, që të bën të harrosh. Por më në fund e kupton se kjo moto mund të ketë kuptimin: "Bëj atë çka të do zemra, atë çka ti e dëshiron me të vërtetë!"

Të mos kishte pasur Atrejun, shokun e tij, kurrë nuk do të kishte mundur të dilte nga ai vend pa kufij. "Ka njerëz që kurrë nuk arrijnë të vijnë në Fantastikë dhe njerëz që arrijnë të vijnë, por mbeten përgjithmonë aty. Pastaj ka edhe ca të tjerë që shkojnë në Fantastikë dhe kthehen përsëri. Kështu si ti, Bastian. Dhe këta njerëz bëjnë që të dyja këto botë të jetën botë të shëndosha."

Koment nga Robert Shvarc

Fondi i letërsisë botërore për fëmijë dhe të rinj përkthyer në shqip, do të ishte padyshim i mangët sikur të mos figuronte në të edhe Libri i librave, të cilit kritika letrare nuk i vë kufij moshe për lexuesit: "Historia pa mbarim" e shkrimtarit shumë të njohur gjerman Michael Ende.

Ky roman i botuar më 1979, i përkthyer menjëherë në shumë gjuhë të huaja të botës dhe i nderuar me dhjetë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, është libri i një fantazie shpërthyese, që mbart në vetvete një ndërthurje filozofish të larmishme, ku kritika ndaj epokës sonë mbështillet nga simboli artistik dhe ku lënda poetike dhe misteri i nënshtrohen një kompozicioni krejt të veçantë, një gjinie të re letrare të çliruar nga çdo lloj angazhimi të njëanshëm.

Michael Ende (i ndarë para kohe nga jeta e tij prodhimtare në gusht 1995) me romanin "Historia pa mbarim" zbuloi mjeshtërinë e mahnitshme që të shkruante një roman për fëmijë dhe të rritur njëherësh.

“MBRETI I INATIT”, BOTOHET LIBRI I PARË I SERISË SË HUANG

Titulli: Mbreti i inatit 

Autori: Ana Huang

Përktheu: Viola Bazelli

Gjinia: Roman

Shtëpia botuese: Dritan

Çmimi: 1500 lekë

Ajo është gruaja që ai kurrë nuk do ta donte... dhe dobësia që kurrë nuk e pa t’i vinte.

I pamëshirshëm. I përpiktë. Arrogant. Dante Rusoja e ka merak kontrollin, si në rrafshin personal, ashtu edhe në atë profesional. 

Drejtori Ekzekutiv miliarder nuk e ka në plan të martohet - derisa shantazhi e detyron të fejohet me një grua që as nuk e njeh, Vivianë Laun, trashëgimtaren e një biznesi bizhuterish dhe bijën e armikut të tij më të ri.  Pak rëndësi ka se sa e bukur apo tërheqëse është ajo. Ai do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të shkatërruar provat dhe fejesën e tyre.

Ka vetëm një problem: tani që e ka bërë të tijën... nuk e lëshon dot më.  

Elegante. Ambicioze. E sjellshme. Vivianë Lau është vajza e përsosur dhe bileta e familjes së vet për t’u ngjitur në nivelet më të larta të shoqërisë.  Martesa me Rusonë gjakblu nënkupton hapjen e dyerve, të cilat do të kishin mbetur të mbyllura për familjen e saj të pasuruar rishtazi.

Ndërkohë që Dantja harbut dhe i pakapshëm nuk i përshtatet idesë së partnerit të saj ideal, ajo e pranon këtë martesë me shkuesi për hir të detyrës.   Nevoja për prekjen e tij nuk kishte qenë kurrë pjesë e planit...   ...as gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte: të binte në dashuri me burrin e saj të ardhshëm.

Autorja e serisë “Tëisted” vjen me një tjeter seri në gjuhën shqipe, të titulluar “Mbretërit e mëkatit”, e cila ka katër vëllime. Shtëpia botuese “Dritan” sjell për lexuesit librin e parë të kësaj serie, “Mbreti i Inatit”.

NJË LIBËR PËR HISTORINË E PRIRJEVE DHE MODELEVE LETRARE

GAZMEND KRASNIQI, AUTOR

Titulli: Si ta lexojmë letërsinë shqipe (Drejtime letrare dhe kanonet e tyre)

Autori: Gazmend Krasniqi

Recenzentë: Prof. Dr. Ardian Marashi, Prof. Dr. Dhurata Shehri

Gjinia: Studimor

Shtëpia botuese: Jozef

Çmimi: 1500 lekë

“Si ta lexojmë letërsinë shqipe: Drejtime letrare dhe kanonet e tyre” përmbush misionin për të siguruar çelësat e kategorizimit në mënyrë të përsosur, të kuptuarit dhe të lexuarit, për të gjithë letërsinë shqipe, përmes një radhitjeje estetike koherente dhe të argumentuar. Është në fakt një vepër, të cilën autori e ka nisur që më herët me përmbledhje antologjish të letërsisë shqipe dhe veçanërisht me veprën e tij të të njëjtit lloj, “Poezia shqipe: një histori letrare”.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Gabriele D'Annunzio 1863- 1938 ka qenë poet, shkrimtar, dramaturg, gazetar i njohur italian. Filozofia e tij ka qenë ta jetosh jetën si një vepër arti. Arti për të ishte shprehja tërësore, e plotë ndaj së bukurës.

Mendimi dhe si rrjedhojë krijimtaria e tij u ndikuan së tepërmi nga mendimi filozofik i Frederik Nietzsche-s. Për D'Annunzio-n shprehja më e plotë dhe sublime te njeriu është një jetë origjinale plot emocione dhe pasione dhe ku virtyti është i mishëruar totalisht tek arti.

Në veprimtarinë e tij krijuese ai e shkriu dhe identifikoi njeriun me natyrën.

Poezia që shoqëron këtë herë rubrikën "Melodia e Vargut" tregon pikërisht këtë. Aty ndjenjat  shprehen me një forcë që deri diku magjeps dhe shkon më tej, ndjesia sa e ëmbël, erotike aq dhe e vuajtur arrin t'i shkrihet natyrës me një aftësi fjale befasuese. Është një poezi malli ku mungesa dhe dëshira trondisin dhe transmetohen mrekullisht nga njeriu te natyra.

Dëshira për ty këtë mbrëmje

Seç kam një dëshirë të mjerë për ty këtë mbrëmje

Oh, këtë mbrëmje dhe gjithmonë.

Por sonte dëshira është e një lloji tjetër.

Si një drithërimë pafundësisht e gjatë dhe e butë.

Jam si një det ku dridhen të gjitha pikat

Të gjithë krahët e shpirtit

Dridhet çdo fije nervi

Dridhen të gjitha lulet e pranverës

Dhe retë e qiellit

Gjithashtu dhe yjet e natës

Dhe hëna e vogël, dridhet

Dridhet mbi flokët e tu që janë

Një shkumë bjonde.

Kënaqem dhe vuaj

Të kam brenda meje

E do të doja, megjithatë, të të ndieja mbi vete

Nuk më le shumë muzikë kur u nise

Më mbaj sonte në zemrën tënde

Mbështillmë në ëndrrën tënde

Më magjeps me frymën tënde

Ji vetëm me mua, dhe unë i vetëm

Oh, melodi, melodi...

Dridhen, të gjitha pikat e detit.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?