“Po si zoqë t’kukuvacës ndë një çerdhe të shkretuarë...” nga Francesco Scalora, “Takohemi te liqeni” nga Carley Fortune dhe janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
LIBËR STUDIMOR MBI GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN ARBËRESHE
Titulli: Po si zoqë t’kukuvacës ndë një çerdhe të shkretuarë... (studime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe)
Autor: Francesco Scalora
Përktheu: Prof. Ardian Doka
Recensues: Prof. Matteo Mandalà, prof. Gëzim Gurga
Botues: “Naimi”
Çmimi: 1000 lekë
“Historia e arbëreshëve nuk është vetëm një histori diaspore, lëvizjesh dhe ngulimesh, një histori mirëseardhjeje dhe futjeje në kontekstet kulturore dominuese që po përcaktoheshin herë pas here. Lëvizja e njerëzve – fillimisht e lidhur me dinamikën diasporike që shënoi ngjarjet e para historike të popullit shqiptar, pjesë të të cilit u zhvendosën nga Ballkani fqinj drejt territoreve të Italisë së Jugut, veçanërisht në Kalabri dhe Sicili – pasohet nga ajo e ideve, lëvizja e të cilave përçon imazhin e një mjedisi kulturor jashtëzakonisht të gjallë.”
Kështu shkruan në parathënien e botimit të këtij libri, autori Francesco Scalora.
“Fjala është për praktika të lidhura me fazat e ndryshme që kanë karakterizuar historinë e arbëreshëve për shekuj të tërë, për dinamika që rikthejnë rrjedhshmërinë e përvojave identitare të pjekura herë pas here dhe, në të njëjtën kohë, për implikime të thella ideologjike, politike dhe kulturore, të lidhura me rolin e fesë në ndërtimin e solidaritetit diasporik.”, vijon ai.
Ndërkohë, Scalora vëren se “Të flasësh për praninë arbëreshe në Itali pa marrë në konsideratë njëkohësisht edhe atë greke (dhe anasjelltas) do të thotë ta dënosh një kapitull të rëndësishëm në historinë e Mesdheut modern me një lexim, më së paku të mangët. Do të thotë ta keqinterpretosh realitetin shumëformësh të hapësirës kulturore në të cilën protagonistët lëvizën dhe vepruan, duke i shtrembëruar historitë e shumta që kanë gjallëruar pellgun e Mesdheut për shekuj të tërë.”
“TAKOHEMI TE LIQENI”, NJË HISTORI DASHURIE DHE NOSTALGJIE
Titulli: Takohemi te liqeni
Autorja: Carley Fortune
Përktheu: Rudina Çupi
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Dritan
Çmimi: 1400 lekë
Nga autorja e romanit “Pas asaj vere”, vjen një tjetër romancë e hedhur në qarkullim për lexuesin, “Takohemi te liqeni”.
Fern Brukbenksi ka çuar dëm një pjesë të mirë të jetës së saj si e rritur duke menduar për Uill Baksterin, artistin e ri, idealist e tërheqës, me të cilin kaloi një ditë-natë në të njëzetat e hershme, një takim i rastësishëm që përfundoi në një aventurë njëditore në qytet.
Koha ishte e papërshtatshme, por lidhja e tyre ishte e pamohueshme: ata ndanë çdo sekret, çdo ëndërr dhe bënë një marrëveshje për t’u takuar një vit më vonë.
Ferni u shfaq. Uilli nuk e bëri. Në moshën tridhjetedyvjeçare, jeta e Fernit nuk duket aspak ashtu siç e imagjinonte dikur. Në vend që të jetojë në qytet, Ferni kthehet në shtëpi, për të drejtuar resortin buzë liqenit të nënës së saj - diçka që ishte zotuar të mos e bënte kurrë. Resorti, të cilin tani e administron ish-i dashuri i saj, Xhemi, gjendet në vështirësi ekonomike dhe Ferni nuk di nga t’ia fillojë.
Ajo ka nevojë për një plan – dhe për ndihmë. Për habinë e saj, ndihma vjen në formën e Uillit, i cili mbërrin në resort nëntë vjet me vonesë, duke tërhequr një valixhe dhe me ofertën për të ndihmuar. Uilli mund të jetë i vetmi person që e kupton se çfarë po kalon Ferni. Por si mund t’i besojë ajo këtij mirazhi të veshur me kostum të shtrenjtë, i cili nuk duket aspak si djaloshi që takoi shumë vite më parë. Uilli po fsheh diçka dhe Ferni nuk është e sigurt nëse dëshiron ta mësojë se për çfarë bëhet fjalë. Por dhjetë vjet më parë, Uill Baksteri e shpëtoi Fernin. A mund të bëjë edhe ajo të njëjtën gjë për të?
“MOSHA E BRISHTË”, NJË ROMAN PËR “TË GJITHA TË MBIJETUARAT”
Titulli: Mosha e brishtë
Autore: Donatella Di Pietrantonio
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1200 lekë
Nuk ekziston një moshë, që të mos përjetojmë frikë. Jemi gjithmonë të brishtë, edhe kur jemi prindër, edhe kur jemi fëmijë, edhe atëherë kur lipset për të ndërtuar e nuk e kemi idenë as se ku do t’i hedhim themelet. Ama, ekziston një çast i saktë, kur hidhemi në botën në të cilën jemi të ekspozuar e lakuriq, ndaj bota nuk duhet të na lëndojë.
Për këtë arsye, Luçia, e cila një natë të tridhjetë viteve më parë pati shpëtuar rastësisht, vëzhgon me panik heshtjen e vajzës së saj. Atë natë në Dente del Lupo ishin të gjithë: barinjtë e Apenineve, pronarët e kampingut, gjahtarët, karabinierët. Të gjithë, me përjashtim të tri vajzave, që nuk ishin më.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Në rubrikën "Melodia e Vargut" u prezantua libri "Gravurë me ngjyrat e kohës" Ajne Ibërhysaj.
Ky libër është pasqyrimi i një bote të madhe shpirtërore dhe meditimit të thellë për atë çfarë përfaqëson në vetvete njeriu si qenie ekzistenciale. Vargu i Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat ajo i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë.
Fjala kyçe në poezinë e saj është fjala "shpirt".
Shpesh na ndodh
Shpesh na ndodh
Ta zgjedhim heshtjen
Duam ta lëmë të qetë mendjen
Në qetësi të na ëmbëlsohet dhimbja.
Ndodh që vetmia
Bëhet aq ëmbēl,
Flet aq zgjuar!
Duam ta përqafojmë,
Mërzia tretet në natën errët.
Shpesh vetja nuk na bindet
Kthehem herë në një anë, në anën tjetër!
Sytë fillojnë të na ndrijnë
Zemra i harron të gjitha ligësitë!
Nata ikën
Veç unë mbeta me ty,
Shpirt!
Erë bjeshke
Erë bjeshke të isha,
në atë qytet të vija.
T'i zgjoja ëndrrat e fjetura.
Gjithë jetën mbeta fëmijë i trazuar,
Ëndërr që ngjan me klithma zogjsh.
Brenda meje zjarri i heshtur,
Rrugët janë mbuluar me gjethe vjeshte.
Ka dritë përherë
Me krahë fluturash me vjen
Plot shend e verë
Eja në prehrin tim
Tallazet e shpirtit
M'i shuaj në agun e shpresës
Kur vetmia të pushton
Bashkë me erën do të vij.
Natën e errët do ta mund
Me jehonën e zërit tim.
Kur yjet shuhen,
Nata tokën mbulon.
Unë do ta gjej një shteg të vetëm.
Te parmaku i dritares do të vij,
Përmallshëm do të dehem me zërin tënd.