NJË HISTORI E DOKUMENTUAR E VOSKOPOJËS DHE BOTËS PËRRETH
Titulli: Voskopoja dhe bota përreth (Një histori e dokumentuar)
Autori: Pëllumb Xhufi
Shtëpia botuese: Dituria
Çmimi: 1700 lekë
Libri “Voskopoja dhe bota përreth (Një histori e dokumentuar)” i jepet lexuesit 15 vjet pas botimit të parë të titulluar Shekulli i Voskopojës. Tani, në botimin e dytë, libri është një vëllim i përpunuar thellësisht dhe i zgjeruar me materiale të shumta, që përbëjnë më tepër se 200 faqe të reja.
Pra, një studim i ri, i ndërmarrë nga historiani Pëllumb Xhufi në kuadrin e ambicies së tij profesionale për të vënë mbi baza solide shkencore historinë e një qyteti që, si rrallëherë, është shënjestruar për ta dehistorizuar e për ta kthyer në një ikonë të mitologjisë nacionaliste.
Në këtë libër, autori ka zgjeruar mjaft bazën burimore e bibliografike, falë hulumtimeve të reja të kryera në arkivat e bibliotekat e huaja. Mbi bazën e tyre rezulton johistorike e krejtësisht e trilluar mitologjia e “ishullit”, që i është mveshur Voskopojës nga historianë militantë kauzash shumëçka. Përkundrazi, historia e atij qyteti rezulton e integruar në habitatin natyral të tij, që është ai shqiptar, me larminë gjeomorfologjike, etnokulturore e fetare që e karakterizon.
Horizonte të panjohura na ka hapur sidomos fondi “Cinque Savi alla Mercanzia, Consoli dei Durazzo”, si edhe fonde të tjera të Arkivit Shtetëror të Venecies. Burimet e reja e vendosin Voskopojën në mjedisin e saj të natyrshëm, në lidhje të ngushta me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, Kavajën, Krujën, Elbasanin, Beratin, Prizrenin, Ohrin, Sajadhën, Shkupin e Siatishtën e qendra të tjera të Maqedonisë. Me tregtarë nga këto qytete, voskopojarët frekuentonin tregjet e Venecies, Raguzës, Ankonës, Triestes e më tej, të Vjenës, Budapestit e Frankfurtit.
2. “NË DORË TË FATIT”, GORAN PETROVIC PËR LEXUESIN SHQIPTAR
Titulli: Në dorë të fatit
Autori: Goran Petrovic
Përktheu: Ben Andoni
Shtëpia botuese: Dritan
Çmimi: 1500 lekë
Disa libra i kalojnë dekadat në mënyra të habitshme. Pikërisht një prej tyre, i lidhur me safian të kuq, Trashëgimia ime, nga Anastas Branica, i ra në duar Adamit, redaktorit të revistës “Bukuritë Tona”. Në pamje të parë, aty nuk ka as subjekt, as personazhe, po thjesht përshkrime. Megjithatë, është pikërisht ky fakt që e bën atë një hapësirë të vetëmjaftueshme, një botë që nuk mund të banohet nga askush tjetër veçse nga lexuesit e saj, të vetmit protagonistë të vërtetë. Adami habitet, por i rrëmbyer nga magjia e këtij universi, ai shpejt nuk arrin më të shkëputet prej tij, sepse, me kalimin e paragrafëve, shfaqen: një vajzë e re me një kapele formë-kambane, një plakë ekscentrike veshur e ngjeshur si për ndonjë udhëtim të gjatë, një kuzhiniere e shquar dhe një kopshtar tepër kurioz... Kaq shumë takime të pazakonta për Adamin, që i zbulojnë ngjashmëri të çuditshme me realitetin.
Goran Petrovic lindi në Kraljevo, Serbi. Studioi letërsinë jugosllave dhe serbe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Ai mori çmimin më të shquar në letërsinë serbe, çmimin NIN, në vitin 2000, për romanin e tij “Në dorë të fatit”. Para vdekjes punoi dhe jetoi në Beograd. Petrovic ishte anëtar i Shoqatës Letrare Serbe, Qendrës Serbe PEN dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.
3. FAIK KONICA NË SHTYPIN FRANKOFON, ANGLOFON DHE ITALOFON
Titulli: Faik Konica në shtypin e shkruar frankofon, anglofon dhe italofon të kohës (1899-1942)
Autori: Aurenc Bebja
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 700 lekë
Faik Konica, lindi më 15 mars 1875 në Konicë dhe vdiq me 15 dhjetor 1942 në Uashington.
Shkrimtar, publicist, përkthyes, studiues, dramaturg, adhurues i Ëolfgang Amadeus Mozart, politikan dhe diplomat i shquar, i njohur me pseudonimet e ndryshme si Thrank Spirobeg apo Pyrrhus Bardyli, shtypi i shkruar frankofon, anglofon dhe italofon i kohës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprimtarisë së tij ndër vite.
Njeri me “talent të jashtëzakonshëm” dhe “njohuri të larta” — sipas ‘Il Popolo Romano’ (1920) apo njeri me “sens të mrekullueshëm humori” dhe “me aftësi të shkëlqyera të të shprehurit” — sipas revistës amerikane The Judge (1938), ai qe një avokat i denjë i mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare në Perëndim.
Ky libër dokumenton dhjetëra shkrime të përmbledhura në shtypin e shkruar të kohës, ku secili mbart faqen, datën, ditën, vitin e botimit dhe emrin e gazetës apo revistës.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" emri më i shquar e i nderuar i letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Vepra e tij është e përkthyer në mbi 40 gjuhë. I vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare, gjithashtu mjaft herë kandidat për çmimin nobël.
Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Studimet e larta për gjuhë letërsi i kreu në Tiranë. Ka studiuar edhe 2 vite në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki".
Nisi të shkruajë vargje që në moshë të re, fillimisht u bë i njohur pikërisht me poezinë për të vazhduar më pas në prozê suksesin e tij në të gjithë botën duke u bërë figura qëndrore letrare që përfaqëson vendin tonë në botë. Më poshtë dy poezi mjaft të njohura ku dashuria, malli, nostalgjia dhe melankolia ndërthuren pa zgjidhje.
E para, Kristal, vargje të mrekullueshme të ndarjes që nuk përqafohet dot me harresën.
Kristal
Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj unë dalëngadalë
si vdes tek unë kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë poshtë e lart
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë.
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
të gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.
Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth e t'ik pa kthim
dhe nuk do dimë as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim
Të huaj jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën, kur i lodhur truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg e futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.
Pastaj si në rrugica parqesh,
Shëtit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Po kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta,
Nga shtegu, që veç ti e di.
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë,
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare.
Komente
