‘Në librari’/ Nobelisti Fosse për herë të parë në shqip! Suad Arilla, emigrimi dhe identiteti në ‘Zanafillë’! Studimi/ Nga Gjergo te Rama, ‘Realizmi socialist’ në dy kohë!

24 Dhjetor 2023, 16:35| Përditesimi: 24 Dhjetor 2023, 16:56

  • Share

Është konsideruar si porta më e mirë drejt krijimtarisë së Jon Fosse. Me triologjinë “Pagjumësi”, “Ëndërr e Olafit” dhe “Rraskapitje” shtëpia botuese “Aleph” sjell për herë të parë në shqip shkrimtarin dhe dramaturgun norvegjez, nobelistin e letërsisë për këtë vit. Është një përrallë moderne që të shpie përmes një gjuhe të butë e rrëfimi mistik në rrugët e Bjorgvinit ku Asle dhe Alida enden prej ditësh... Ajo me barkun e tendosur e ai me një kuti violine mbi supe, ndonëse në moshë fare të re përballen të pafuqishëm me mizorinë e përbuzjes, ndërsa kërkojnë të ndërtojnë një jetë të re. Tek “Ëndërr e Olafit” me një gjuhë provokuese e poetike, autori heton mbi fantazmat e të shkuarës, mbi të cilat u ndërtua kjo marrëdhënie. Përballja me të kaluarën mund të bëhet fatale deri në “Rraskapitje” e përmes vajzës së Alidës, Ales, lexuesi kupton se si bashkëshortët e rinj, thyen kanonet ligjore e morale,  në emër të dashurisë.

Titulli: “Triologji/Pagjumësi/Ëndërr e Olafit/ Rraskapitje ”

Autor: Jon Fosse

Shtëpia Botuese: Aleph

Çmimi: 1200 lekë

Prej debutimit të tij si autor me “Librin e kujtimeve dhe harresës”, fitues të fondit të krijimtarisë letrare për të rinj, Suad Arilla u pikas si një nga talentet e reja që pasuron letërsinë bashkëkohore vendase. Stili i tij unik i të rrëfyerit, sa artistik edhe hulumtues në botën psikologjike e shpirtërore të personazhit, ku e ngjyen penën në realitet e më pas e tërheq lexuesin në një botë paralele, ku fizikja gati zhduket, shpaloset edhe në librit e tij të dytë “Zanafilla”. Historia e emigracionit është vetëm paradhoma, ku autori pasi rikthen personazhin në vendlindje e përball me vende, njerëz, ndjesi dikur të jetuara, por me në mes vitet dhe distancën, janë bërë të largëta...

Titulli: “Zanafilla”

Autor: Suad Arilla

Shtëpia Botuese: Albas

Çmimi: 750 lekë

Studimi më i fundit i Ermir Hoxhës, është një ballafaqim në dy kohë mbi "Realizmin Socialist në stil shqiptar". Në pjesën e parë të librit, historiani i artit në vazhdën e botimeve të tij të mëhershme ndalet në një nga periudhat më të diskutueshme dhe më pak të hulumtuara deri më sot, vitet '69-73, që shënuan dhe të ashtuquajturën periudhë e liberalizimit, me protagonistë emra si Edison Gjergo apo Janaq Paço që përshkuan labirintet e modernitetit. Në kreun e dytë që prek trashëgiminë komuniste pas viteve '90, shpalosen reflektimet mbi veprat e një sërë artistësh si Anri Sala,  Edi Mukës apo edhe instalacionin e bunkerit me lecka të Edi Ramës, që kryeministri realizoi  në atë kohë në Paris. Hoxha, veprën për të cilën vetë Rama, flet pak, e konsideron , si simbol i patologjisë së izolimit komunist. Ndërkaq shton më tej se në imazhet e veprave të tij të mëvonshme, trashëgimia totalitare nuk zuri më vend.

Titulli: “Realizmi Socialist në stil shqiptar”

Autor: Ermir Hoxha

Shtëpia Botuese: Ëest Print

Çmimi: 2000 lekë

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?