‘Në Librari’/ Si nisën mjeshtrat e hershëm fotografinë, mes 15 portreteve dhe Parashqevia! Luigj Gurakuqi dhe dorëshkrimet pas vdekjes, babë e bir në një botim

21 Janar, 08:45| Përditesimi: 21 Janar, 09:00

  • Share

Titulli: “Mjeshtra të hershëm të fotografisë shqiptare”

Autor: Qerim Vrioni

Shtëpia Botuese: West Print

Çmimi: 700 lekë

Studiues i fotografisë, fotograf dhe publicist, Qerim Vrioni sjell në një botim “Mjeshtra të hershëm të fotografisë shqiptare” . Mbi dy dekada më parë, ai nis të hulumtojë mbi jetët dhe punën e tyre, duke i prezantuar përmes artikujsh ndër vite 15 portrete të jashtëzakonshëm, të shekujve XIX-XX. Nga papa Jani Zengo, prifti fotograf dardhar, te Thimi Raci mjeshtri me studio fotografike në fshat, i fundmi i Marubëve, fotografi Gegë dhe natyrisht ‘Zonja’ e fotografisë Parashqevi Sahatçi, gjithashtu edhe koleksionistë, pas këtyre mjeshtërve ka histori njerëzore që Vrioni zbulon.

Titulli: “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”

Autorë: Luigj & Nikolin Gurakuqi

Shtëpia Botuese: Enja

Çmimi: 1000 lekë

At e bir, të dy “Mjeshtra të mëdhenj” të artit skenik, Nikolini nxënës i Lugji Gurakuqit bëhen bashkë në një botim. “ Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor” sjell eksperiencën e njohuritë e tyre mbi gininë e operas. Dorëshkrimet e artistit të madh të Operas Luigj Gurakuqit do të gjendeshin nga i biri 17 vjet më parë, pak para ndarjes së tij nga jeta. Prej aty përvojës së të atit , të formuar në Moskë, që ka vënë si regjisor në Teatrin e Operas dhjetëra vepra të huaja e shqiptare, pedagog i shumë artistëve të njohur, i shtohen njohuritë dhe eksperienca e të birit, gjithashtu protagonist në teatrin muzikor vendas,  që sjell qasjen e tij për aktrimin e kënduar.

Titulli: “Sfilatë mode për Koletën”

Autore: Elisabetta Dami

Shtëpia Botuese: Pegi

Çmimi: 500 lekë

Ato janë gjashtë mikesha për kokë, të apasionuara pas misterit, aventurës, por edhe modës. Çdo të hënë në mbrëmje  grupi i “Tea sisters” shikojnë së bashku emisionin e tyre të preferuar “Fashion Projekt”, dhe në fund sezoni mësojnë që edhe ato përmes një konkursi mund të bëhen pjesë e tij. Gara është e hapur për ndjekësit që duan ti propozojnë një look këngëtares Viktoria Miushëz dhe vajzat bëjnë maksimumin. Kur përgjigja vonon dhe mendojnë se looku i tyre nuk është pëlqyer, vjen një email që u njofton fitoren. Ky është vetëm fillimi i një aventure televizive për kolegjialet e Miushfordit, që do të pasojë me shumë të tjera.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?