Titulli: “Kokë e këmbë në dashuri”
Autor: Tessa Bailey
Shtëpia Botuese: “Pegi”
Çmimi: 1200 lekë
Autorja bestseller Tessa Bailey e nis komedinë romantike “Kokë e këmbë në dashuri”, me bisedat miqësore në chat të Hanës dhe Foks. E para, ndonëse punon në një kompani filmike, është një vajzë që ka zgjedhur ngaherë të qëndrojë ‘në radhët e fundit’ pa rënë në sy, e gatshme të ndihmojë të tjerët, Ndërsa tjetri një peshkatar ‘kazanova’ joshës. Por, si do të kryqëzohen rrugët e të dyve, ndërsa Hana, edhe përmes këshillave të mikut të saj të ngushtë, do të përpiqet t’i fitojë zemrën kolegut të saj.
Titulli: “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”
Autor: Primo Levi
Shtëpia Botuese: “Dukagjini”
Çmimi: 8 euro
Është libri i fundit i publikuar, që Primo Levi la pas, një vit para vdekjes plot dritëhije në 1987-ën i sjellë në shqip nga Aida Baro. “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” shkrimtari italian, e shkroi 4 dekada pas “A është vallë njeri”dhe analizon në të tragjedinë e kampeve naziste që përjetoi në vet të parë, rolin e viktimave dhe dhunuesve, rëndësinë e të dëshmuarit atë që ndodhi dhe rrezikun e shtrembërimit apo mohimit të asaj holokaustit.
Titulli: “Tingulli magjik”
Autor: Abigela Voshtina
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 800 lekë
Violiniste dhe drejtore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigela Voshtina njeh vogëlushët me botën magjike të operës duke i joshur përmes kryeveprës moxartiane “Flauti magjik”. Ajo zbulon gradualisht para lexuesve botën e artit klasik, duke e konkretizuar edhe përmes situatave e personazheve realë të Teatrit tonë që i sjell me humor përmes pseudonimeve.