Rubrika “Në Librari” përgatitur nga gazetarja Anila Dedaj vjen këtë fundjavë me tre tituj të rinj.
Titulli: “E vetmja grua në dhomë”
Autor: Marie Benedict
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1200 lekë
Një ikonë historike e bukurisë, që frymëzoi figurën e Borëbardhës. Historia e Hejdi Lamar zë fill në Vjenën e fillim viteve ’30 në një familje të pasur hebreje. Por ,pamja mbresëlënëse e aktores do të ishte thikë me dy presa, nga njëra anë e mbron nga nazistët, nga ana tjetër e shpie në një martesë të trazuar me trafikantin e armëve të Hitlerit dhe Musolinit. Libri “E vetmja grua në dhomë” i sjellë në shqip nga Maniela Sota, rrëfen aspektet pak të njohura të divës së Hollywoodit, si një shkencëtare e aftë për të zhvilluar teknologjinë pa tel që mund t’i jepte fund luftës.
Titulli: “City spies”
Autor: James Ponti
Shtëpia Botuese: “Dituria
Çmimi: 1000 lekë
Ata janë 5 të rinj me dhunti të veçanta dhe alfa i skuadrës i quajtur ‘Mama’. Secili prej tyre mbart një histori sfiduese personale dhe bashkohen në një mision të përbashkët, duke qenë agjentë sekretë të jetës reale. Bestselleri ‘City spies’ i autorit James Ponti, fitues i çmimit ‘Edgar’ vjen në shqip në dy vëllime nga Oriana Tamburi, duke mbajtur të mbërthyer lexuesit e rinj me aventurë, mister dhe mesazhe të forta për jetën.
Titulli: “Kjo është dashuria”
Autor: Baxhul Merkaj
Shtëpia Botuese: “Edlora”
Çmimi: 1000 lekë
Rrënjët nga Lapardhaja e Vlorës, jetën, njerëzit e tij Baxhul Merkaj i evidenton edhe në botimin e tij “Kjo është dashuria”. Një jetë e lidhur me artin e kulturën që në Liceun Artistik ku mori medaljen e artë, apo në Akademinë e Arteve ku në provimin e mjeshtërisë rolin e Zenelit te “Pas vdekjes” e performon me veshjen që Kadri Roshi e luajti në skenë. Sot në të 80-tat, publicisti Baxhul Merkaj mik i ‘ikonave’ shqiptare sjell në këtë botim imazhet e artistëve nga takimet e tij në paskuinta; Nga Drita Pelinku që i tregon albumet e roleve dhe një tufë lulesh të freskëta mbi to nga Naim Frashri, biseda me ‘zonjën e madhe’ Margarita Xhepën e të tjera diva të artit skenik, që rrëfejnë edhe mbresat mbi shkrimet e Merkajt, apo intervista e tij e tretë me Ibrahim Kodrën në vitin 2003.