Kultura

‘Në Librari’ vjen me 3 tituj: ‘Jo thjesht rastësi’, ‘Çështja jugore’ e ‘Portokallishtja’! Dy poezi te ‘Melodia e Vargut’

16 Shkurt, 07:26| Përditesimi: 16 Shkurt, 12:34

  • Share

Tre tituj të rinj vijnë për lexuesit në rubrikën ‘Në Librari’ në Report TV bashkë me rubrikën “Melodia e Vargut”.

NJË ROMANCË MBI FUQINË E FATIT DHE RASTËSITË FATLUME

Titulli: Jo thjesht rastësi

Autori: Rebecca Yarros

Përktheu: Vjola Aliaj

Gjinia: Roman

Shtëpia botuese: Pegi

Çmimi: 1200 lekë

Një romancë e magjishme mbi fuqinë e fatit dhe rastësitë fatlume, që të ndryshojnë jetën njëherë e përgjithmonë. Kur Izi Astori i hipën avionit, pret dyndjen, zhurmën dhe mërzinë e zakonshme. Mirëpo kur i afrohet ndenjëses së saj, djaloshi i ulur aty nuk është aspak fqinji i bezdisshëm që kishte përfytyruar. Nejt Filëni, me flokë të zinj dhe sy të kaltër, ka një sharm të parezistueshëm: tërheqja mes dy të rinjve është fatale.

Por rastësia nuk është vetëm fatlume: pak minuta pas ngritjes në fluturim, avioni rrëzohet dhe nga ky çast, jeta e tyre ndryshon rrënjësisht. Kthesat e fatit nuk vonojnë ti vënë në sprovë. Nejtit i duhet ti futet karrierës ushtarake në misione të largëta lufte, ndërsa Izi, politikës. Ndonëse përpiqen ta mbajnë gjallë lidhjen përgjatë viteve, e kanë shumë të vështirë të takohen. Duket se për të dy, tjetri është njeriu i duhur, por kurrë çasti i përshtatshëm.

Derisa të dy do të ritakohen në një mision lufte në Afganistan, ku Nejti do të bëjë çmos që asaj të mos i hyjë gjemb në këmbë. Dhe do të bëjë çmos që ti fitojë zemrën sërish.

Në këtë roman bëhen një ngjarjet e aktualitetit, aventurat emocionuese dhe romanca. Duke alternuar narratorët e romanit dhe linjat kohore, Yarros-i eksploron tmerret e luftës dhe pasojat e përvojave traumatike.

Personazhet e saj origjinalë janë njëkohësisht të fortë dhe të pambrojtur dhe historia e tyre plot pasion, por asnjëherë e sigurt nëse do të përfundojnë bashkë apo jo, godet në shenjë duke i rrëmbyer zemrën lexuesve.

“ÇËSHTJA JUGORE” E ANTONIO GRAMSCI-T, PËR LEXUESIT NË SHQIP

Titulli: Çështja jugore

Autori: Antonio Gramsci

Përktheu: Alfred Bushi

Gjinia: Ese

Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe

Çmimi: 500 lekë

Ndryshimet që kanë ndodhur në dekadat e fundit as nuk e kanë eliminuar dhe as nuk e kanë shpërbërë çështjen jugore, e cila mbetet një nga kontradiktat qendrore të shoqërisë italiane. Në fakt, prej saj burojnë të njëjtat vështirësi që has zhvillimi ekonomik i vendit, pamundësia për të gjetur punë dhe punësimi në nivele moderne për punëtorët e jugut, shpërdorimi i energjisë intelektuale, rënia e bujqësisë.

Kjo e bën edhe më të qartë rëndësinë e këtyre shkrimeve, në të cilat Gramsci shtron çështjen jugore si një problem që prek drejtpërdrejt përgjegjësitë dhe vetë strukturën e shtetit.

Filozof, politikan, gazetar dhe teoricien marksist italian, një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Italisë në vitin 1921, Antonio Gramsci është lindur në Ales të Sardenjës, Gramsci u shqua për analizën e tij të thellë të shoqërisë, kulturës dhe pushtetit, duke zhvilluar koncepte kyçe si hegjemonia kulturore. Sipas tij, klasa sunduese nuk imponohet vetëm përmes kontrollit politik dhe ekonomik, por edhe përmes përhapjes së një vizioni të botës që bëhet “normal” dhe i përbashkët nga shoqëria.

I arrestuar nga regjimi fashist në vitin 1926, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në burg, ku shkroi “Quaderni del carcere”, vepra themelore për teorinë dhe filozofinë politike bashkëkohore. Në to trajtonte çështje që lidhen me kulturën, arsimin, filozofinë e praktikës dhe strukturën e shoqërisë.

Mendimi i Gramscit ka ndikuar thellësisht marksizmin perëndimor, teorinë kritike, studimet kulturore dhe shkencat sociale dhe ka mbetur një pikë referimi për intelektualët dhe lëvizjet politike në mbarë botën.

“PORTOKALLISHTJA”, NJË ROMAN REFLEKTIMI MBI PASOJAT E LUFTËS

Titulli: Portokallishtja

Autori: Larry Tremblay

Përktheu: Vladimir Bako

Gjinia: Roman

Shtëpia botuese: Dritan

Çmimi: 700 lekë

Vëllezërit binjakë Amed dhe Aziz jetojnë në hijen e qetë të portokallishtes së familjes së tyre. Po lufta që godet vendin ua ndryshon jetën përgjithmonë, kur një bombë vret gjyshërit e djemve. Gjaku duhet të shpaguhet me gjak. Dhe për të marrë hak për vdekjen e gjyshërve, një vëlla duhet të ofrojë sakrificën e mbrame.

Vite më vonë, binjakut të mbijetuar – tashmë student i artit dramatik në Montreal – i jepet një rol që e detyron të përballet me të shkuarën. Autori Larry Tremblay, vetë aktor dhe regjisor, shtron pyetjen e vështirë: a mundet arti ta trajtojë në mënyrë të përshtatshme vuajtjen? Aktual dhe i pakohë, romani “Portokallishtja” përshkruan trashëgiminë e tmerrshme të luftës dhe pasojat e saj.

Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha

Këtë të diel, në muajin e festës së të dashuruarve, rubrika "Melodia e Vargut" shoqërohet nga dy poezi dashurie.

E para, e poetit dhe skenaristit të njohur francez Jacques Prevert, titullohet: "Tri shkrepëse"

Tri shkrepëse të ndezura

Njëra pas tjetrës në errësirë.

E para për të parë

Fytyrën tënde,

E dyta për të parë

Sytë e tu,

E fundit për të parë

Gojën tënde.

Dhe pastaj

Errësirë e plotë për t'i kujtuar të gjitha këto

Teksa fort të shtrëngoj në krahët e mi.

Poezia e dytë titullohet: "Të dua", autor Andi Bejtja.

Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur

dhe shtrati i djersitur ngjan me një re,

me duart që të dridhen me sytë e një fëmije

papritur ti më pyet, “a ka të tjerë si ne?”.

 

Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet

hëna plasaritet, nuk fryn më as erë

me muskuj të tendosur në pritje të një britme

sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne?!”

 

Të dua, të dua, të dua – unë kaq di

të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti

 

Loti yt rrokulliset dhe zbret në gjoksin tim

ne botën nuk e njohim, parajsën ne e dimë

akrepat po lëvizin, toka rrotullohet

hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…

 

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di

sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.

 

Dhe ndjej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur

shtrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë

me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur

tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”.

 

Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet

hëna plasaritet, nuk fryn më as erë

me muskuj të tendosur, në pritje të një britme

sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne?”.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?