“DEPRESIONI KUQ E ZI”, LIBRI PUBLICISTIK I LEONARD VEIZIT
Titulli: Depresioni Kuq e Zi
Autori: Leonard Veizi
Redaktore: Orjona Tresa
Kategoria: Publicistikë satirike
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 1000 lekë
Me profesion gazetar, Leonard Veizi është i njohur për publikun shqiptar edhe si prozator me veprat e tij për më se tre dekadash: tregime, novela dhe romane. Vepra e tij e fundit, “Depresioni Kuq e Zi” i përket gjinisë së publicistikës dhe vjen pas botimit të veprës tjetër të tij me publicistikë, “Depresioni blu”.
“Duke jetuar çdo ditë mes shqiptarësh dhe duke bërë vëzhguesin - një mundësi që herë ta jep profesioni i gazetarit dhe herë jo, varet në çfarë këndvështrimi sheh, më binin vazhdimisht në sy e në vesh, por edhe i ndjeja në lëkurë, plot vese e virtyte të njerëzve që na shoqërojnë në udhëtimin tonë të përditshëm, herë në punë e herë në kafene. Por për virtytet e shqiptarit është folur sa mund të mbushësh dy biblioteka me libra. Për veset është folur më pak. Dhe vese kemi kaq shumë, sa është mëkat të mos i evidentosh e t’i ngresh në piedestal, sepse kështu ua kuptojmë më mirë vlerat.”,- shkruan autori Veizi në parathënien e librit të botuar së fundmi.
Por pse autori e quan këtë libër “Depresioni Kuq e Zi” dhe pse ky vëllim me publicistikë satirike është pagëzuar me këtë emër e në raport me të çfarë përmban libri i tij i mëparshëm “Depresioni Blu”?
Në këtë vëllim janë përzgjedhur 86 tituj, të ndara në tre pjesë, një lloj “triptiku”, me një të ndërmjetme në mes, të cilën pa frikë autori e quan edhe si një “intermexo”.
“NJË DETAJ DYTËSOR” NGA AUTORJA PALESTINEZE ADANIA SHIBLI
Titulli: Një detaj dytësor
Autori: Adania Shibli
Përktheu: Isa Memishi
Redaktore: Arlinda Dudaj
Kategoria: Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1000 lekë
“Nuk ka kuptim që të ndiej përgjegjësi për të, për një të panjohur, që do të mbetet e tillë dhe zëri i së cilës nuk do të dëgjohet kurrë nga askush”. Kjo histori fillon gjatë verës së vitit 1949, një vit pas luftës që palestinezët e quajnë Nakba, katastrofa, që pati si pasojë eksodin dhe dëbimin e mbi 700.000 njerëzve.
Disa ushtarë izraelitë sulmojnë një grup beduinësh në shkretëtirën e Negev-it, duke i vrarë të gjithë, përveç një adoleshenteje që mbetet gjallë, por kapet robinë, përdhunohet, vritet dhe varroset në rërë. Shumë vite më vonë, në ditët tona, një grua nga Ramallahu përpiqet të deshifrojë disa detaje që shënjojnë atë vrasje. Ajo tronditet nga ai krim e jo vetëm për shkak të mizorisë së aktit, por sepse është kryer saktësisht njëzet e pesë vjet para ditës së lindjes së saj.
“Adania Shibli ka vënë një bast të madh, duke ia besuar çelësin për të depërtuar në ngjarjen qendrore të romanit të saj – përdhunimin dhe vrasjen e një vajze të re beduine – dy rrëfyesve thellësisht egocentrikë: një psikopati izraelit dhe një detektiveje amatore palestineze që ka shumë pak lidhje me realitetin. Por ajo e fiton bastin e saj, kur romani na shpie drejt një përfundimi që të lë pa frymë”, - është shprehur J. M. Coetzee, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë
Adania Shibli ka lindur në vitin 1974 në Palestinë. Është autore romanesh, tregimesh, veprash teatrale dhe esesh. Romani “Një detaj dytësor” ishte finalist për “National Booker Prize” në vitin 2021.
“ROMAN NATYRAL” I GEORGI GOSPODINOV RIKTHEHET PËR LEXUESIN
Titulli: Roman natyral
Autori: Georgi Gospodinov
Përktheu: Janka Selimi
Redaktore: Kleopatra Koleka
Kategoria: Roman
Shtëpia botuese: Papirus
Çmimi: 800 lekë
Jeta e një burri papritur merr tatëpjetën. Ai përpiqet të rrëfejë historinë e tij, por ajo vazhdimisht i rrëshqet dhe kthehet në historinë natyrale për ËC-të, për mizën , bletët etj. Jeta e tij përqaset në mënyrë misterioze me fatin e dy personazheve të tjerë - të redaktorit (me të njetjtën mbiemër si të tij) dhe kopshtarit të çmendur. Kur historia personale e njeriut shkatërrohet, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëhet mbledhës historish të huaja dhe të kthehet në pjesë të tyre.
“Roman natyral” është një roman i pazakontë: i drejtpërdrejtë, tronditës, ironik. Pas një ndarjeje të dhimbshme dhe lajmit se gruaja e tij pret një fëmijë nga një tjetër, një burrë përpiqet të rindërtojë jetën dhe veten përmes shkrimit. Por si mund të tregohet një histori personale, kur ajo vetë është e patregueshme?
“Roman natyral” është një rrëfim i çuditshëm dhe i çiltër, ku bashkëjetojnë dashuria, braktisja, humori absurd dhe kujtimet më intime. Një burrë që bëhet endacak për të shkruar për një endacak. Një botë e parë nga sytë e mizave. Një histori tualetesh që bëhen vende lirie në diktaturë.
Një roman që sfidon rregullat e rrëfimit dhe na kujton se bukuria qëndron te dyshimi. Autori shkruan: “Do të doja që të thuhej: Ky roman është i bukur sepse është i thurur me dyshime.”
MELODIA E VARGUT nga Sonila Strakosha
Vilson Blloshmi u lind më 18 mars 1948 në fshatin Bërzeshtë në rrethin e Librazhdit. U shkollua në Elbasan; pas përfundimit të studimeve në vitin 1966 edhe pas kërkesave të vazhdueshme, autoritetet arsimore të kohës nuk e lejuan të punonte si mësues për shkak të prejardhjes së familjes së tij dhe pikëpamjeve e qëndrimeve të cilat ishin në kundërshtim me regjimin dhe ideologjinë e kohës.
Vilson Blloshmi, edhe pse në kushte të vështira, zhvilloi një kulturë të gjerë letrare dhe një mjeshtëri të spikatur poetike. Ai përktheu nga frengjishtja shumë autorë të njohur. Këto përkthime dëshmojnë njohjen e thellë të letërsisë evropiane moderne.por njëkohësisht patën ndikim e lanë gjurmë edhe në krijimtarinë e tij.
U arrestua ne vitin 1976 dhe për disa kohë u mbajt në izolim. U dënua më pas me akuzën "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor".
Krijimtaria e tij u cilësua reaksionare, e veshur nga trishtimi dhe pesimizmi dhe në kundërshtim me ideologjinë e kohës.
U pushkatua më 17 korrik 1977 së bashku me poetin Genc Leka. Ishte vetëm 29 vjeç.
Pas rënies së sistemit diktatorial, u nderua me titujt Martir i Demokracisë, Mësues i Popullit dhe Nderi i Kombit.
Kam zgjedhur të lexoj sot vargjet me titull: "Jehonë vjeshte" shkruar më 1974. Një ndër poezitë e tij më të njohura. Hera herës krijon ndjesi heshtjeje dhe reflektimi. Përveç bukurisë dhe fuqisë së vargut, kjo poezi ngulitet thellë në mendje edhe sepse nuk është vetëm një përshkrim natyre por dhe një shprehje e emocionit të njeriut përballë ndryshimit. Pra nuk janë thjesht vargje dedikuar vjeshtës por njëkohësisht edhe gjendjes shpirtërore të autorit. Aty lexohen qartë notat pesimiste për jetën e cila shkon rrethuar nga ngjyra e tinguj, siç i sheh e vlerëson Blloshmi, të trishtë.
Jehonë vjeshte
Ja vjeshta që gjithçka përreth e zverdh,
– erdh.
Erdh dhe po hedh ngadalë mbi botën mbarë,
– ar.
Lejlekët ikin, vajtojnë mbi pyll të shkretë,
– retë.
Dhe pyllit pellgjet tashmë janë mbushur plot,
– lot.
Dhe qielli i nxirë që përmbi tokë pështyn,
– shtyn
Vjeshtën, dhe kjo e zhveshur kur gjithçka vdes, humbet,
– mbet
Me zemrën mijëra fletë që kur acari ngriu,
– griu.
Prandaj vjeshtë ti na lajmëron përherë,
– erë.
E di, e di, i rëndë është ky ogur
– gur
Të ndiej, të ndiej tek ikën tatëpjetë
– jetë.
Komente
