“KOHË TË KËQIJA”, MARIO VARGAS LLOSA E MORALITETI POLITIK
Titulli: Kohë të këqija
Autor: Mario Vargas Llosa
Përktheu: Bashkim Shehu
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1400 Lekë
A mundet që një lajm i rremë të shënjojë fatin e një kontinenti? Kjo është pikërisht ajo që beson një industrialist i pasur në para e mbështetje politike dhe një marketer i paskrupullt. Së bashku do t’i hapin rrugën ngjarjeve, të cilat do të shkaktojnë në 1954, grushtin famëkeq të shtetit në Guatemalë, të mbështetur nga CIA. Po kur në piedestalin e historisë ngjitet ajo, Marta, ekscentrike dhe një bukuroshe e apasionuar pas politikanëve në përgjithësi dhe e diktatorëve në veçanti, kuptojmë se mund të ndodhë çdo gjë, edhe atëherë kur mendojmë se e dimë sesi do të përfundojë gjithçka.
Mario Vargas Llosa ka shkruar një libër që flet për të shkuarën por me një aktualitet të paimagjinueshëm. Me këtë roman ai rikthehet tek atmosfera dhe personazhet që e kanë bërë të famshëm në gjithë botën. Te “Kohë të këqija” faktet historike gërshetohen me trillimin letrar: kjo është e vërteta e një romani të madh që çmonton dhe zbulon gënjeshtrat e propagandës.
Mario Vargas Llosa u lind më 1936 në Arequipa të Perusë. Romanet e tij më të njohur janë: “Qyteti dhe qentë”, “Bisedë në katedrale”, “Pantalemoni dhe vizitorët”, “Teze Julia dhe shkresaxhiu”, “Lufta e fundit të botës”, “Historia e Maitës”, “Kush e vrau Palomino Moleron?”, “Orgjia e përjetshme”, “Kohë të vështira etj”. Këto dhe veprat e tjera të shkruara prej tij e kanë bërë shkrimtarin peruan të fitonte një Çmim Nobel shumë të merituar.
Në shqip nga Shtëpia Botuese Dudaj kanë ardhur edhe: “Shtëpia e gjelbër” dhe pritet të vijnë: “Teze Julia dhe shkresaxhiu”, “Lufta e fundit të botës”.
KUZHINA TURKE ME RECETA SHEKULLORE PËR SHQIPTARËT
Titulli: Kuzhina turke me receta shekullore
Autori: Të ndryshëm
Përkthyen: Holger Protopapa, Verzana Nikshiqi, Evans Drishti
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 7000 lekë
“Kuzhina Turke me Receta Shekullore” është një libër i ideuar nga Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan dhe botuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Turqisë. Ai sjell traditën e pasur të kulinarisë turke, i cilësuar si thesar. Kuzhina turke është shumë e pasur falë edhe kulturave të ndryshme me të cilat ka rënë në kontakt dhe njëkohësisht është pasqyrim i identitetit kombëtar turk. Sofra turke mbetet edhe sot e kësaj dite një nga mjetet më të fuqishme të komunikimit. Në këtë libër nuk ndahen vetëm receta gatimi por edhe urtësia e një kuzhine të shëndetshme, duke nisur që nga gatimi deri te konservimi i ushqimit.
FABIO SURACI PËR HERË TË PARË NË SHQIP ME HISTORI DASHURIE
Titulli: Vera që më mësoi të dashuroj
Autori: Fabio Suraci
Përktheu: Tea Metani
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1200 lekë
Shpresa për një jetë më të mirë është e vetmja gjë që na shtyn të ecim përpara. Këtë e di mirë Danieli, i cili në çastin më të errët të jetës, kapet fort pas kësaj shprese për të mos u rrëzuar. Takimi me Lilin, një vajzë me shpirt të pastër si askush tjetër që kishte njohur më parë, e bën të kuptojë se e ardhmja mund të jetë e ndritshme dhe ia vlen të përpiqet për të, sidomos kur ka pranë dashurinë. Por Lili është sa e pastër, aq edhe e mistershme, sepse fsheh një sekret që shpjegon pse Danieli nuk e ka dëgjuar kurrë zërin e saj.
Kjo është historia në romanin “Vera që më mësoi të dashuroj” të Fabio Suraçit, që vjen për herë të parë në shqip.
Me një stil të ndjeshëm, poetik dhe realist, autori nuk përpiqet ta idealizojë dashurinë, por e paraqet atë me gjithë brishtësinë, frikën dhe bukurinë e saj të vërtetë.
Gjuha e tij është e thjeshtë, por përcjell emocion. Dialogët në roman janë të sinqertë dhe të jetuar, ndërsa përshkrimet sjellin atmosferën e verës si një metaforë e ngrohtësisë që zgjon zemrat e lënduara.
Personazhi kryesor është Danieli, një djalë i ri, i cili i mbërthyer nga e kaluara jo e mirë dhe i zhgënjyer nga dashuria e mëparshme, është mbyllur në vetvete. Pa e kuptuar gjendet i ndarë nga bota përreth, i vetmuar, ka humbur besimin në vetvete. Dhimbja dhe vetmia janë bërë pjesë e përditshmërisë së tij dhe ai nuk shpreson më për asgjë të bukur përreth.
Por gjithçka ndryshon kur, në një ditë të nxehtë vere, në jetën e tij befas shfaqet Lili.
Në thelb, ky roman është një letër dashurie për vetë jetën. Ai na mëson se sado e errët të jetë rruga jonë, gjithmonë mund të vijë dikush që me ndjeshmërinë e tij të na ndihmojë të ringrihemi. Dashuria, kur është e pastër dhe e sinqertë, bëhet udhërrëfyesja e jetës sonë.
Melodia e Vargut
SONILA STRAKOSHA
Ernest Koliqi
Ernest Koliqi ka qenë poet, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i njohur shqiptar. U lind në Shkodër më 1903. Aty mori edhe mësimet e para. U transferua në Itali për të studiuar në Bresha dhe më pas në Universitetin e Padovës.Vepra e tij ka qënë e ndaluar gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Ka përkthyer në shqip vepra të shkrimtarëve të mëdhenj italianë, si Alighieri, Petrarca, Torquato Tasso, Giuseppe Parini, Alessandro Manzoni etj.
Konsiderohet së bashku me Mitrush Kutelin themelues i prozës moderne shqiptare. "Melodia e Vargut" sjell një poezi të tij dedikuar vendlindjes. Vargje me përjetime e përshkrime të gjalla, të buta, të ëmbla ku ndihet qartë dashuria e tij për Shkodrën.
Shkodra në mëngjese
Këndojnë bashkë në mëngjese pesë kumbonare,
këndojnë në ajri mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllën kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Përhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
Komente
