UDHËTIM ARTISTIK NË RRUGICAT DHE NDËRTESAT E GJIROKASTRËS
Titulli: Në Gjirokastër (Duke u ngjitur dhe skicuar)
Autori: Andi Papastefani
Përkthimi: Alina Karaulli
Kopertina: Xhoan Guga, Andi Papastefani
Shtëpia botuese: Gent Grafik
Çmimi: 2400 lekë
Ky botim është një udhëtim artistik dhe reflektues nëpër rrugicat, kodrat dhe ndërtesat karakteristike të qytetit të Gjirokastrës – një qytet i mbrojtur nga UNESCO për arkitekturën e tij unike dhe historinë e pasur. Autori kombinon ngjitjen fizike në terrenin e pjerrët të qytetit me procesin krijues të skicimit, duke sjellë një ndërthurje të veçantë mes përjetimit vizual dhe dokumentimit artistik.
Libri është një ftesë për të parë Gjirokastrën jo vetëm si një qytet historik, por edhe si një frymëzim për krijimtarinë dhe reflektimin estetik. Ai u drejtohet lexuesve, artistëve dhe udhëtarëve që duan të shohin qytetin me sy të rinj.
RRËFIM PËR RIVENDOSJEN E RAPORTEVE DIPLOMATIKE SHQIPËRI-SHBA
Titulli: Hapja e perdes së hekurt (Historia e patreguar e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–SHBA)
Autori: Ilia Zhulati
Shtëpia botuese: M&B
Çmimi: 1000 lekë
Në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, një diplomat i ri shqiptar u takua fshehurazi me një profesor amerikan në Nju Jork, duke nisur kështu gjashtë vite diplomacie të fshehtë dhe me rrezik të lartë.
Si përfaqësues i Shqipërisë në OKB, në një kohë kur regjimi e konsideronte Amerikën si armikun më të madh, Ilia Zhulati rrezikoi gjithçka për të ndërtuar ura aty ku, për breza të tërë, kishin qëndruar vetëm mure. Misioni i tij i fshehtë – i panjohur madje edhe për shumicën e zyrtarëve shqiptarë – do të ndihmonte në përfundimin e izolimit ekstrem të vendit dhe do të transformonte përgjithmonë peizazhin gjeopolitik të Ballkanit.
Ky rrëfim i drejtpërdrejtë ju çon pas dyerve të mbyllura – nga takimet e fshehta në Nju Jork te negociatat e tensionuara diplomatike në Vjenë – duke zbuluar lojën diplomatike me rrezik të lartë që, në fund, rivendosi marrëdhëniet midis dy kundërshtarëve historikë.
Zhulati ofron një vështrim të paprecedentë mbi jetën nën regjimin komunist, kanalin sekret diplomatik të ngritur vite para rivendosjes zyrtare të marrëdhënieve, dhe momentet vendimtare që pothuajse e shkatërruan gjithçka.
Kjo histori e jashtëzakonshme e intrigës diplomatike ndriçon një kapitull vendimtar, por shpesh të harruar, të fundit të Luftës së Ftohtë. Nëpërmjet udhëtimit të një njeriu, zbulojmë se si – edhe në rrethanat më të pamundura – individët mund të ndikojnë në rrjedhën e historisë.
Rreth autorit:
Dr. Ilia Zhulati u lind në vitin 1947 në Grabovë, Përmet, Shqipëri. Ai studioi gjuhën angleze dhe gjuhësinë në Universitetin e Tiranës dhe fitoi një master në gjuhësi krahasuese. Ai u bashkua me Ministrinë e Punëve të Jashtme si anëtar i delegacionit shqiptar në Sesionin e Kombeve të Bashkuara në vitin 1982, ku shërbeu si diplomat për Misionin Shqiptar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nga 1983 deri në 1987. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Ilia ndoqi studime doktorature në gjuhën angleze dhe gjuhësi në Universitetin e Ëisconsin-Madison, Universitetin e Sorbonës në Paris dhe Universitetin e Aarhus në Danimarkë. Në vitin 1999, ai mori gradën "Doktor i Shkencave" nga Komisioni i Lartë i Atestimit të Shqipërisë. Ai ka dhënë mësim në gjuhën angleze dhe gjuhësi në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe ka botuar shumë vepra mbi gjuhën shqipe.
“LIBRI I EGËR”, KËSHILLË FËMIJËVE PËR LEXIMIN E MIRË
Titulli: Libri i egër
Autori: Rudina Çupi
Ilustrimet: Enxhi Xhaja
Shtëpia Botuese: Pupëz
Çmimi: 800 lekë
Biblioteka është vend i paqtë si parajsë, nuk ka nevojë për heronj që shpëtojnë dikë, sepse askush nuk rrezikohet. Por kjo histori ka ndodhur pikërisht në shtëpinë e librave. Në të tregohet sesi librin e dielltë e mbyllën në një terrarium dhe e quajtën “i egër”. Egërsia zakonisht është një veti e gjërave të gjalla: kafshë e egër, bimë e egër, njeri i egër dhe zor përdoret për librat, pasi ata kanë vetinë e mirë të zbusin edhe zemrën më të pandjeshme. Por i mbyllur në burgun prej xhami ai ishte tashmë i paprekshëm dhe ky është dënimi më imadh që mund t’i bëhet një libri.
Libora, një vajzë e vogël, duke i lexuar ditë pas dite e ndihmoi Librin e Egër të shihte anën e mirë, të besonte se e mira është e mundur. Ai vërtet ISHTE ndryshe nga të tjerët, por s’kishte pse të ishte “i egër” për ta vërtetuar se ishte i veçantë. Libri i Egër është pjesë e serisë “Lexo e zbulo”, seri kushtuar leximit mes rreshtave.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" prezantohet Robert Burns.
Burns është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë skoceze; i njohur dhe i vlerësuar edhe sepse ka shkruar në dialektin skocez. Vepra e tij shquhet për shpirtin popullor dhe ndjenjën e thellë njerëzore të cilën përcjell.
U lind më 1759 në Skoci. Ishte djali i një familjeje të varfër fermerësh dhe u rrit mes punës së rëndë por dhe pasionit për të lexuar dhe shkruar. Nisi të shkruajë që në moshë të re. Shpejt u bë i njohur e i vlerësuar.
Poezitë e tij janë të pasura me humor por edhe me ndjenja të thella për dashurinë, natyrën dhe jetën e fshatit. Në veprën e tij lartëson lirinë, barazinë, analizon dhe shkruan mbi vuajtjet e klasës së varfër, përdor gjithashtu një satirë të hollë kundrejt hipokrizisë njerëzore.
Vdiq shumë i ri, në moshën 37-vjeçare, por la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë edhe sot. Mbetet një ikonë e artit dhe kulturës botërore.
Dinjiteti njerëzor është një ndër temat qëndrore në veprën e tij. Burns shpesh e lidh atë me aftësinë për të rezistuar kundrejt vështirësive me ndershmëri e kurajo, pavarësisht gjendjes ekonomike. Kjo temë trajtohet në një ndër poezitë e tij më të njohura:
Varfëria e ndershme
Kujt i vjen turp nga skamja e vet
dhe s’njeh as nder, as vlera,
atij i them rob vërtet,
bir robi e të tjera…
Kjo ngre kandar,
kjo s’ngre kandar,
ne s’kemi plëng në jetë;
i pasuri ka vulën në ar,
por ar ne jemi vetë.
Ne bukë hamë e pimë lëng,
pa rroba trupit e pa plëng!
E ç’t’iu tregoj të tjera!
Ndërkaq një batakçi tuaf
pi verë e vishet me mëndafsh,
e ç’t’iu tregoj të tjera!
Kështu, ashtu
nuk ka qeder!
Nga qyrku s’duhen matur!
Ai që rron me djersë e nder
për mua është i pasur.
Ja, ky palaço qenka lord
dhe dashka temenara!
Fodull, i vrenjtur.e kokëbosh
do mbetet trung pa fara!
Kështu, ashtu
na vjen drang-drung
i mbushur me merita;
por trungu prapë mbetet trung
me urdhra dhe shirita!
Servilit, mbreti shpejt i jep
dhe grada gjenerali,
të varfrit kurrë nuk i qep
as kopsa kaporali!
Kështu, ashtu,
nuk kam qeder!
Ofiqi, lajka “vlera”,
nuk kanë tru,
nuk kanë nder,
e, ç’t’ju tregoj të tjera.
Po dita ndofta nuk vonon
ku nder djersëlarë
të zërë vend që meriton
të zërë vend të parë.
Poezia e dytë
Si trëndafil i kuq
Dashuria ime një trëndafil i kuq, i kuq
Që sapo ka çelur në qershor,
Dashuria ime është si një melodi
Që tingëllon aq ëmbël e në shpirt e butë
Sa e bukur je, o dashuria ime,
Si zjarr që s'shuhet kurrë me kohë
Dhe do të të dua gjithmonë e më shumë
Der atëherë kur detet krejt të shterojnë.
Derisa detet të thahen, e gurët të treten
Të treten nën diellin e zjarrtë,
Do të të dua ende vashëza ime,
Derisa jeta të më mbajë gjallë.
Dhe lamtumirë tani, o dashuria ime,
Të ndarjes këngë për pak do të këndoj,
Do të të ndjek më pas e mijëra milje
Po të jetë nevoja, për ty do të përshkoj.
Komente
