'Në Librari' vjen me 3 tituj të rinj! Nga 'Shtëpia e verdhë' e Bashkim Hoxhës, 'Shi me baltë' i Mero Bazes te 'I rënë nga qielli' nga Tom Kuka

17 Nëntor, 14:25| Përditesimi: 17 Nëntor, 15:21

  • Share

“Shtëpia e verdhë” nga Bashkim Hoxha, “Shi me baltë” nga Mero Baze dhe “I rënë nga qielli” nga Tom Kuka janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.

Titulli: Shtëpia e verdhë

Autor: Bashkim Hoxha

Gjinia: Roman

Botues: Onufri

Çmimi: 1200 lekë

Një regjisor, një drejtor i fotografisë, një skenar filmi dhe përballë shtëpia e verdhë dhe Ballkani i trazuar midis të vërtetave dhe trillimeve janë pjesë e ngjarjes në romanin e fundit të shkrimtarit Bashkim Hoxha, “Shtëpia e verdhë”.

Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, por dhe makinacionet e mëtejshme për ta bërë pis fitoren e UÇK-së, prej vitesh e trazonin ndërgjegjen e autorit Hoxha, por edhe atë të gazetarit.

Ky roman  është argumenti për të treguar një problem që është bashkëkohor sot, ai i fake neës (lajmeve të rreme) dhe ai i deformimit të realiteteve dhe i përdorimit të propagandës si mjet lufte.

Titulli: Shi me baltë

Autori: Mero Baze

Gjinia: Poezi

Botues: UET Press

Çmimi: 1000 lekë

“Shi me baltë” titullohet libri me poezi me autor Mero Baze. Ky libër me poezi cilësohet si një poemë elegjiake me katër pjesë nga Ilirjan Zhupa në parathënien e botimit, që ka vetëm pak ditë që ka dalë në qarkullim. Poezitë e Bazes sipas tij i këndojnë humbjes, asaj të përgjithshmes, asaj të priturës dhe asaj të stisurës. Braktisjes së gjërave të shtrenjta, botës që na ikën përditë, na shket nga sytë, nga duart, nga mendja e nga shpirti si rëra...

Titulli: I rënë nga qielli

Autori: Enkel Demi (Tom Kuka)

Botues: Pegi

Çmimi: 1000 lekë

Romani përshkruan në mënyrë të pamëshirshme një periudhë të rëndë në historinë e Shqipërisë përmes një galerie personazhesh, që nga banditët e rrugëve e deri te diplomatët e huaj. Në këtë libër përzihen bashkë partizanët, nacionalistët, aleatët, pushtuesit, Sigurimi i Shtetit, bandat e ’97-ës. Shqipëria është në luftë, më pas paqen e kalon si në luftë dhe në fund hyn sërish në luftë.`

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?