Kultura

Në Librari vjen me tre tituj: 'Lulet e mollës', 'Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve në shtypin e huaj' dhe 'Elena e di'! Melodia e Vargut ju sjell poezi nga Vladimir Majakovskij

17 Gusht, 08:14| Përditesimi: 17 Gusht, 08:31

  • Share

1. “LULET E MOLLËS”, NJË BOTIM I RI I LIBRIT TË JOHN GALSWORTHY

Titulli: Lulet e mollës
Autori: John Galsworthy
Përktheu: Astrit Hykaj
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 800 lekë

Libri “Lulet e mollës” është një vepër e mbushur me ndjenja delikate dhe reflektime të thella për jetën, dashurinë dhe mëkatin. Në këtë libër, Galsëorthy shpalos mjeshtërinë e tij për të pikturuar skena të pasura me natyrën dhe psikologjinë njerëzore, duke përdorur një stil të thjeshtë, por të fuqishëm. Është një ngjarje e thjeshtë dhe e zakonshme në pamje të parë, por nën sipërfaqen e saj fshihet një ndjeshmëri e thellë që flet për shpirtin e njeriut. Personazhet në këtë libër janë një metaforë e gjallë për ciklin e jetës, ku çdo përvojë e ndjeshme është një lule që hapet e pastaj vyshket. Ku përjetimet e duhura zgjasin një jetë të tërë, ndërsa lajthitjet e çastit shuhen aty për aty. Në thelb, “Lulet e mollës” është një meditim për jetën në tërësi dhe mëkatin në veçanti, që godet në çaste të paparashikueshme. Me stil të qetë dhe të përsosur, autori na tregon se në çdo pjesë të jetës, nga ngjarjet më të zakonshme deri tek ato më të mëdhatë, ndodhin transformime që mbartin me vete një mesazh të fuqishëm për dashurinë dhe humbjen.

2. GERALDINA, MBRETËRESHA E SHQIPTARËVE NË SHTYPIN E HUAJ

Titulli: Geraldina Apponyi – Zogu, Mbretëresha e shqiptarëve në shtypin e huaj të kohës (1938 – 1968)
Autori: Aurenc Bebja
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 1000 lekë

Mbretëresha Geraldinë e Shqiptarëve lindi më 6 gusht 1915 në Budapest. Prindërit e saj ishin konti Gyula Apponyi (1873-1924) dhe Gladys Virginia Steëart (1891-1947). Ajo kishte pesë vëllezër e motra (Virginia, Gyula, Sylviane, Patricia dhe Guy).

Bukuroshja hungareze martohet me Mbretin Zog me 27 prill 1938. Më 5 prill 1939, lind djalin e tyre, Mbretin Leka Zog 1. Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushton Shqipërinë. Si rrjedhojë, ajo detyrohet të largohet në ekzil së bashku me Familjen Mbretërore, duke kaluar dhe jetuar nëpër disa shtete si Greqia, Turqia, Rumania, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Belgjika, Franca, Anglia, Egjipti, Spanja dhe në fund në Afrikë të Jugut, deri sa u kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 2002.

Trëndafili i Bardhë i Hungarisë shuhet më 22 tetor 2002, në moshën 87-vjeçare, në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Geraldina, fillimisht si konteshë dhe më pas si mbretëreshë, ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj brenda dhe jashtë vendit tonë. E bukur, shtatlartë, elegante, e buzëqeshur, e zgjuar, besnike, me një dashuri të pakufishme dhe të pareshtur për Shqipërinë dhe shqiptarët, ajo është shprehur gjithmonë në mënyrë mjeshtërore para gazetarëve, madje dhe në momentet më të vështira të ekzistencës së saj.

Ky libër, nëpërmjet dhjetëra shkrimeve të përmbledhura në shtypin e shkruar të kohës, ku secili mbart faqen, datën, ditën, vitin e botimit dhe emrin e gazetës apo revistës, dokumenton jetën e saj gjatë periudhës 1938 – 1968.

3. ARGJENTINASJA CLAUDIA PIÑEIRO VJEN NË SHQIP ME “ELENA E DI” - ARLINDA DUDAJ, BOTUESE

Titulli: Elena e di
Autori: Claudia Piñeiro
Përktheu: Agim Doksani
Kategoria: Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1000 lekë

Në romanin e saj "Elena e di", autorja e njohur argjentinase Claudia Piñeiro përshkruan me mjeshtëri të rrallë historinë e një gruaje, Elenës, e cila niset në kërkim të së vërtetës mbi vdekjen e vajzës së vet Rita. Pasi trupi i saj gjendet i varur në kambanoren e një kishe që frekuentonte, hetimet zyrtare mbi incidentin mbyllen shpejt. Nëna e saj, e sëmurë nga Parkinsoni, është e vetmja që mbetet e vendosur për të gjetur fajtorin. Duke rrëfyer një udhëtim të vështirë nëpër periferitë e Buenos Airesit, në kërkim të një gruaje tjetër, Isabelës, e cila, siç mendon Elena, i ka një borxh të vjetër mirënjohjeje dhe përmes një bisede zbuluese mes të dyjave, dalin sekretet e personazheve dhe anët e fshehta të autoritarizmit dhe hipokrizisë në shoqërinë tonë.

Në një rrëfim shumë të arrirë, Claudia Piñeiro zbulon me një ndjeshmëri të fortë përditshmërinë e një gruaje me Parkinson, mes mijëra pengesash që duhet të kapërcejë, vështirësive të shkaktuara nga “mosbindja” e këmbëve për të lëvizur, duke i dhënë një thellësi pafund personazhit stoik të Elenës, e cila nuk  dorëzohet kurrë. Elena e di është një reflektim i fuqishëm mbi sëmundjen, përkujdesin, trupin, besimin dhe lirinë personale – sidomos të grave.

“Në pamje të parë duket sikur ky është një thriller rreth një protagonisteje të vetme. Por në të vërtetë trajton mprehtësht marrëdhëniet nënë-bijë, poshtërimin nga burokracia, barrën e përkujdesjes për një person me aftësi të kufizuara dhe imponimet e dogmave fetare mbi gratë.”

Kathleen Rooney, New York Times

Nga e njëjta autore mund të gjeni në shqip edhe librin “Vejushat e së enjtes”.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Vladimir Majakovskij ka qënë poet, shkrimtar, piktor, dramaturg, gazetar rus.

U lind më 1893 në Gjeorgjinë e sotme, atëkohë pjesë e perandorisë ruse. Ishte vetëm 7 vjeç kur i vdiq i ati. Kaloi një fëmijëri të vështirë dhe rebele. Shumë shpejt u transferua në Moskë. Ishte ky vendi pra që ndikoi thellësisht në veprën dhe krijimtarinë e tij. Poezia, teatri dhe aktiviteti artistik i Majakovskit reflektojnë tensionin, idealet dhe transformimin e Rusisë së fillimit të shekullit XX. Në Moskë iu dedikua studimit dhe formimit të tij deri në moshën 15 vjeçare e më pas u përfshi në aktivitete revolucionare. U arrestua tre herë. Në burg nisi të shkruajë edhe poezitë e para. Pasi doli nga burgu në vitin 1911 u regjistrua në Akademinë e Pikturës Skulpturës dhe Arkitekturës në Moskë por shumë shpejt atje nisi të njihet dhe për vargun e tij. Librin e parë me poezi e publikoi më 1913. Konsiderohet edhe si poeti i revolucionit. Krijimtaria dhe jeta e Majakovskit, për aq sa jetoi, qenë intensive dhe ditën të lënë gjurmë në histori dhe kulturë.
U vetëvra në vitin 1930, mendohet për shkak të zhgënjimeve në politikë por edhe për arsye sentimentale.
Majakovskij mbetet një ndër eksponentët kryesorë të futurizmit rus, lëvizje kjo e cila synonte t'u largohej normave artistike tradicionale duke u përpjekur të krijonte një estetikë të re.

Poezia e zgjedhur

Pastaj erdhe ti

Poezi sa e veçantë aq dhe e rëndësishme për poetin sepse në të shprehet bota intime dhe brishtësia e tij. Në këto vargje ai shfaqet njeriu, me dobësinë dhe butësinë, me shpirtin prej fëmije dhe jo më, siç e njihte mbarë opinioni, poeti revolucionar.
Nuk mund të quhet thjesht një poezi dashurie. Kuptimi i saj është më gjithpërfshirës sepse aty theksohet dëshira e pranimit të dikujt me gjithçka ai përfaqëson përtej dukjes, edhe me brishtësinë dhe ndjeshmërinë që mbart.

Pastaj erdhe ti.
Dhe të mjaftoi
vetëm një vështrim,
për të parë
prapa asaj hungërime,
e atij trupi vigan,
thjesht një fëmijë.
E more, ia hoqe zemrën
dhe fillove të luash me të,
ashtu siç bën
një vajzë e vogël me topin.
Dhe të gjitha,
zonja e vajza,
mbetën të shtangura
si përballë një mrekullie.
"Të duash një njeri të tillë?
Që në çast mund të të sulmojë!
Do të jetë ndonjë zbutëse kafshësh,
që vjen diku
nga një kopësht zoologjik! ”
Por unë, unë brohorisja.
S’më rëndonte më asnjë zgjedhë!
I harbuar nga gëzimi,
vrapoja, kërceja
si një indian në dasmë,
kaq i gëzuar ndihesha,
kaq shumë i lehtë.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?