Kultura

‘Në Librari’ vjen me tre tituj të ri: ‘Portreti i artistit në rini’, rivjen në shqip vepra e Joyce! ‘Ted B', trilleri psikologjik e policor i Leonard Veizit! ‘Zemër dalë mendsh’, një vëllim poetik me ‘Endje Malli’

4 Maj, 11:43| Përditesimi: 4 Maj, 14:15

  • Share

1. KRENAR HAJDËRI, PËRKTHYES

“PORTRETI I ARTISTIT NË RINI”, RIVJEN NË SHQIP VEPRA E JOYCE

Titulli: Portreti i artistit në rini

Autori: James Joyce

Gjinia: Roman

Përktheu: Krenar Hajdëri

Shtëpia botuese: Albas

Çmimi: 1200 lekë

Përveçse një portret i fëmijërisë dhe i rinisë së Stefan Dedalusit, i kërkimit të tij për identitet përmes artit, i largimit gradual nga pretendimet e familjes, të fesë dhe të vetë Irlandës, ky roman është gjithashtu dhe një autoportret i të riut James Joyce, po aq dhe një testament universal i “imagjinatës së përjetshmeˮ të artistit. Si një pasqyrë e jetës dhe e fëmijërisë së Joyce-it, ashtu edhe një vepër e pashoqe e letërsisë moderniste, “Portreti i artistit në rini” është një roman i zgjimit seksual, i rebelimit ndaj fesë dhe i kërkimit aq thelbësor për zërin e brendshëm, që çdo artist i ri duhet ta gjejë, në mënyrë që të lulëzojë plotësisht.

“Portreti i artistit në rini”, serializuar më 1914-1915 dhe botuar më 1916 në Neë York, gjurmon kapërcimin e personazhit kryesor, Stivën Dedalus, nga fëmijëria në rini. “Portreti” është romani i parë i një prej kolonave të modernizmit botëror. Pati një jetë të gjatë dhe të vështirë si dorëshkrim, i nisur më se një dekadë më herët, i punuar e ripunuar disa herë nga autori në lëvizjet e tij nëpër Europë, i hedhur madje edhe në zjarr e i shpëtuar mrekullisht nga të afërmit e autorit. Botimi i tij dhe i përmbledhjes me tregime “Dublinasit”, e vendosën Joyce-in në plan të parë të letërsisë së kohës, duke i paraprirë botimit të kryeveprës së tij “Uliksit” më 1922.

 

2. BUJAR KAROSHI, BOTUES

“TED B”, TRILLERI PSIKOLOGJIK E POLICOR I LEONARD VEIZIT

Titulli: Ted B 

Autori: Leonard Veizi

Gjinia: Roman

Redaktor: Kliton Nesturi

Shtëpia botuese: M&B

Çmimi: 800 lekë

Era Simoni, deri në atë çast që do ta gjente shkrimtarin Ted B të vdekur në vilën e tij në periferi, ishte vetëm inspektorja bionde e policisë. Ajo heton në detaje ngjarjen për të zbardhur shkakun e vdekjes, e cila jo vetëm do të ndryshojë opinionet rreth saj, por do të zbulojë edhe një histori të gjatë korrupsioni, mashtrimi e vrasjeje, që përfshin njerëz nga bota e biznesit, politikës, gjyqësorit...

TED B ka lënë pas një seri tregimesh, që, të ndërthurrura me emrat e paktë që gjenden në celularin e tij, krijojnë një subjekt triller të romanit, që të rrëmben deri në faqen e fundit.

Leonard Veizi u lind në 29 gusht 1968 në Tiranë.  Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. “Ted B” është libri i tij i dymbëdhjetë.

 

3. HORGITO HOXHA, AUTOR

“ZEMËR DALË MENDSH”, NJË VËLLIM POETIK ME ‘ENDJE MALLI’

Titulli: Zemër dalë mendsh

Autori: Horgito Hoxha

Gjinia: Poezi

Redaktor: Riza Braholli Mborja

Çmimi: 700 lekë

Autori Horgito Hoxha vjen sërish për lexuesin shqiptar me vëllimin e ri me poezi "Zemër dalë mendsh".

I lindur më 13 maj 2004, në Miras të Devollit, poezitë e para i ka shkruar që në moshën 12-vjeçare. Më pas krijimet e tij i ka botuar në gazeta e revista të ndryshme. Përmbledhja e parë me poezi që botoi u titullua "Zhurmë ëndrrash".

Pasioni i tij për letërsinë shqipe, veçanërisht për Dritëro Agollin, janë frymëzimi i tij, ndërsa poezia është për tè kënaqësi shpirtërore. Aktualisht studion në Universitetin e Arteve, në degën Regji Filmi & TV.

Melodia e Vargut
Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" emri i njërit prej poetëve më të njohur të vargut shqip Xhevahir Spahiu. 
Krijues me intuitë të fortë poetike i cili fjalë pas fjale befason dhe godet fuqishëm emocionin. Xhevahir Spahiu mban sigurisht një vend tepër të rëndësishëm në poezinë shqipe.

Poezitë

Takim më 31 dhjetor

Në kufirin mes viteve
për ato që ikën,
për ato që vijnë
mendimi pezull rri.
Ty që m'u shfaqe në dhjetorin e bardhë,
nuk di ku të të fus, nuk di!
Ish pasditja e fundit e një viti në ikje.
Ora e Vlorës përudhte
shkëmbime vështrimesh të dridhshme.
Sido që të jenë ngashnjimet e ardhshme,
këto do të mbeten
të papërsëritshme.
E unë në kufirin mes viteve,
prerë nga një pyetje si ky qiell me vetëtimë:
Ku të të fus,
në ato që ikën,
a në ato që vijnë?

Sërish jam vetëm

Po bie nata
pa një yll rrëqethës.
Sërish jam vetëm.
vetëm.
Nën dhe si vemje,
ndryshku po bren hekur.
Sërish jam vetëm.
Vetëm.
Më griu grija e përditshmërisë.
Boshin
shurdhan,-e di, –
s’ma merr askush.
Po shkoj në tjetër vend.
Përtejshmëria
s’dhemb.


Jetoj brenda syve të tu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lemë pyetjet.
Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?