“Ali Pasha dhe Bushatllinjtë në dokumentet ruse”, “Në fije të jetës” nga Nikki Erlick dhe “Ajla dhe Flluska” nga “Shkolla e sirenave” janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Periudha e sundimit turk në Ballkan ka të bëjë me faqe të historisë pak të studiuara.
Për sa i përket Shqipërisë dhe Greqisë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Materialet e pasura që ka në arkivat e BRSS për historinë e Shqipërisë dhe të Greqisë pothuajse nuk janë studiuar.
Materialet e pabotuara, që ruhen kryesisht në Arkivin e Politikës së Jashtme të Rusisë, shërbyen si burimi kryesor për shkrimin e kësaj vepre. Ato janë informacione të konsujve rusë dhe agjentëve të tjerë politikë që ndodheshin në Ballkan dhe në rajonin e Adriatikut. Gjithashtu, informacionet e ambasadorëve rusë nga Kostandinopoja janë të rëndësishme, para së gjithash, nga këndvështrimi i marrëdhënieve reciproke të sundimtarëve të pashallëqeve me Portën e Lartë.
Materialet arkivore janë ato që kanë të bëjnë me përshkrimin e Shqipërisë dhe promemoriet për sundimtarët feudalë shqiptarë (kryesisht për Ali Pashën), të përpiluara nga diplomatët rusë.
Përveç arkivit të politikës së jashtme të Rusisë, materiale të çmuara për këtë monografi u gjetën dhe në arkivin shtetëror qendror të flotës ushtarako – detare në Leningrad.
Pano Biçili, konsull i përgjithshëm i Rusisë në Shqipëri në vitin 1785, kuptonte me Shqipëri rajonin e gjerë të gadishullit të Ballkanit nga Mali i Zi deri në Peloponez. Në ato kohë, përcaktimi i pranuar nga të gjithë, i kuptimit gjeografik Shqipëri, ende nuk ekzistonte. Shumica e shkrimtarëve bashkëkohës pajtoheshin me atë që kufiri jugor i Shqipërisë është Arta, megjithëse kishte edhe autorë, si dhe Biçili, që përfshinin në përbërje të Shqipërisë dhe Akarnaninë. Pra, në përbërje të Shqipërisë përfshihej pjesa më e madhe e Greqisë Perëndimore.
Shqipëria atëherë shpesh ndahej në të sipërme dhe të poshtme, ose në Iliri dhe Epir. Rajoni në veri të Durrësit quhej Iliri, në jug – Epir (nganjëherë kufiri ndërmjet tyre zhvendosej më tej në jug, deri në lumin Vjosa). Epiri ndahej në i vjetri dhe i riu. Rajoni në jug të Himarës quhej Epiri i vjetër, ndërsa në veri – Epiri i ri.
Grigorij L. Arsh- Akademia e Shkencave e BRSS
Vlerësime për Ali Pashën:
“Pa arsim, por i pajisur me një mendim të shëndoshë shumë të mirë, me mendje të mprehtë, urtësi të rrallë, kujtesë të habitshme, trim në fushën e betejës, i vendosur në synimet e tij, këmbëngulës në iniciativat e tij, energjik dhe i arsyeshëm në sjelljen e tij."
- J. Bessier, nëpunës i lartë i administratës franceze
“Sundimi i Ali – pashë Tepelenës përbën një epokë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë së Jugut, duke qenë se ajo mbylli epokën e të drejtës të më të fortit për këtë vend, me faktin që e bashkoi atë nën grushtin e tij, duke shpartalluar pushtetin e prijësve vendas. Në sajë të këtyre ndryshimeve politike, fitoi tregtia e Shqipërisë së Jugut, që mori zhvillim të madh dhe filloi të kërkojë rrugë të reja."
- J.Hahn, diplomat, filolog dhe specialist austro-hungarez për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Vlerësime për Mahmud pashë Bushatin:
“Qeverisja e Mahmud – pashës kishte shumë anë pozitive për popullsinë. Para së gjithash, ai i dha fund arbitraritetit të taksambledhësve të sulltanit. Në zotërimet e tij Mahmud – pasha vendosi qetësinë dhe rregullin, që e vërtetojnë njoftime të shumta. Politika e tij ndihmoi zhvillimin e tregtisë dhe të zejtarisë. Shkodra, gjatë kohës së Mahmud – pashës, pati lulëzim të madh, ishte qyteti më i madh i Shqipërisë dhe një nga qendrat më të rëndësishme tregtaro – zejtare të Turqisë evropiane.” - A. Gjika Konsull rus
“I ri, trim dhe me iniciativë, Mahmud Bushati duke u mbështetur në ushtrinë e madhe me ushtarë trima dhe të qëndrueshëm, filloi luftën energjike për zgjerimin e kufijve të pashallëkut të tij.”
- Bulgakov, Ambasadori rus në Turqi.
SILVANA FARRUKU, REDAKTORE
“Në fije të jetës” është një roman enigmatik dhe tronditës, që të zhyt në një realitet të padëgjuar më parë, në një botë ku çdo individ, në një çast të caktuar të jetës, merr një kuti misterioze. Brenda kësaj kutie gjendet fati i gjithsecilit: një fije, gjatësia e së cilës simbolizon se sa kohë i ka mbetur për të jetuar. Gjithkush vendoset përballë një dileme ekzistenciale: të përballet me realitetin e përcaktuar apo të jetojë me pasigurinë.
Kjo botë magjepsëse ndjek jetët e disa personazheve të cilët janë të detyruar të përballen me këtë zbulim rrëqethës. Disa gjejnë qetësi dhe forcë për të jetuar çdo çast, si një dhuratë, ndërsa të tjerët mbërthehen nga ankthi, frika dhe përballja me të panjohurën. Tregimi, me një ndjeshmëri të thellë, eksploron dashurinë, humbjen dhe pasigurinë, ndërsa personazhet përpiqen të zbulojnë çfarë do të thotë të jetosh me vetëdijen e kohës së kufizuar.
Por, kush i krijoi këto kuti? Pse disa njerëz kanë një jetë të gjatë dhe të pafundme, ndërsa të tjerët janë të destinuar për të jetuar nën hijen e vdekjes së hershme? Dhe çfarë do të ndodhë kur disa prej tyre të përpiqen të sfidojnë fatin e vet, duke eksploruar limite që asnjë njeri nuk duhet të kalojë?
Përplot kthesa të papritura, zbulime të errëta dhe një tension që rritet në çdo faqe. “Në fije të jetës” nuk është thjesht një histori mbi jetën dhe vdekjen por është një udhëtim drejt zemrës së fateve të paqarta. Ky roman jo vetëm do t’ju mbajë të mbërthyer, pasi misteri vetëm sa thellohet, duke tërhequr lexuesin në një vorbull ku përgjigjet janë gjithnjë një hap larg, por kurrë plotësisht të arritshme. Por mbi të gjitha, do t’ju lërë me një nga dilemat më të mëdha të jetës suaj: Po ti a do ta hapje kutinë tënde?
ANILA BISHA LEKA, DREJTUESE E “IDEART”
Serisë së librave “Shkolla e sirenave” të autoreve Julie Sykes dhe Linda Chapman i shtohet edhe libri “Ajla dhe Flluska”. Nën siglën e shtëpisë botuese “Ideart”, në këtë libër rrëfehet historia e Ajlës së rrëmbyer, e cila nuk ka frikë të thyejë ndonjë rregull shkolle për të fituar garën e gjuetisë së thesarit.
Flluska, delfini i saj është gjithnjë i gatshëm për sfida. Por deti që e rrethon shkollën gëlon nga magjia dhe shpejt Ajla dhe Flluska e gjejnë veten në ca ujëra tepër të thella.
MELODIA E VARGUT
Te "Melodia e Vargut" prezantohen poezitë shkëputur nga libri "Një buzëqeshje e pabesueshme" e poetit Fatos Arapi. Libri përmban poezi të zgjedhura të viteve 2005-2010..Fatos Arapi konsiderohet një ndër poetët më të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Guxim i acartë
Një ecje e zbehtë, e drojtur në ajër.
Rrezja e diellit krisi qiellnajën.
Cijatin trumcakët...
Spërkatje bulëzash diellore
shndritin e shuhen mbi mua.
Mimozat çelin në shkurtin me ngrica.
E unë... Ç'do të isha unë
pa guximin e acartë të mimozave?
Pa titull
Si t'i qep këto plagë në zemër,
gjithë këto plagë si t'i qep?
Shi me diell në Tiranë.
Me fije uji e rreze diellore,
si t'i lidh këto plasje të zemrës?
Arnuese e pamësuar dora ime.
Ne jemi në ëndërr
Ajo grua më erdhi mbrëmë në ëndërr
hedhur supeve një shall të ylbertë,
gjithë belbëzime të zbehta:
- Ti vonohesh.... ti vetëm vonohesh...
Më përqafoi mallshëm,
as më puthi,
as u shtri, si dikur, në shtrat me mua.
Më tërhiqte prej dore:
- Ti di vetëm të vonohesh...
Shpejto, po largohet ajo!
- Cila? pyeta unë.
- Ajo, ëndrra jonë... po ikën...
Në gjumë me zë të lartë fola:
- Po ne jemi në ëndërr...
Komente
