EUGJEN MERLIKA SJELL LIBRIN E RI PËR MUSTAFA MERLIKA-KRUJËN
Titulli: Mustafa Merlika-Kruja, historia e dokumentuar e një jete në shërbim të kombit shqiptar (Vëllimi 1)
Autori: Eugjen Merlika
Gjinia: Biografi
Shtëpia botuese: UET Press
Çmimi: 1500 lekë
Eugjen Merlika vjen me librin e tij të ri “Mustafa Merlika Kruja – Histori e dokumentuar e një jetë në shërbim të kombit shqiptar”. Ky vëllim i parë dedikuar veprimtarisë intelektuale e politike të një prej figurave më komplekse të historisë sonë, sjell për lexuesin një pasqyrë të thelluar e të dokumentuar mbi jetën dhe kontributin e firmëtarit të Pavarësisë, deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, kryeministrit, gjuhëtarit dhe historianit Mustafa Merlika Kruja.
“Në raport me botimet e mëparshme të cilat janë krijimari e Mustafa Krujës, të gjuhësisë në radhë të parë, historisë edhe kontakteve me personalitete të ndryshme të kulturës edhe të politikës shqiptare gjatë viteve, ky libër sjell dokumente që fillojnë që me rininë e autorit dhe një pjesë e studimeve në Selanik, në Janinë dhe në Stamboll. Ky libër sjell shumë dëshmi të tjera në marrëdhëniet me personazhe të ndryshëm të jetës politike të asaj kohe, duke përfshirë Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Esat pashë Toptanin, por edhe të tjerë personazhe. Ka disa letra të shkëmbyera me Ahmet Zogollin në periudhën e luftës kundër kryengritjes të Shqipërisë së Mesme, që kishte për qëllim rikthimin e Perandorisë turke në Shqipëri dhe pastaj vazhdon. Pjesa ndoshta më e rëndësishme e librit janë bisedimet parlamentare, të cilat botohen për herë të parë së paku në dijeninë time edhe që pasqyrojnë veprimtarinë legjislative të Mustafa Krujës në disa prej prej mbledhjeve të Kuvendit Kombëtar të asaj kohe.”, - thotë për “Report TV”, Eugjen Merlika.
Libri ndjek hap pas hapi rrugëtimin e Mustafa Merlika Krujës – nga vitet e hershme të shkollimit dhe veprimtarisë studentore, te kthimi në Atdhe e përfshirja në politikën shqiptare, pjesëmarrja në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, marrëdhëniet me personalitete të kohës si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e Esat Pashë Toptani, si edhe kontributi i tij në ndërtimin e shtetit modern shqiptar.
Ky vëllim i parë ndalet në ngjarje të rëndësishme si pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris, veprimtaria si deputet i Parlamentit shqiptar dhe angazhimi për çështjen e Kosovës – e cila, më vonë gjatë kryeministrisë së tij, do të bëhej realitet me bashkimin e trojeve shqiptare. Po ashtu, trajtohen kundërshtitë me Esat Pashën, periudhat e mërgimit, herën e parë pas burgimit në Sicili dhe kthimi i tij në Shqipërinë e Fan Nolit si prefekt i Shkodrës. Vëllimi mbyllet në vitin 1925, me atë që autori e cilëson si “mërgimi i tretë”.
I pasur me dokumente të kohës, libri sjell edhe Bisedimet Parlamentare të viteve 1921–1922, të marra nga Arkivi i Kuvendit të Shqipërisë. Në vëllimin e dytë, Eugjen Merlika paralajmëron se do të trajtojë, përmes dokumenteve të mbledhura nga arkiva të ndryshëm, veprimtarinë qeveritare të Mustafa Krujës gjatë vitit kur ai drejtoi vendin si “Kryeministër i Shqipërisë etnike”, periudhë që përbën edhe boshtin kryesor të jetës së tij politike.
Përmes dokumenteve origjinale, dorëshkrimeve dhe shkrimeve të botuara e të pabotuara, autori sjell një tablo të plotë të figurës së gjyshit të tij, shpesh të përbaltur nga historiografia komuniste. Ky botim synon ta vendosë Mustafa Krujën në panteonin e historisë së shtetit shqiptar.
Pas një heshtjeje të gjatë, emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes falë përpjekjeve të familjes dhe botimeve të shumta gjatë dy dekadave të fundit. Mustafa Kruja u nderua në vitin 2012 me titullin “Nder i Kombit” dhe më 24 nëntor 2024, qyteti i Krujës e nderoi me shtatoren pranë kalasë së qytetit, në prag të 112-vjetorit të Pavarësisë.
Në ndryshim nga 19 vëllimet e tjera të botuar nga viti 2001 e këtej, që përbëjnë krijimtarinë e Mustafa Krujës në fushën gjuhësore, historike, kujtimore e të korrespondencave të ndryshme, ky vëllim- zbulon Eugjen Merlika- i kushtohet vetëm veprimtarisë politike. “Kjo ndodh sepse në këtë fushë figura e tij është paraqitur me ngjyrat më të errëta nga historiografia komuniste e zotëruar jo nga objektivizmi, por paragjykimet enveriste. Shpresoj që ky libër, mbasi të jetë plotësuar edhe me pjesën e dytë të tij, nëse Zoti do të më japë jetë e mundësi, do të frymëzojë të tjerë studiues, për të thënë fjalën e tyre mbi figurën atdhetare të tij”, shkruan autori.
Ky botim është pjesë e një cikli që pritet të pasurohet me vëllime të tjera, duke plotësuar mozaikun e plotë të jetës dhe veprimtarisë së Mustafa Merlika Krujës. Në të, lexuesi gjen dokumente dhe dorëshkrime origjinale të kohës; analizë të rolit të tij në krijimin e institucioneve të para shqiptare; debatet politike të viteve 1920-1940; kontributin e tij në themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe përpjekjet për bashkimin kombëtar dhe vizionin e tij europian.
“SHKREPJE TË RRALLA FOTOGRAFIKE”, BOTIMI I RI I QERIM VRIONIT
Titulli: Shkrepje të rralla fotografike (Sprova dhe artikujt për fotografinë)
Autori: Qerim Vrioni
Shtëpia botuese: Arte Graphic
Çmimi: 1000 lekë
“SHKREPJE TË RRALLA FOTOGRAFIKE” ËSHTË LIBRI I RI I STUDIUESIT TË FOTOGRAFISË DHE PUBLICISTIT QERIM VRIONI.
Libri përmban materiale të botuara në shtypin shqip këto 20 vitet e fundit dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përmbanë 10 analiza studimore (sprova) për foto të zgjedhura prej autorit nga fotografia shqiptare e shekullit të kaluar të mjeshtrave: Kel Marubi, Kolë Idromeno, Thimi Raci, Edith Durham, Stefan Kaçulini, Ilia Xhimitiku, Margaret Hasluck, Petrit Kumi.
Sprova “Figura e Skënderbeut në fotografinë shqiptare”, analizon imazhet fotografike (pjesa më e madhe kolazhe) të disa autorëve midis tyre Kel Marubi dhe Vani Burda. Kurse për foton e dy barinjëve lebër, “Ndezja e cigares”, ende nuk dihet autori e për këtë në shkrim ofrohen disa hamendësime.
Ndërsa në pjesën e dytë paraqiten portretet e pesë fotografëve të dalluar dhjetëvjeçarët e fundit në vend. Ata janë: Dedë Jakova, Naun Vruho, Filip Vito, Ernest Baba dhe Ardian Fezollari. Përmbledhja është e shoqëruar me mbi 70 foto.
Nga renditja, ky është botimi i dhjetë i autorit: shtatë i janë kushtuar fotografisë, dy paraqesin përmbledhje publicistike dhe një është album fotografik (historik) me rastin e 50-vjetorit të Universitetit të Tiranës.
DY VËLLIME TË REJA TË STUDIMEVE MBI PERANDORINË OSMANE
Titulli: Devlet-i ‘Aliyye, Studime mbi Perandorinë Osmane (Vëllimet III dhe IV)
Autori: Halil Inalcik
Përktheu: Eduart Caka
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 2000 lekë
Vëllimi i parë i kësaj kolane trajton transformimin e shtetit Osman nga një principatë te një perandori e fuqishme, që përfshinte brenda saj hapësirat e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme. Vëllimi i dytë analizon periudhën e dobësimit të autoritetit të padishahut si dhe rivalitetin për pushtet gjatë gjysmës së parë të shek. XVII.
Ndërsa vëllimi i tretë trajton rivendosjen e autoritetit qendror të shtetit që konsiston në periudhën e Koprylyve, rivalitetin e gjatë me hasburgët në Europën Qendrore si dhe përpjekjet e osmanëve për të tejkaluar problemet ekonomike e politike.
Vëllimi i katërt merr në shqyrtim transformimet ushtarake dhe ekonomike që kaloi shteti osman. Ai përmban gjithashtu rrugëdaljet e reja që kërkonte qeveria qendrore ndaj sistemit që kishin ngritur ajanët gjatë shek. XVIII.
Ky vëllim analizon qasjen e burokracisë dhe të mendimtarëve osmanë ndaj përparimeve që kishte arritur Perëndimi si dhe përpjekjet e tyre për një rrugëdalje nga prapambetja, tendencë e cila ishte ndërprerë me revoltën e Halil Patronës, por që do të vijonte më pas përmes reformave të Tanzimatit dhe Monarkisë Kushtetuese. Këto përpjekje të shtetarëve dhe intelektualëve osmanë që planifikuan Tanzimatin dhe e vunë atë në zbatim pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat u përballën, trajtohen brenda një linje të pandërprerë, e cila, pas Luftës së Parë Botërore dhe asaj çlirimtare më vonë, kulmoi me themelimin e Republikës së Turqisë.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" vijnë vargjet e bukura të poetit, përkthyesit, studiuesit Agim Vinca.
Rrugët
Rrugët nuk maten me mila.
Rrugët nuk maten me kilometra.
Ka rrugë të shkurtra si gëzimi.
Ka rrugë të gjata si dhembja.
Rrugët i mat zemra.
E kujtoj mësuesin
Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.
I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.
Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»
Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.
Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.
Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.
Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.
Një natë
Si një shtegtar i vonë që vjen nga larg
Do të të shfaqem një natë në gjumë.
Mos ma mbyll derën me lloz e kanat
Mos më lër jashtë në rrugë.
Do të hyj si somnambul
E do të të ulem pranë
Do të t’i përkëdhel flokët në errësirë
E do të të puth lehtë në buzë e në ballë
Kaq.
Lamtumirë!
Komente

Të gjitha çfarë shkruan jan të vërteta,por haron që si kryeministër i ka shërbyerFASHIZMIT, TË SHTOHET E KJO TE BIOGRAFIA.EUGEN A E DI TI SE ÇISHTE NAZIFASHIZMI PMR BOTËN E PËR SHQIPËRINË.KA DHE MË SE KRUJA E DI SI SHPËRNDAHESHIN UNIHORMAF E ZEZA SI ATO QË JU PRITËT ARDHIEN E ITALIS NË VORË E KUDO.BURAT LUFTËN E BËJNË NË VËNDIN E VET DHE VDESIN PËR IDEALET E TYRE NË DHEUN E TYRE E JO TI NGJITEJ TË HUAJIT NGA PAS SI AI PAS KËPUCËSMË THUAJ NJË TË MIRË QË BËRI PËR KRUNË E PËR SHQIPËRIN DHE UNË DOTË KËRKOJ FALIE PUBLIKE.PO NDONJË DOKYMENT ANDEJ NGA B.R.S.S. A NUK KE GJETUR DOT?
PërgjigjuMerlikajt ne kruje kane qene tradhetaret e kombit , Ju shkrimtaret e rinj tregoni historine si eshte dhe jo si ju leverdis juve qe tani te na dilni atdhedashes , ju merlikt keni pasur damken e tradhetarit .Ka akoma ndonje pensionist qe do tjua trgoje me fakte , Turp kush I prano Ketobroçkulla