“Florante dhe Laura” nga Francisco Balagtas, “Rasputini” nga Spiro Mëhilli dhe “Në gjurmë të këngës dibrane” nga Munir Shehu janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
“Florante dhe Laura” është poema më e njohur në Filipine, autori i së cilës, mbahet e vlerësohet si poeti më i madh i këtij vendi, por kjo poemë ka lidhje edhe me Shqipërinë. Botuar në shqip i botuar nga Ombra GVG, ky tekst i letërsisë filipinase mësohet edhe nga nxënësit e shkollave në këtë vend.
Francisco Balagtas e shkroi në tagalisht këtë poemë, gjatë kohës kur vuante dënimin në burg, kohë e cila përkon me periudhën kur Filipinet ishin nën dominimin spanjoll dhe kur e gjithë klasa intelektuale ishte e detyruar të mbështeste gjuhën e kolonizuesit.
Subjekti, epizmi dhe drama e Balagtasit që shfaqen dukshëm në historinë e dashurisë të Florantes dhe Lauras është e vendosur në Shqipëri, në sfondin e konfliktit mes të krishterëve dhe myslimanëve në epokën e mesjetës. Njëkohësisht ky subjekt evokon revoltën e lexuesit ndaj tradhëtisë, mizorisë dhe shtypjes.
Balagtas, mbase qëllimisht, i këndoi lirisë dhe dashurisë për një grua, që jetonte në një vend të panjohur larg nga Filipinet dhe gjendej diku në mesin e Evropës. Ai luftoi për vuajtjet që i shkaktoi dashuria, për drejtësinë, moralin, dinjitetin njerëzor dhe sovranitetin kombëtar.
Kjo poemë e shkruar në 1838-n, është ndër të paktat në historinë e letërsisë filipinase, që nuk resht së botuari edhe në shumë gjuhë të botës.
“Florante dhe Laura” është një histori dashurie por edhe një simbol patriotizmi për Filipinet, që, ashtu si Shqipëria që kërkonte çlirim nga pushtuesit otomanë, edhe ata në atë kohë kërkonin lirinë nga sundimi i kolonizatorëve spanjollë.
Francisco Balagtas konsiderohet si “babai i poezisë filipinase” dhe është një nga personalitetet më të rëndësishme dhe më me ndikim të kësaj letërsie.
Një biografi e thellë e Rasputinit, duke shqyrtuar jetën dhe ndikimin e tij në politikën ruse është romani me autor Spiro Mëhillin.
Rasputini nuk është vetëm një biografi përfundimtare e një njeriu të jashtëzakonshëm dhe legjendar, por një portret magjepsës i muzgut të Rusisë Perandorake, teksa ajo po shkonte drejt katastrofës.
Më tepër se një shekull pas vrasjes së tij, kjo figurë vazhdon të ngacmojë imagjinatën popullore të personifikimit të së keqes.
Biografitë, romanet dhe filmat e shumtë rrëfejnë ngritjen e tij misterioze në pushtet si i besuari i Nikollës dhe Aleksandrës dhe si mbrojtës i trashëgimtarit të sëmurë të fronit rus.
Shthurja dhe ndikimi i keq politik i tij janë material i legjendës, ndërkohë që mbi të është hedhur përgjegjësia e rënies së dinastisë Romanov. Por, historia e vërtetë e jetës dhe vdekjes së Rasputinit ka mbetur e mbështjellë me mite. Ky roman historik sjell figurën komplekse të kësaj figure, duke parashtruar para lexuesit fakte dhe trillime nga më interesantet.
“Në gjurmë të këngës dibrane”, një përmbledhje me këngë, balada, epikë historike dhe lirika është libri me autor Munir Shehun, që vjen nga shtëpia botuese “M&B”.
Pas botimit të “Rreth melosit në këngët dhe vallet dibrane”, botimi i këtij libri me balada, epikë historike e lirika popullore përbën një moment të rëndësishëm për kulturën dhe etnokulturën e Dibrës, por nisur nga ajo se çfarë vetë Dibra përfaqëson në kulturën shqiptare, ky libër është një pasuri me vlerë të veçantë që i shtohet thesarit të kulturës popullore kombëtare.
Këngët e botuara në këtë vëllim shoqërohen edhe me një shpjegim, i cili flet shkurtimisht për personazhet dhe kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, pra për historinë e këngëve.
Autori ishte një mbështetës i mendimit se edhe këngët e popullit duhet të pranohen e të merren si dokumente historike, prandaj paraqitja e tyre me data i shërbente edhe historisë por edhe mbledhësit.
Shumica e këngëve të këtij vëllimi botohen në disa variante, - siç i ka mbledhur autori, si dhe me vijën melodike të shkruar po prej autorit.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
Teodor Keko shkrimtar, poet i njohur, gazetar shqiptar. Ai njihet për antikonformizmin në artin e tij. Përsa i përket poezisē, vargu i tij është i thjeshtë i rrjedhshëm, i drejtpërdrejte por shquhet gjithashtu për ndjeshmërine e madhe të fjalës. Me origjinalitetin dhe sinqeritetin në krijimin e tij arriti të bëhet mjaft i dashur për lexuesin.
Poezia e parë
Nuk kishte drita dhe ishte natë
dhe dhoma ishte gjithë aq e ftohtë.
Veç sytë e tu mbushur me flakë
dhe trupi yt tmerrësisht i ngrohtë.
Një dashuri të verbërish qe
asgjë nuk pashë, as gjinj, as hije.
Pastaj ti ike dhe atje
mbeti një varr, varr dashurie.
Tani që erdhën dritat prapë
ti s’më përfill, ti nuk më njeh.
Dhe unë si mashkull gjysmë i marrë
në ëndrra veç të vesh e zhvesh.
Sot gjinj e hije shoh, por s’prek,
as ngrohtësia s’më vjen në gjoks.
Pa drita keq, me drita keq,
diçka na ishte, që kurrë nuk ndodh.
Të dashuruar
Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg ti shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve – karficë e bardhë.
Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.
Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.
Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetësisht të bukur – thotë.
Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! Përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna – karficë e bardhë.
Komente
