1. SUEDEZI KRISTOFFER LEANDOER, ESE MBI LETËRSINË NË ARRATI
Titulli: Gjakime kthimesh, gjakime ikjesh (Ese mbi letërsinë në arrati)
Autori: Kristoffer Leandoer
Përktheu: Entela Tabaku, Shqiptar Oseku
Gjinia: Ese
Shtëpia botuese: Berk
Çmimi: 1500 lekë
Që nga koha e Mojsiut, e Uliksit dhe e Ksenofonit, letërsia ka bërë fjalë për mërgimin dhe për rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi; që nga Eneu, ajo ka shtjelluar ekzilin dhe rrugën e gjatë të largimit. Njëherit, tek ajo pikëprerje luhet edhe qytetërimi ynë bashkëkohor.
Gjysma e botës në arrati për të shpëtuar jetën e gjysma në mësymje drejt gjërash që shpërthejnë, përflakin e copëtojnë – në lojëra ose seriale, të cilat mund t’i fikim kur të duam.
Në këto ese brilante dhe thellësisht intime, Kristoffer Leandoer na fton të ndjekim gjurmët e letërsisë që lind në lëvizje — ndërmjet mërgimit dhe kthimit, ikjes dhe mallëngjimit për një shtëpi që s’mund të jetë më si më parë. I shkruar me një ndjeshmëri të rrallë ndaj humbjes, gjuhës dhe endjes së njeriut nëpër hapësira e fjalë që nuk i përkasin më, ky libër na udhëheq nga ekzili i Ovidit në brigjet e ftohta të Detit të Zi te biblioteka lëvizëse e David Boëie-t, nga arratia e heshtur e Shirley Jackson te kthimi i pamundur i Henry James — për të na kujtuar se letërsia është gjithnjë një udhëtim prej nga dalim të ndryshuar.
Libri është gjithaq një meditim mbi shkrimtarin si “i huaj” — si endacak i përhershëm, që kërkon një gjuhë ku të mos jetë kurrë plotësisht në shtëpi. Në këtë gjakim për një atdhe tjetër, për një tekst më të vërtetë, për një dhomë të fshehtë ku njeriu mund të struket e të shpëtojë, letërsia shfaqet si dëshmi, si strehë e si mundësi për mbijetesë.
Përkthyer nga Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku, në gjuhën shqipe, vjen një vepër që flet për çdo lexues që ka ndjerë ndonjëherë mallin për të pamundshmen dhe për të shkruarin si formë e arratisë më të thellë.
2. HISTORIA E NJË FAMILJEJE HEBREJE ANTIFASHISTE NGA GINZBURG
Titulli: Fjalor familjar
Autore: Natalia Ginzburg
Përktheu: Donika Omari
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1200 lekë
“Fjalor familjar” rrëfen historinë e një familjeje hebreje dhe antifashiste, Levi-t, të vendosur në Torino në fillimvitet 30-të dhe 50-të.
Rrëfimi nis nga e vërteta, jo nga imagjinarja. Është një grusht kujtimesh që mbijetuan vetëm në sajë të kujtesës së fjalëve, shprehive, mënyrave të të shprehurit, frazave të dëgjuara të përsëriten kaq herë në familje, të hedhura ashtu thjesht, pa u menduar, nga vëllezërit më të mëdhenj dhe prindërit, fraza dhe fjalë furacake pa peshë, që zakonisht humbasin në kohë dhe harrohen sapo rritesh dhe largohesh nga shtëpia.
Besnikëria dhe dashuria për këto fjalë ngjallin tek autorja e “Fjalorit…” kujtime që nuk dinë të vdesin, kujtime të gjalla, të fuqishme, që gjenerojnë për arsye përshoqërimesh të pavullnetshme një histori, një vizatim, ose, nëse do, një roman ku grumbullohen njerëz dhe fate të ndryshme.
3. BLETA NË DORË, LETRAT DIDAKTIKE TË LOJËS PËR FËMIJË
Titulli: Çifto dhe fito
Autori: Rudina Çupi
Zhanri: Lojra didaktike
Ilustrimi: Jona Muçollari
Shtëpia botuese: Pupëz
Çmimi: 600 lekë
Për ata prindër që e kanë të vështirë të mbajnë fëmijët në shtëpi apo brenda çadrës kur janë në plazh në këto ditë të nxehta, këto letra janë të shkëlqyera, argëtuese dhe edukuese.
“Çifto dhe fito” janë ideuar për fëmijët e vegjël 3-4 vjeç, ndërkohë që loja vjen e përkthyer edhe në gjuhën angleze.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" vjen emocioni i vargut të Dritëro Agollit. Agolli është një nga poetët dhe prozatorët më të njohur të letërsisë shqipe të shekullit XX. Disa breza u rritën me krijimtarinë e tij.
Poezia e Dritëro Agollit ruan një stil të thjeshtë dhe gjuhë të kuptueshme për të gjithë, pa ndërlikuar mesazhin. Kjo thjeshtësi është pikërisht dhe forca e tij. Vargu i tij herë i menduar, herë ironik e me humor, arrin të jetë njëkohësisht mjaft i ngrohtë e njerëzor.
Është poeti i jetës së përditshme, i fshatarit, bariut, punëtorit; i këndon atdheut, natyrës dashurisë duke kthyer kështu jetën e thjeshtë në art poetik. Tematika e poezisë së tij është shumë e larmishme por këtë herë "Melodia e Vargut" sjell tri poezi dashurie shumë të njohura. Dy prej tyre kanë frymëzuar dhe këngë.
Dashuri e vështirë
Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.
Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njëri tjetrit kemi ngarë.
Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.
Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë.
Këtu s'do të jem
Këtu s’do të jem do jem larguar
Nën tokë, i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Më s'do më shohin kamerierët
Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë
Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do me kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë.
Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t’vij pranë teje
Ti si dikur me mall do të qeshësh
Si një blerim pas një rrëkeje
Mjegulli i dashurisë
Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.
As e kuptoja si të desha
Një mjegull pus një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepëse e i bën hi.
Dhe ndoshta kjo ish dashuria
E çakërdisur kuturu…
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu.
Komente
