Rubrika në Librari

Kultura

Në Librari vjen me tre tituj të rinj: ‘Grama Tik-Tok’, ‘Nënshtresa’ dhe ‘Nga drita në dritë’! Melodia e Vargut ju sjell poezi nga Rudyard Kipling

6 Korrik, 11:11| Përditesimi: 6 Korrik, 11:15

  • Share

“Grama Tik-Tok” nga Rudina Çupi, “Nënshtresa” nga Rael Hoxha dhe “Nga drita në dritë” nga Xhoni Jashari janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

RUDINA ÇUPI, AUTORE

 “GRAMA TIK-TOK” NJË PËRRALLË GJUHËSORE NGA RUDINA ÇUPI

Titulli: Grama Tik-Tok (Përrallë gjuhësore)
Autori: Rudina Çupi
Ilustruar nga Klaudia Sorra
Shtëpia botuese: Pupëz
Çmimi: 800 lekë

Në “GramaTik-Tok” jetojnë dhjetë banorë gjuhësorë, më të çuditshmit që keni parë ndonjëherë: pjesët e ndryshueshme e të pandryshueshme të ligjëratës, të cilët futen në aventura e krijojnë histori për t’i treguar së bashku rreth zjarrit me xixare. E rrëfyer si përrallë, ku personazhet, si: emri, folja, mbiemri etj., janë po aq çamarrokë e të mençur, të ndjeshëm e të lezetshëm sa vetë fëmijët, gramatika bëhet më e kuptueshme e më e dashur për shkollarët e vegjël. Në fund ka lojëra argëtuese gjuhësore bazuar në pasuritë e pafundme që ofron gjuha jonë e bukur.

RAEL HOXHA, AUTOR

“NËNSHTRESA”, NJË ALBUM FOTOGRAFIK PËR NDËRTESAT E TIRANËS

Titulli: Nënshtresa (Album fotografik)
Autori: Rael Hoxha
Kuroi: Erlinda Çeliku
Shtëpia botuese: Dollonja

Në Tiranë gjenden me mijëra shtëpi, vila, prona të vjetra, të cilat bashkëjetojnë në brendësi dhe në fshehtësi të objekteve të reja shumëkatëshe. Nisur nga fillimshekulli i njëzetë, ato ishin shtresa kryesore e urbanistikës së kryeqytetit të Shqipërisë. Lindur nga stili neoklasik, ato i mbijetuan periudhës së brutalizmit komunist. Gjatë diktaturës disa prej tyre përfaqësonin klasën kundërshtare, ndërsa disa të tjera rrëfenin heroizmin kundër pushtuesit në Luftën e Dytë Botërore. Një pjesë e shoqërisë së asaj kohe nuk banon më në këto ndërtesa, disa prej tyre janë subjekt i proceseve gjyqësore mbi pronësinë dhe fati i tyre është i vulosur prej valës së re të rritjes së popullsisë, pasurimit të individëve, modernizimit dhe korrupsionit.

Dëmtimi dhe zhdukja e këtyre godinave rrezikon trashëgiminë evropiane të Tiranës, ndërsa ato pak objekte të restauruara i shtojnë hijeshi qytetit të betonizuar dhe mbartin vlerë monetare të lartë. Edhe pse sot ekzistenca e tyre është e kushtëzuar, duke u trajtuar si vjetërsira, këto banesa të paqeta arrijnë të kenë ndikim në jetën e qytetit dhe estetikës së tij. Si dëshmi e një antikiteti modern, ky album fotografik sjell copëza të nënshtresës së sotme që ato përfaqësojnë, në kujtim të njerëzve që i ndërtuan dhe kryeqytetit që nuk do të jetë më.

XHONI JASHARI, AUTOR

JASHARI, NGA SHËRBIMI NË AFGANISTAN NË BOTIMIN E NJË LIBRI

Titulli: Nga drita në dritë
Autori: Xhoni Jashari
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 600 lekë

“Një nga udhëtimet më të mrekullueshme që mund të ndërmarrim është ai në dritën e brendshme. Një udhëtim që nuk ka nevojë për valixhe, as për një biletë udhëtimi, por që kërkon vetëm një hap të vogël drejt vetvetes. Ky udhëtim është një proces shpirtëror, një kërkim i brendshëm për të kuptuar  dhe për të shfaqur dritën që është brenda çdo qenieje të gjallë.”

Me këto fjalë e fillon librin e tij me përsiatje filozofike e metafizike autori i ri Xhoni Jashari.

Me përvoja të ndryshme jetësore, Jashari beson se përmes meditimit, leximit dhe të shkruarit ka gjetur pikërisht udhën që e çon te vetvetja.

Mes të tjerash, ai ka shërbyer me mision ushtarark edhe në Afganistan, përvojë që thotë se e ka bërë ta shohë jetën në një dimension të ri.

Ky është i pari libër i autorit, për të cilin thotë se nuk është shkruar për të bindur, por për të kujtuar.

“Në këto faqe nuk do të gjeni predikim, por ndjeshmëri. Nuk do të lexoni rregulla, por kujtime shpirtërore. Ndjenja që nuk përshkruhen me fjalë, por që përshkruhen nga të gjithë ata që janë zgjuar ose po zgjohen nga gjumi i përkoshëm i harresës.”, -vërehet në parathënien e këtij botimi.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e vargut" vargjet e Rudyard Kipling.

Rudyard Kipling, shkrimtar, poet, gazetar i njohur britanik.

U lind më 30 dhjetor 1865 në Indi vend ky i cili frymëzoi shumë krijimin, mendimin dhe vizionin e tij për jetën.

Fitues i çmimit “Nobel” në vitin 1907. Vepra e tij vlerësohet për fuqinë e vëzhgimit, të analizës por dhe për origjinalitetin, imagjinatën dhe forcën e ideve. Krijimtaria e tij është një dokument i rëndësishëm historik dhe letrar që reflekton tensionet dhe kontradiktat e kohës. Librat e Kipling vazhdojnë të jenë shumë të vlerësuar.

"Libri i xhunglës" ka hyrë në klasikët e letërsisë për fëmijë, një libër që nuk njeh kohë.

Është në të njëjtën kohë i vlerësuar edhe për poezitë e tij të fuqishme.

Një ndër to ajo me titull:

Në mundsh

Poezia është shkruar në formën e një letre drejtuar të birit. Thekson rëndësinë e besimit në vetvete si dhe atë të përballjes me suksesin por dhe me dështimin. Lartëson ndër të tjera virtytin e thjeshtësisë.

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota

humbet fillin

e fajin ta hedh ty dhe vetes t’i besosh,

sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin

por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje,

nga pritja pa u lodhur,

e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,

madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,

me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatêrrim,

të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,

dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim

ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh. ..

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta

në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,

t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta

e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh

si në kumar, në një të vetme lojë,

të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,

dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër

të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,

e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,

që vetëm fjalën “qëndro!” gjithmonë të thotë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash

e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…

Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,

dhe gjithkënd e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat e kohës

me vepra që peshojnë

dije dhe mos kij asnjë dyshim,

se jotja do të jetë bota, me ç’ka brenda,

dhe burrë do të jesh atëherë, biri im!

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?