1. “I PANJOHURI”, DIANA ÇULI RIKTHEHET PËR LEXUESIN ME TREGIME
Titulli: I panjohuri
Autori: Diana Çuli
Gjinia: Tregime
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 900 lekë
Një tufë tregimesh përgjithësisht të shkurtra, çaste dhe ditë me përjetime shpesh të shpejta dhe fluturake, por që lënë gjurmë jo lehtësisht të harrueshme në ndërgjegje të dyzuara, në shpirtra të lënduar, në të tjerë të pavarur e të pamposhtur, në karaktere të thyeshme, në zemra të gjera, në mendje të lira, të mprehta, të hareshme.
Tregimet e këtij libri janë botuar për dy vjet me radhë në disa numra reviste, ndërsa hapësira e caktuar për botimin e një tregimi ishte vetëm një mijë e pesëqind fjalë. Për autoren ky ka qenë një lloj eksperimentimi.
Pena e Diana Çulit këtë herë e ka lënë derën e rëndë të romanit për të trokitur përsëri te një dashuri e saj e vjetër, tek tregimi, duke na sjellë këtë prozë të ndjeshme, me bukuri peizazhesh, brishtësi të ndjesive, me fraza të kursyera dhe me mendimin që lëvrin nëndheshëm.
2. “KATUNDI MES MALESH”, TREGIMET ‘FANTASTIKE’ TË RAMIZ GJINIT
Titulli: Katundi mes malesh
Autori: Ramiz Gjini
Gjinia: Tregime
Përzgjodhi dhe përgatiti për botim: Fitore Ndreu
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 800 lekë
Tregimet e Ramiz Gjinit nuk vijnë me madhështi epike për të prekur lexuesin, ato vijnë me situata njerëzore, krejt të heshtura, me detaje të holla dhe fine, dhe kur tregimi mbaron, të bën për vete, sikur të ishe pjesë e rrëfimit. Kështu ndodh me këto tregime të këtij vëllimi, që vijnë të shkruar me një gjuhë të pasur, me një frazë të qartë - shpesh e kursyer, por që përcjellin shumë ngarkesë emocionale dhe shumë kuptim.
Pesëmbëdhjetë tregimet e këtij vëllimi janë përzgjedhur me kujdes, që e sjellin Ramiz Gjinin në prozën e shkurtër shqipe, me një frymë bashkëkohore dhe mesazhe universale.
Ramiz Gjini ka lindur më 1961 në Kastriot të Dibrës. Më 1992 përfundon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku specializohet si aktor. Pas përfundimit të shkollës punon si redactor i faqeve kulturore në gazetën “Rilindja Demokratike”. Në vitin 2000 emigron në SHBA, Nju Jork, ku jeton aktualisht.
Ka botuar vëllimet me tregime: “Dush varrezash” (1998), “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” (1999), “Atdheu prej dëbore” (2003), “Mendjet e njerëzve” (2005), “Rrëfime në hije” (2008), “Posta që sjell era” (2010) dhe romanet “Rrëketë” (2004), “Bibollasit” (2010), “Pëllumbat e rrugës” (2015), “Bijtë e Zotit tonë”. “Atdheu prej dëbore” është botuar në gjuhën rumune i përkthyer nga Marius Dobresku. Ky roman ka fituar çmim si romani më i mirë i botuar gjatë vitit 2010.
3. VALÉRIE PERRIN, AUTORJA FRANCEZE NJË RRËFIM PËR TRE SHOKË
Titulli: Tre
Autori: Valérie Perrin
Përktheu: Margarita Skënderaj
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1700 lekë
“Quhem Virgjini. Nga Nina, Adriani dhe Etieni, Adriani është i vetmi që më flet akoma. Nina më përçmon. Sa për Etienin, jam unë ajo që nuk dua t’ia di më për të. E megjithatë, që nga fëmijëria, ata më tërheqin pa fund. Kam qenë gjithmonë e lidhur vetëm me ata të tre.”
Ky është një pasazh nga romani “Tre” i autores franceze Valérie Perrin, i sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Dudaj”.
1986. Adriani, Etieni dhe Nina njihen që në klasë të pestë. Shumë shpejt ata bëhen të pandashëm dhe lidhen në një premtim: të largohen nga provinca ku jetojnë, të shpërngulen në Paris dhe të mos ndahen kurrë.
2017. Nga fundi i një liqeni, në fshatin e vogël ku janë rritur, nxirret një makinë dhe brenda saj zbulohet trupi i një gruaje të re. Rastin po e ndjek Virgjinia, një gazetare me një të shkuar enigmatike. Pak e nga pak, Virgjinia zbulon lidhjet e jashtëzakonshme që bashkojnë këta tre miq fëmijërie. Çfarë ka ndodhur me ta? Ç’lidhje ka skeleti i makinës me historinë e miqësisë së tyre?
Pas suksesit të “Lulet e shpirtrave”, autorja franceze Valérie Perrin rikthehet për lexuesin shqiptar me romanin “Tre” – një rrëfim prekës mbi miqësinë, kohën dhe humbjen.
Perrin na zhyt në kujtimet e adoleshencës dhe në misterin e një ngjarjeje që ndryshon gjithçka, duke krijuar mjeshtërisht një roman formues.
Valérie Perrin ka dhuntinë për të kapur thellësinë e pagjasë të ndodhive të jetës. Duke ndjekur fijet e një ngjarjeje dërrmuese dhe të pamëshirshme, autorja na shpie në zemër të adoleshencës, të kohës që shkon e na ndan.
Librat e Perrin janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë dhe janë shitur mbi dy milionë kopje.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e vargut" vjen poezia e Natasha Lakos.
Natasha Lako është shkrimtare, poete, gazetare, gjithashtu dhe skenariste e shumë filmave shqiptarë.
Një ndër zërat e parë femërorë dhe një penë e veçantë në poezinë shqipe. U lind në qytetin e bukur të Korçës.
Nisi të publikojë poezi në moshë shumë tê re. Gjithashtu fituese e disa çmimeve të rëndësishme. Vargjet e saj gjenden të botuara në antologji të ndryshme dhe janë përkthyer në disa gjuhë.
Mbi një llambë të rrugës
Mbi një llambë të rrugës bie borë, bie borë
Me vetmi të shuar, të shuar, të shuar.
Unë e ndiej se e ka tê pamundur të shkojë
Mbi një llambë të rrugës bie borë, bie borë, bie borë
Me vetmi të shuar, tê pamundshme të ikë
Bie borë, bie borë,
Mbi një dritë
Kërkohet urgjentisht një univers tjetër.
Kërkohet urgjentisht një univers tjetër,
thoshin shirat, ndërrohen edhe çadrat një nga një,
njerëzit ngrohin frymën me fatin e tyre.
Edhe një çadër e vogël, m’i ngatërron mendimet,
dhe lejlekët e vegjël, që këmbehen gjithnjë.
Si t’ia bëj unë me diamantet e syve,
në këtë botë që po vjen.
Nuk më lë bora
Nuk më lë bora të shoh
Çatitë e kuqe dhe pemët e zhveshura,
Por ndiej si nën të
Lëviz pranvera.
Flokët e borës
Bien e shkrijnë në qepallat e mia,
Kaq lot të bukur,
Kaq lot të bardhë
Mund të pikojnë vetëm nga dashuria.
Komente
