Kultura

‘Në Librari’ me 3 tituj: 'Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve', 'Udhëtim nëpër Maqedoni dhe Shqipëri', 'Një martesë e mirë'

22 Qershor, 09:29| Përditesimi: 22 Qershor, 11:44

  • Share

 “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve” nga Olga Tokarczuk, “Udhëtim nëpër Maqedoni dhe Shqipëri” nga M.F. Karlova dhe “Një martesë e mirë” nga Kimberly Mçreight janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

“KALOJE PLUGUN MBI ESHTRAT E TË VDEKURVE” RISJELL TOKARCZUK

Titulli: Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve
Autori: Olga Tokarczuk
Përktheu: Astrit Beqiraj
Shtëpia botuese: Papirus
Çmimi: 1200 lekë

Janina Dushejko jeton vetëm në një zonë malore të izoluar, në Luginën e bukur Klloxka. Grua e moshuar, paksa ekscentrike, inxhiniere në pension, ajo adhuron natyrën, astrologjinë dhe veprën e Ëilliam Blake. Një mëngjes ajo gjen një komshiun e vet të vdekur në kuzhinën e tij, të mbytur me një kockë të vogël. Ky është fillimi i një serie të gjatë krimesh misterioze në vende ku gjenden gjurmë kafshësh. Policia heton. Të gjitha viktimat i bashkonte pasioni për gjuetinë. Kur Janina Dushejko përpiqet të paraqesë teorinë e saj mbi këtë çështje, të gjithë e marrin për të çmendur... Si mund ta besonin se kafshët po hakmerreshin ndaj vrasësve të tyre?

Olga Tokarczuk është ndër autoret bashkëkohore më të famshme dhe më të vlerësuara nga kritika në Poloni. Ajo ka marrë çmime të shumta letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Çmimin Nobel në Letërsi 2018.

“Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve’’ vjen si një hetim filozofik i mbështjellë me hijen e misterit të një vrasjeje. Nëpërmjet syve të Janinës, rrëfimi sfidon besimet konvencionale dhe nxjerr në pah tensionin midis shoqërisë njerëzore dhe botës natyrore.

SHËNIME UDHËTIMI PËR MAQEDONINË E SHQIPËRINË E 1868-ËS

Titulli: Udhëtim nëpër Maqedoni dhe Shqipëri
Autori: M. F. Karlova
Përktheu: Vladimir Bregu
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 700 lekë

“Një ditë rrugë nga Voskopoja, në male ndodhet fshati shqiptar Vithkuq. Ai paraqet një tablo të tillë shkretimi si Voskopoja, megjithëse më parë ishte, siç thonë banorët, qytet i madh; ndërtesat e 12 kishave dhe 2 manastireve ende janë të paprishura. Tani kanë mbetur të banuara gjithsej 50 deri 60 shtëpi. Rrugës ne kaluam pranë fshatrave po shqiptare Dvoran dhe Leshnjë, të cilët gjithashtu kishin dikur popullsi të madhe, por tani janë të shkretë. Shkuam në këtë vend të shkretë që të shihnim manastirin e shën Pjetrit, jo larg Vithkuqit. Ne dëgjuam se aty është një bibliotekë e madhe. Me të vërtetë atje ishte një dhomë e tërë e mbushur me libra të mëdhenj dhe një shumicë fashikujsh, të botuara në tipografinë e Voskopojës (që tani nuk ekzistonte). (Vjeshtë e vitit 1868)

Kjo është një pjesë nga përshkrimi që autorja ruse M.F. Karlova i bën Shqipërisë në vitin 1868.

Në këtë përshkrim autorja niset nga fakti që Maqedonia dhe Shqipëria kanë qenë pjesë e Perandorisë Otomane (turke), prandaj edhe në shkrimin e saj qytetet shqiptare që i ka vizituar shkruan se janë “qytete turke”.  Gjithashtu përmend edhe popullsinë myslimane të këtyre qyteteve, por duhet të kuptojmë se këtu përfshihen edhe shqiptarët; ose kur thotë turkeshat, përsëri bëhet fjalë për femrat shqiptare. Përshkrimet e saj janë interesante, sidomos për veshjet, zakonet, krahasimet që bën ndërmjet femrës bullgare dhe asaj shqiptare, flet për fustanellën, duke e cilësuar që është tipike tradicionale shqiptare, ndërhyrjet e Patriarkanës së Kostandinopojës për të asgjësuar librat e shkruar në gjuhët e tjera, përveç asaj greke, dhoma e madhe në Vithkuq plot me libra dhe fashikuj etj.  

GËNJESHTRAT E MARTESËS ‘SË MIRË’ DHE NJË TRILLER LIGJOR

Titulli: Një martesë e mirë
Autori: Kimberly McCreight
Përktheu: Artan Meçi
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1500 lekë

Kur një grua e re me një të kaluar të errët gjendet e vrarë, burri i saj akuzohet. Por çfarë sekretesh fshihte ajo dhe çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura në lagjen shumë luksoze, në dukje perfekte, të Park Slope?

Liz Kitsakis, një ish prokurore federale që ishte e paguar keq, tani punon deri vonë në studion ligjore “Young & Crane”. Orët e gjata të punës janë të zakonshme për të. Ajo dhe Semi, bashkëshorti i saj i mrekullueshëm e i përkushtuar kishin arritur gjithçka kishin ëndërruar në jetë, deri në çastin, kur marrëdhënia e tyre u kris para syve të tyre. Jeta që kishin ndërtuar ishte vetëm një gënjeshtër, dhe kjo, nuk kishte ardhur aq rastësisht. Krisjet në martesën e tyre kishin filluar shumë kohë më parë, por ata e kishin shmangur shikimin në brendësinë e problemit. Ajo që nuk e dëshironte Lizi në këtë gjendje të turbullt idilike, ishte pikërisht telefonata e dëshpëruar e mikut të vjetër të saj, Zak Grejsonit, nga burgu Rikers. Amanda, bashkëshortja e tij, ishte gjetur e vdekur në fund të shkallëve të gurta, në shtëpinë e tyre në Brooklyn dhe ai ishte arrestuar si i dyshuari kryesor.

Liz i mënjanon problemet e saj për të zbuluar autorët e kësaj vrasjeje.

Pjesërisht triller ligjor, pjesërisht suspensë familjare, i pastër që të bën të kthehesh në faqe, ky është një roman që do të të bëjë të vësh në dyshim gjithçka që mendove se dije për martesën.”

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" prezantohet libri me poezi "Në krahët e dashurisë" i autores Amarilda Dokollari.

Pikërisht siç thotë poetja, dashuria merr krahë dhe bëhet përjetësi kur fjala fle në zemër dhe zgjohet në letër. Ajo nuk është thjesht ndjenjë, por është strehë e shpirtit edhe kur nata bie mbi ne. Në krahët e saj gjejmë forcën për të falur, për të besuar e për të jetuar sërish.

Poezia ka qenë shpesh strehë shpëtimi edhe për autoren. Ka nisur të shkruaj në kohë dhimbjeje, kur ndjesitë kërkonin të dilnin përmes fjalës. Ndêr vargjeve, ka rrëfyer dashuri të thella, plagë të heshtura, kujtime që nuk zbehen dhe shpresa që nuk vdesin.

Më poshtë dy poezi shkëputur nga libri i saj.

VENDLINDJA IME

Vendlindja ime, aty ku u lind shpirti,

ku çdo gjethe është një kujtim,

çdo frymë një ndjenjë.

Aty ku dielli ngroh më shumë

dhe hëna ndriçon më fort,

çdo hap i imi është një histori

që nuk harrohet kurrë.

Në rrugicat e tua u rritëm me dashuri,

në ajrin tënd prek çdo ndjenjë të fortë.

Në çdo mal, çdo fushë, çdo lum,

Vendlindja ime është gjithçka

që më mbush me krenari.

Atje ku toka ka ngjyrë dhe jeta ka ritëm,

në zemër je përjetësisht e pranishme. Vendlindja ime, pasion dhe kujtime,

për ty çdo fjalë është e vogël,

çdo poezi e pakët, vendlindja ime.

DASHURISË SË PËRJETSHME

Ty të shkruaj, me zemër në dorë,

Në çdo rresht ndjej shpirtin që flet.

Je si një dritë që s'fiket kurrë,

që më ndjek butë në çdo rrugë e shteg

Në netë të heshtura, me mall të fshehur, Emrin tënd e them si lutje të shenjtë.

S'më mjafton jeta për të të dashur,

E vitet që ikin s'e ftohën këtë ndjenjë.

Ti je fillimi dhe fundi im,

Në çdo mendim, çdo ëndërrim,

Dashuri që më djeg si flakë në gji.

Një premtim që s'ndryshket me kohë, Dashuri që jeton në çdo përqafim.

Një premtim i shkruar në frymë të qiellit.

Ti për mua je rrezja e diellit.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?