Kultura

Në Librari vjen me tre tituj të rinj: ‘Kandidati për kandidat’, ‘Puthlutja ime’ dhe ‘Udhët e Evës’! Melodia e vargut ju sjell poezinë e Charles Baudelaire

29 Qershor, 09:08| Përditesimi: 29 Qershor, 11:31

  • Share

“Kandidati për kandidat” nga Arben Çejku, “Puthlutja ime” nga Alban Bala dhe “Udhët e Evës” nga Valentina Korçari Muka janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

 “KANDIDATI PËR KANDIDAT”, SATIRË PËR POLITIKËN SHQIPTARE

Titulli: Kandidati për Kandidat
Autori: Arben Çejku
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 800 lekë

Personazhi kryesor i kësaj novele quhet thjesht Kandidati për kandidat, një qenie pa emër të vetin, që përfaqëson të gjithë ata individë që ndodhen në fazën e përhershme të pritjes, të provimit, të miratimit nga lart...

Kjo është një novelë që i tejkalon kufijtë e satirës klasike dhe hyn në territorin e një tragji-komedie politike, ku e qeshura zëvendësohet me një buzëqeshje të trishtuar, dhe ironia përthith dhimbjen e heshtur të të gjithë atyre që janë “kandidatë për të qenë”, por kurrë nuk bëhen pjesë e lojës. Një vepër brilante, që i flet jo vetëm Shqipërisë së sotme politike, por edhe gjithë shoqërisë, e cila duhet të bazohet te vota e lirë dhe konkurrenca e ndershme.

“PUTHLUTJA IME”, VËLLIMI I RI POETIK I AUTORIT ALBAN BALA

Titulli: Puthlutja ime
Gjinia: Poezi
Shtëpia botuese: M&B
Çmimi: 1000 lekë

“Puthlutja ime” është botimi më i ri i autorit Alban Bala. Një emër i njohur në poezinë shqipe të viteve ’90-të e deri më sot, ky vëllim poetik vjen përmes një neologjizmi.

Autori shprehet se ky është një libër i jetuar, ku është bashkuar lutja apo rruga drejt Zotit dhe puthja apo rruga drejt njeriut.

Por çfarë veçon vetë poeti Bala nga këto poezi?

“Puthlutja ime” është libri i 13-të i autorit në shqip.

Alban Bala ka lindur në Lezhë. Libri i tij i parë me poezi “Semafor” u botua në vjeshtën e vitit 1989. Pas kthimit nga emigracioni në vitin 1993, vijuan një numër botimesh si “Lermë të hesht” në poezi, novela dhe tregime: “Vullkane të Përgjumur”, “Çmendina” dhe “Të verbërit”.

Pas viteve 2000 ai botoi “Ikje nga Shtrati”, një botim me katër novela, “Qyteti me Sy të Kuq”, një përmbledhje me tregime dhe romanin “I Dështuari” në vitin 2017.

Megjithatë, poezia mbeti dashuria e jetës së tij.

Në 2006 ai botoi “Ngjyra mbi det”, “Dashuria e Burrit” në vitin 2013, “Orët e Shtëpisë” në vitin 2023 dhe tani “Puthlutja ime”.

Bala është përkthyer edhe në turqisht, ndërsa është botuar edhe në shtypin letrar në Itali.

“UDHËT E EVËS”, RRËFIM AUTOBIOGRAFIK NGA VALENTINA KORÇARI

Titulli: Udhët e Evës
Autori: Valentina Korçari Muka
Shtëpia botuese: Mediaprint
Gjinia: Roman
Çmimi: 1000 lekë

“Udhët e Evës” është një roman autobiografik, i pari i autores, e cila edhe pse nuk është shkrimtare, ndien nevojën të rrëfejë historinë e jetës së saj. E lindur në Kuçovë, pas studimeve të larta këtu dhe një jete të ndërtuar në Shqipëri, pas vdekjes së të shoqit, Valentina bashkë me dy fëmijët zhvendoset në Kanda, ku jeton edhe sot, prej 21 vitesh.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" vjen poezia e Charles Baudelaire

1821-1867

Baudelaire është një ndër poetët më të njohur francezë të shekullit XIX.

Mendimi krijues i Baudleaire shtrihet përgjithësisht mbi një vështrim pesimist të botës.

Artisti besonte se zhvillimi, përparimi i shpejtë si dhe rendja drejt përfitimeve materiale nuk ishin gjë tjetër veçse një pengesë për të vlerësuar realisht të bukurën. Poeti arrin ta njohë e prekë të bukurën nëpërmjet dhimbjes dhe melankolisë së tij.

Disa prej poezive të tij u konsideruan të pamoralshme për kohën dhe si rrjedhojë u censuruan.

Vizioni i tij për jetën ka qenë kontradiktor dhe shumë i ndërlikuar. Poezinë e ka përdorur për të eksploruar në thellësinë e shpirtit njerëzor. Jeta dhe krijimtaria e tij ka qenë e ndërtuar nga konflikti i përhershëm mes së mirës dhe së keqes, bukurisë por dhe korrupsionit shpirtëror të njeriut. Përjetim ky i cili shprehet në një ndër poezitë e tij më të njohura me titull

 Albatrosi: Ai e përshkruan këtë shpend pikërisht madhështor në qiell dhe të plogësht në tokë.

Albatrosi

Marinarët shpeshherë sa për shaka

gjuajnë albatrosë, këto shpezë të mëdha,

bashkudhëtarë të plogësht që fluturojnë mbi det

mbi anijen që sipër greminave të njelmta shket.

Porsa t’i vendosin në dërrasa, të mundur

këta mbretër të kaltrisë së ngathët e të përunjur,

të ndjellin mëshirë me ata krahë mbërthyer,

të mëdhenj e të bardhë si rrema të thyer.

Ky udhëtar krahëgjatë, sa i pagjallëri!

I bukur ka qenë, tani gaz i botës shëmti!

Njëri ia ngacmon sqepin me çibuk,

tjetri e imiton, e përqesh, e nduk!

Poeti i ngjan këtij princi të reve,

s’e tremb dot stuhia as qitësi i shpezëve!

Syrgjyn në tokë, në bisht të shpotisë ngeci

krahët e tij viganë e pengojnë të eci.

Një kalimtareje

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.

Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,

një grua shkoi duke tundur plot salltanet,

kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur,

kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike si shqiponjë.

E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,

pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!

O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,

vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në përjetësi?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do ta shihja kurrë!

Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.

Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!

Atë grua do ta kisha dashuruar vërtet.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?