‘Kinemaja para gjyqit’, ‘Topazi’ dhe ‘Shtek më shtek e skutë më skutë’ janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
“Kinemaja para gjyqit: Nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave" shqyrton pleksjen e sferave të drejtësisë dhe të kinematografisë gjatë epokës së socializmit shtetëror në Shqipëri (1944–1991), duke hedhur dritë mbi dy nga periudhat vendimtare për formësimin e kësaj marrëdhënieje.
Ato përfshijnë dekadën e parë pas ardhjes në pushtet të forcave komuniste, kohë në të cilën u hodhën bazat e ligjshmërisë socialiste dhe të artit të realizmit socialist, si dhe periudhën e Revolucionit Ideologjik dhe Kulturor në gjysmën e dytë të viteve 1960, kohë në të cilën këto sfera u radikalizuan në hap me ndryshimet që kishin përfshirë shoqërinë shqiptare në tërësi.
Kontributi i veçantë i këtij studimi qëndron në vendosjen e marrëdhënies midis drejtësisë socialiste dhe kinematografisë socialiste në Shqipërinë e pasluftës brenda një kuadri avangardist, duke e parashtruar ndërveprimin mes këtyre sferave më së pari në termat e shkrirjes së artit (në këtë rast të kinematografisë) me politikën (në këtë rast me drejtësinë), dhe gjithashtu brenda një kuadri krahasues.
Nga policeskët ose thriller-ët sovjetikë të viteve ’30-’40, te noir-ët amerikanë të viteve ’40-’50, te filmat e kundërspiunazhit kinezë të viteve ’50-’60, autorja gjen shumëçka të dobishme në kinematografitë e vendeve të kampeve kundërshtare të Luftës së Ftohtë për shtjellimin e përpjekjeve të kineastëve vendës për të sjellë luftën kundër armikut të klasës në ekranet shqiptare dhe për ta përçuar atë te spektatori.
Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar, për të interesuarit vjen e botuar në një libër, e para shfaqje që është vënë në skenën e këtij teatri. Përmes kësaj vepre mësohet se si nisi rrugëtimi i teatrit profesionist në Shqipëri.
Në dosjet arkivore të Teatrit Kombëtar, rezulton se “Topazi” është premiera e parë e Teatrit Kombëtar, e luajtur më 30 maj 1945.
Por a është vërtet kjo data e saktë e premirës së kësaj shfaqje nëse marrim parasysh disa të dhëna nga shtypi i kohës dhe jo vetëm? Përmes këtij botimi mund të mësoni disa fakte interesante dhe të njiheni më tej me historinë e teatrit në Shqipëri.
Një botim në format xhepi, i përshtatshëm për tu lexuar kudo ku ndodheni. Një libër që të rrëmben me magjinë e të folurës së Dibrës, plot nënkuptime e alegori; krejt origjinale të mbledhura nga Munir Shehu.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" vjen një emër i madh i vargut dhe lirikës shqipe, Llazar Gusho, ose më mirë, siç e njohin të gjithë, Lasgush Poradeci.
U lind në Pogradec në 27 dhjetor 1899. Që në moshë të re u shkollua në Athinë dhe Bukuresht. Mjedisi rumun i asaj kohe ndihmoi shumë në forminin dhe pjekurinë e njeriut por dhe të artistit. Në Bukuresht nisi lidhja dhe miqësia e ngushtë me Mitrush Kutelin, Asdrenin e me figura të tjera. Në kontakt që herët me kulturën dhe traditat e atyre vendeve i mbajti ato te vetja duke pasuruar shpirtin e tij krijues, por duke mos harruar kurrë përkatësinë e tij, rrënjët e vendit e mbi të gjitha të qytetit të lindjes.
Lirika e Lasgush Poradecit mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë poetike shqipe, lexohet, shijohet dhe frymëzon breza të tërë
Është e paimagjinueshme të shkosh në Pogradec e ndërsa shëtit buzë liqenit të mos të të vijnë në mendje vargjet e Poradecit për natyrën, mallin, dashurinë.
Lirika e Lasgush Poradecit është cilësuar shpesh (me të drejtë) e vështirë për t'u përkthyer në përsosmërinë e rimës ritmit dhe shprehisë së saj, ndonjëherë po aq e thellë në analizë, të padiskutueshëm veç mbeten emocioni, bukuria, nostalgjia, mjeshtëria dhe origjinaliteti i një vargu që ka ditur të hyjë e depërtojë në mendje e shpirtra të shumë brezave në mbarë Shqipërinë.
Vargjet më poshtë Poradeci ia ka dedikuar një vajze që dashuronte kur ishte i regjistruar ne Akademine e Arteve te Bukura ne Bukuresht. Ajo quhej Lula dhe ishte mjeke. Ata u ndane kur ai në vitin 1924 me bursë te shtetit shkoi për të studiuar në Austri.
Por dashurinë e tyre ai e bëri "Dritë të bardhë" pra e përjetësoi.
Letërkëmbim
Ti qan me lot se vate dashurija?
Vate e mbaroj e më s'i mbet as hija,
E na la pás po zinë-e dhemshurinë?
Zi-dhemshuri! që m'i merr mënt' e mija!
Zi dhemshuri, s'm'a merr dot fshehtesinë!
E nuk m'a ndal një yll që m'u pat shuar,
E nuk m'a ndal rrufe që pat dermuar,
As ata sy që vanë-e më nuk ardhë.
s'm'a ndalni dot ah! dhembjen e treruar
Të bëhet zjarr e flakë-e dritë-e bardhë!
Vargje të tjera tê mrekullueshme janë dhe ato me titull:
Ti buzëndritur në stoli
Nër ato male shtat-mëdhaja,
Nër ata pyje me fshehtësi,
N’ato mburima lozonjare,
N’ata shkëmbenj plot llaftari;
Ku fryn një erë pastërtije,
E vetëtin një bukuri,
E ritet malli posi deti,
E ndizet zemëra në gji;
Ku nuku duket asnjeri,
Ku vemi shpesh veç un’e ti
Ku djeg si zjarr, moj dashuri!
Ku ndrin si yll, moj perëndi.
Komente
