“Kujtimet e Adrianit” nga Marguerite Yourcenar, “Historia jonë” nga Jennifer Bardsley dhe letrat e lojës “Rroke-toke” nga Rudina Çupi janë botimet që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
“KUJTIMET E ADRIANIT”, KRYEVEPRA E YOURCENAR ‘FLET’ NË SHQIP
Në vilën e tij në Tibur, perandori 60-vjeçar Adriani i shkruan nipit të tij të adoptuar: sundimtarit të mëvonshëm Mark Aurelit. Ajo që Adriani i shkruan 17-vjeçarit është më shumë një dialog me vetveten, një reflektim mbi egon e tij dhe maskat që ka ndërruar gjatë jetës.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Trajani, i cili ishte një pushtues, perandori Adrian ndoqi një politikë paqedashëse që i solli shumë përparim Perandorisë. Adriani ishte një sundimtar i pazakontë për kohën e tij. Dy pasione të zjarrta e karakterizonin personalitetin e tij: dashuria për artin grek dhe dashuria për djaloshin Antino. Kryevepra e Yourcenar-it përmbledh brenda rikonstruktimit historik kurajën për të prezantuar një burrë të madh, lartësinë e mendimit të tij, aftësinë intelektuale, intuitën profetike, duke na dhuruar jo vetëm një vepër erudite, por një libër të ditëve tona dhe atyre që do vijnë.
“Ndihesha përgjegjës për bukurinë e botës”, thotë për veten Adriani, një personazh në kërkim të një barazpeshe mes lumturisë dhe logjikës, inteligjencës dhe fatit.
“Pak nga pak, kjo letër e filluar për të të informuar mbi përparimet e sëmundjes sime po shndërrohet në shfrimin e një burri që nuk zotëron më energjitë e nevojshme për t'u marrë gjatë me çështjet e Shtetit; përsiatja e shkruar e një të sëmuri që pret në audiencë kujtimet e veta. Tani po të hapem më shumë: kam sajuar planin për të të treguar jetën time. Natyrisht, vitin e kaluar kam hartuar një relacion zyrtar të akteve të mia, në ballinën e të cilit, Flegoni, sekretari im, ka vënë emrin e vet. Aty kam gënjyer sa më pak të qe e mundur. Sidoqoftë, arsyet e interesit publik dhe nderit më kanë detyruar të ndryshoj pak ngjarje. E vërteta që po përpiqem të parashtroj nuk është veçanërisht skandaloze, ose më saktë, nuk është skandaloze përderisa nuk ekziston e vërteta që nuk skandalizon”.
Kujtimet e Adrianit është romani kryevepër i shkrimtares franceze Marguerite Yourcenar ku përshkruhet jeta dhe vdekja e Perandorit Romak Adrian. Kur libri u publikua në Francë më 1951 pati sukses të jashtëzakonshëm e të menjëhershëm.
Perandori Adrian njihet veçanërisht për faktin se i dha fund politikës ekspansioniste të Perandorisë Romake dhe u përqendrua te konsolidimi i brendshëm përmes ndërtimit të fortifikimeve mbrojtëse në zonat kufitare, ku më i famshmi është Muri i Adrianit në Britaninë e Madhe, i ndërtuar për të ndalur barbarët britë të veriut të sulmonin jugun e romanizuar.
Romani ka formën e një letre që Adriani ia drejton kushëririt të vet dhe pasardhësit “Mark”, perandorit tjetër të respektuar Markus Aurelius.
Kjo vepër, njëherësh roman, histori, poezi është përshëndetur nga kritika franceze dhe botërore si ngjarje letrare.
Marguerite Yourcenar lindi më 8 qershor 1903 në Bruksel. Filloi të shkruante në moshë të re, por skenën letrare e pushtoi në vitin 1951 me autobiografinë imagjinare të perandorit romak, Adrianit. Në vitin 1981, Yourcenar u bë gruaja e parë që u pranua në Akademinë Franceze. Vepra e saj u botua në Bibliotekën e Plejadës, e cila është e rezervuar vetëm për autorët klasikë. Yourcenar vdiq më 1987 në Amerikë.
Është edhe autore e romanit “Vepra në të zezë”.
“HISTORIA JONË”, NJË ROMANCË DASHURIE DHE KRIMI
Nga autorja Jennifer Bardsley vjen një histori prekëse dashurie rreth një krimi që ndodh në një qytet të vogël, por që bashkon dy ish të dashur të gimnazit, të cilët kurrë nuk e kanë kapërcyer plotësisht të kaluarën e tyre.
Jeta e Andrea Uintit në qytezën Port Inez, Uashington, është e thjeshtë.
Ajo punon, shijon pamjen mahnitëse të girit nga dritarja e banesës së saj dhe viziton të atin, i cili kohët e fundit jeton në një qendër kujdesi për kujtesën. Babai i saj është në fazat e fundit të Alzheimerit, por Andrea i sjell çdo ditë një monedhë nga koleksioni i tij i çmuar copa të vogla metalesh të çmuara, që duket se e ndihmojnë të rikthehet për pak çaste në vetvete.
Prandaj, kur dikush ia grabit shtëpinë dhe monedhat zhduken, Andrea ndihet e shkatërruar. Për të gjetur fajtorin, ajo i drejtohet Dastin Karlsonit ish i dashuri i saj në vitet e gjimnazit. Kohë më parë, ata i kanë thyer zemrën njëri-tjetrit, dhe disa plagë shërohen me vështirësi.
Por Dastin ndihet mirënjohës ndaj Tom Uintit të sëmurë dhe dëshiron ta ndihmojë. Për më tepër, ai ka një arsye personale për të zbuluar kush është hajduti. Në fakt, dyshon se mund të jetë kunati i tij një lojtar bixhozi dhe alkoolist, i cili është larguar nga qyteti, duke lënë nënën e Dastinit dhe dy mbesat e tij të vogla.
Teksa Dastin dhe Andrea udhëtojnë nëpër rajonin e Paqësorit Veriperëndimor për të rikuperuar monedhat e humbura, ndjenjat e vjetra zgjohen sërish.
Ndoshta, ka ende shpresë për një fund të lumtur.
LETRA DIDAKTIKE, LOJE ME RROKJE NË GJUHËN SHQIPE
“Tok letrat, rrok kuptimin. Ndaj e bashko, fjalë të reja krijo!” Kjo është ajo çfarë shkruhet mbi këto letra loje didaktike, tepër interesante dhe të krijuara për fëmijët e moshës mbi 6 vjeç.
“Rroke-Toke” janë letrat e para në me rrokje gjuhën shqipe, të përshtatshme për t’u luajtur si nga fëmijët e klasës së parë, ashtu edhe nga të rriturit. Ato mprehin logjikën dhe ndihmojnë në zgjerimin e fjalorit dhe përdorimin e gjuhës. Loja luhet me 2-6 lojtarë.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" vjen poezia e Azgan Berbatit.
Azgan Berbati është diplomuar për Inxhinieri Agromjedisi dhe Ekologji. Pasioni për të shkruar ka qenë i hershëm dhe pse jo të gjithë ia njihnin. Vargu i tij mbetet thellësisht i ndjeshëm, gjithmonë në kërkim kokëfortë të së bukurës edhe atëherë kur shpresa duket t'i jetë zbehur brenda lëkundjeve të shpirtit.
Takim ikjesh
Ti ike
Edhe une ika
Veç hija e ëndërrt na mbet
Në duart e brishta të një rinie
Që po ikën gjithashtu
Tani mund të jetë shumë vonë
Tani që ndodhën ikjet
Dhe ne s'na duhen gjë pritjet
Por ikjet tona një ditë do të takohen
Përgjithnjë
Unë e di
Të dy e dimë.
Fëmija i vjetër
Te pusi i moçëm pret molla në këmbë
Fëmijën që harroi fytyrën hënore mbi pasqyrim,
Zërin në çdo gjeth e dru.
(Gjithnjë fëmijët e harrojnë veten diku!)
Edhe unë e kam një fëmijë të vjetër,
Por, ai kujtohet ndonjëherë
Dhe qan;
Ndodh që s’jam aty t’ia fshij lotët,
Të tjerët nuk e kuptojnë!...
Molla pret parreshtur në këmbë
Fëmijën që s’rritet kurrë!
Ndjekje të thinjura
Ti do të ikësh
Si një mërzi e pashprehur,
Duke ma trembur nga krahët lumturinë
Siç trembet shpirti i një zogu në duart e fëmijës.
Ti do të bëhesh vjeshtë,
Që unë të vij fill pas teje
E të bëhem dimër,
Të ngrij ikjet e tua,
Dhe kur të bëhemi bashkë
T’i ndjellim plakjen njëri-tjetrit
Me pleq prej bore.
Ti do të bëhesh vjeshtë,
Që unë të thinjem pas teje.
Substancë
Zbret nga mbretëria e kreshnikëve
Si sovran krenar
Pinjoll i një shpirti të bukur
Tërë dritë e dhembshuri
Babai
Që vitet gjë s'i bëjnë
Megjithëse
Ka filluar të preket ndonjëherë
(Eh lufta e kohës!)
Dhe në flokun e bukur
Shton fije të bardha.
Ah, babai
Është vazoja e lules së fëminisë
E për ushqim
Dashurinë ka.
Komente
