Kultura

'Në Librari' vjen me tre tituj të rinj: 'Loja botërore në Ballkan', 'Isabela' e 'Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype (Buzuku-1555)! 'Melodia e Vargut' ju sjell mesazhin poetik nga Rovena Rrozhani

13 Prill, 08:03| Përditesimi: 13 Prill, 22:22

  • Share

“Loja botërore në Ballkan”, “Isabela” dhe vepra studimore e At Justin Rrotës për Mesharin janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

LOJA BOTËRORE NË BALLKAN, RAPORTET GREKO- JUGOSLLAVE
BUJAR KAROSHI, BOTUES
Titulli: Loja botërore në Ballkan
Autori: Phivos Oikonomidis
Përktheu: Miço Gubera
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 2500 lekë

Lexuesi do të gjejë në libër zhvillime befasuese, që na bëjnë të kuptojmë më mirë raportet ndërmjet komunistëve grekë, jugosllavë dhe të atyre shqiptarë në periudhën 1946-1949, e parë në raport me interesat e të mëdhenjve, pozicionin e Shqipërisë në këtë lojë të madhe dhe qëndrimin e politikës shqiptare.

Nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe greko-jugosllave, për një periudhë relativisht të gjatë, 1941-1956, në libër trajtohen dhe analizohen raportet shumëpalëshe ndërmjet aktorëve në Ballkan, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë.

Mënyra e analizës dhe studimit është origjinale, sepse theksi është vendosur në analizën e ngjarjeve dhe zhvillimeve në kushtet e lojërave nacionale dhe ballkanike nga njëra anë dhe nga ana tjetër e lojës botërore të fuqive të mëdha në këtë ballafaqim. Për origjinën dhe fillimet e konfrontimit Lindje-Perëndim, libri hedh një dritë të re, e cila të lejon ta kuptosh mirë këtë konfrontim.

Libri hedh dritë dhe qartëson vendin e Greqisë, Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit në politikën e Stalinit, Çurçillit dhe Ruzveltit gjatë konfliktit botëror, por në të njëjtën kohë libri pasqyron me saktësi rolin e këtij rajoni në marrëdhëniet ndërmjet Të Mëdhenjve, pas vitit 1945, duke treguar se marrëdhëniet greko-jugosllave janë një pikë e rëndësishme për të kuptuar mekanizmat e hyrjes në Luftën e Ftohtë.

Një pune të tillë, bazuar në kryqëzimin e dokumenteve të shumtë arkivorë, tregon se vendet ballkanike nuk janë vetëm elementë të lojës, por dhe aktorë me peshën e tyre.

“ISABELA”, ROMAN PËR FORCËN E DASHURINË E GRAVE FILIPIANSE
SIDORELA KOTILI, PËRKTHYESE
Titulli: Isabela
Autori: Kaisa Akuino
Përktheu: Sidorela Kotili
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1200 lekë

Një nënë, bijë, grua, e dashur, mike, mësuese, epror. Këta janë zërat që përbëjnë sagën e pasur sensuale të romanit “Isabela”. Të rrëfyera në sfondin e tri dekadave të historisë së Filipineve nëpërmjet lirizmit erotik, jeta e grave në Luginën kagajan është një përpjekje e vazhdueshme për drejtësi sociale. Këto histori, janë betejat dhe lufta e disa jetëve që e shkruajnë fatin e tyre të traumatizuara nga gjymtimi dhe plagët, që i detyron ata që të marrin vendime ekzistenciale, për familjen, dashurinë, rritjen e një fëmije dhe veçanërisht në arritjen e kauzës deri në kufi mes jetës dhe vdekjes.

Kaisa Akuino (2002) shkrimtare, mësuese, fangirl nga Filipinet.

“Isabela” është romani i saj debutues, që e ka vendosur atë si një autore shumë premtuese në letërsinë e sotme filipinase, e cila ka tërhequr shumë shpejt vëmendjen e lexuesve, të kritikës dhe të editorëve të huaj.

RIBOTOHET VEPRA STUDIMORE E AT JUSTIN RROTËS PËR MESHARIN
Titulli: Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype (Buzuku-1555)
Autori: A. Justin Rrota
Përgatiti për botim: Miranda Goleci
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 700 lekë

Meshari është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar më 1555. I përkthyer nga prifti Gjon Buzuku në vitet 1554-1555, nga italishtja dhe latinishtja, libri ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Supozohet se u botua në Venedik, i shkruar në shqipen e kohës me alfabet latin gjysmë-gotik. Shkrimi i shqipes është shpjeguar nga historianët e gjuhës dhe filologët se nisi në sajë të tolerancës dhe madje nxitjes nga Vatikani të përdorimit të gjuhëve vendëse në liturgjitë katolike në Ballkan, në një kohë që bota katolike përballej me dy kërcënime: Reforma protestante dhe Islami. Në hullinë KundërReformës katolike, Buzuku nisi ta përkthente veprën më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555, gjatë Koncilit tridentin.

Kjo vepër u zbulua rreth vitit 1743 nga Imzot Gjon Kazazi në Kolegjin e Propagandës Fide, i cili e pagëzoi me emrin Meshari, emër që i ka mbetur sot e kësaj dite.

Më 1930 gjuhëtari françeskan Justin Rrota solli kopjen e parë fotografike të librit në Shqipëri, dhe qe ndër studiuesit e parë të veprës.

Së fundi, shtëpia botuese “M & B” ka sjellë studimin e At Justin Rrotës e pikërisht botimin e dytë të veprës së tij studimore të vitit 1938 në Shkodër. Në këtë botim, autori ka zgjedhur dhe komentuar pjesë të veçanta të Mesharit ndërsa thekson se libri është destinuar për shkollat e mesme.

Nga faqja 81 e librit, të interesuarve iu serviret edhe botimi anastatik i veprës së At Justin Rrotës.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" mesazhi poetik i Rovena Rrozhanit.

Rovena Rrozhani është shkrimtare e njohur për fëmijë e cila me librat e saj ka hyrë në emocionin, ndjeshmërinë dhe reflektimin e fëmijëve të grupmoshave të ndryshme.

Misioni frymëzues i Rovenës nuk kufizohet vetëm te fëmijët por zgjerohet edhe më tej me melodinë e vargut të saj.

Këtë herë do të përcjellim disa vargje të saj drejtuar tê rinjve e jo vetëm.

Fjala, ngaherë, por sidomos në momente të caktuara, ka peshë, fuqi ndërgjegjësimi të jashtëzakonshme dhe mban mbi vete një përgjegjësi të madhe.

Flisni, lutuni, veproni

U thoni fëmijëve,

se paratë e ndershme vijnë nga puna e ndershme

marrëdhëniet me njerëzit ngrihen mbi parime morali

mirënjohja është virtyt e bamirësia nuk flitet.

Shpirtin mos t’ia shesin djallit

teksa shohin rrugën e lehtë që triumfon.

Të mësojnë të mos tundohen

e të shkasin në llum nga ku nuk mund të dalin.

Tregojini,

vajzës, djalit, birit e bijës, shpirtit të shpirtit tuaj

Koha nuk kthehet dhe as nuk rri në vend

Rëndon shumë një hap i gabuar

Por ndreqet edhe pse dhemb.

Flisni,

Me vajzën dhe djalin,

birin e bijën e shpirtit që me ëndrra e përkundët

Dhe sa hap e mbyll sytë, i rritur është para jush.

I thoni!

Dashuria është e bukur, nuk përdhoset!

Emocionet që mbërthejnë trupin

të drejtohen për nga zemra.

I bëni t’ju rrëfejnë,

Të besojnë në ëndrra.

Pa filtra

(dedikuar së bijës)

Përqafoje botën shpirt!

Edhe kur të ngul thika në gji të dashurisë

Do të të dhembë, por ti hapur mbaji krahët.

Sërish përqafo!

Herët a vonë stuhitë lodhen e do të struken në pendim tek ty.

Të etura do të përgjërohen për përqafime të tjera!

Si pasqyra të thyera nën dritën e së

vërtetës.

Edhe ligësia dorëzohet një herë nga paudhësitë e saj

duke admiruar veten si një lule e hijshme pranvere

Paskëtaj do t’ia fillojë nga e para përsëri.

Ti mos u ndal!

Dhe as mirënjohjen si shpërblim mos e prit

se zemrën e ke plot.

Puthe diellin, shpirt!

Në çdo lindje dhe perëndim

do të shkëlqejë më shumë se ty.

Por xixëllimi i syve, i njëjtë do të mbetet,

po ajo mrekulli e Zotit

Teksa buron nga shpirti i lirë

Pa make up, pa filtra

a sjellje të përpunuara në emër të përshtatjes.

Ec shpirt,

në pikat e shiut, zbuloja dritës nuancat që fsheh

aty ku thesaret nuk joshen nga shkëlqimi i parasë

dhe pushteti i rremë i formës.

Balta në tokë bie edhe kur ngjit

pluhur pa nam e nishan...

E teksa hapat bëhen të mundimshëm,

(Do ta dish sa të rëndë janë)

dhe tundimet do të bëjnë çmos të të mbajnë në vend

(se veç për këtë të afta janë)

Mos humb kohën të mbash inat

as kokën pas

Fal! Ec sërish!

Lumturia fytyrën tënde do të ketë

për sa kohë do të jesh

thjesht TI!

Xh.K/B.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?