“Përmbytja” nga Granit Zela, “Shëruesja” nga Elena Magnani dhe “Burgu” nga Haki Stërmilli janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Autori: Granit Zela
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 1000 lekë
“Narratori, ashtu si te romani “Tristram Shandy” i Laurence Sterneit, na thotë se do të tregojë historinë X, në rastin konkret atë të përmbytjes së një qyteti, por e ndalon veprimin, duke treguar për lindjen e vet. Për faqe të tëra, ai që flet nuk është ai që sheh, duke e marrë lexuesin për dore në një botë të ndërtuar prej një gjuhe të harlisur dhe të magjepsur”,- shënohet në brendësi të kopertinës së këtij botimi nga studiuesi Gazmend Krasniqi.
Por për këtë roman të Granit Zelës kërkohet një lexues që e ndan realitetin magjik, që narratori e sheh para vetes. Tashmë, realizmi magjik është një proces letrar ku asnjë pjesëtar i komunitetit nuk i vë në dyshim ato që nuk i kap logjika normale njerëzore.
Në këtë rrëfim, te ky personazh, te vetë narratori, lexuesi mund të gjejë edhe vetë autorin, si bir i këtij qyteti, pavarësisht se rrëfimi është proces krijues që na çon në një realitet magjik, e që sigurisht shkon përtej notave autobiografike.
Siç thotë studiuesi, poeti e shkrimtari Agron Tufa: “Ajo çka përbën edhe të pazakonshmen e menjëhershme të romanit Përmbytja është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti.”
“Ndonëse ai që rrëfen është autori i lindur në këtë qytet, prapëseprapë fati dhe ekzistenca e qytetit eklipson çdo protagonizëm mbizotërues personazhi: krye- personazh është vetë qyteti me emrin Atjelinda (njëfarë aludimi për Atlantidën e fundosur në ujëra).”
Autori: Elena Magnani
Përktheu: Lindita Sema
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1200 lekë
Një roman i fuqishëm që na çon në periudhën më të errët dhe në të njëjtën kohë më të ndritur të historisë së Italisë: Rezistencës, e cila është e mbushur me ngjarje plot magji dhe emocione, si dhe një lëmsh ndjenjash që nuk pajtohen me njëra-tjetrën.
Është viti 1944, aleatët po përparojnë drejt veriut të Italisë dhe për partizanët është koha e rezistencës ndaj reprezaljeve të fundit gjermane. Kjo po ndodh në Piaza al Serkio, ku është vendosur një skuadër nazistësh, ndërsa të rinjtë, të fshehur në pyll, provojnë t’i sabotojnë.
Arma e tyre sekrete: Ana, syzezë dhe e shkathët, e cila i është bashkuar rezistencës dhe ka depërtuar në komandën lokale gjermane si spiune. Detyra e saj është të bëjë për vete togerin Matias Von Bauer, një njeri i ngrysur nga lufta dhe zhgënjimet e mëdha, dhe t’u përcjellë informacione shokëve të saj. Fillimisht, Ana dëshiron t’i truajë të gjithë ata gjermanë arrogantë, por si Shëruese duhet vetëm të bëjë mirë. Në fakt, për vite me radhë, çdo prag Krishtlindjeje, halla e saj i ka përcjellë këtë praktikë të fshehtë që u lejon të përzgjedhurve të shërojnë trupa dhe shpirtra përmes riteve dhe lutjeve të veçanta. Vetëm ata që kanë shpirt të pastër dhe që ndiejnë brenda vetes dëshirën për të shëruar dhe ndihmuar të tjerët, mund ta vazhdojnë këtë traditë. Por nuk është gjithmonë kaq e lehtë të menaxhosh këtë dhunti, të kuptosh se ku është kufiri mes së mirës dhe së keqes dhe të mos thyesh një ekuilibër delikat. Sidomos kur lufta të kërcënon familjen, sidomos kur dashuria lind aty ku nuk duhet dhe e ardhmja është më e pasigurt se kurrë.
Autori: Haki Stërmilli
Shtëpia botuese: M&B
Çmimi: 1000 lekë
“Sot po ju paraqitem si i burgosun dhe po iu vej para sysh “Burgun”. Burgu i ngjan nji planeti të sokulluem prej reve të zeza. Prandaj asht si nji botë e huej për ju. Për disa të ndeshkuem asht Purgatori dhe për disa Ferri i kësaj jete. Mjerë ata mëkatarë që bijen mbrenda.
Burgu duhesh të përmblidhte në gji të vet gjith ata - dhe vetëm ata - që janë sëmunë nga shpirti e nga mendja dhe, si nji institucion i tillë, të bahej spitali i tyne, por fatkeqsisht s’i përgjigjet, plotsisht, këtij qëllimi dhe shoqnia njerzore ende nuk ka mrritë n’atë shkallë sa me i shërue këta të merë. Të pakë e të rrallë janë ata që dalin të përmirësuem e të shëruem.
Në burg, pikësëpari, do ta shifni auktorin e kësaj vepre dhe mandej kini për të pamë typa të ndryshëm të shoqnis njerzore që dergjen në tê.
Këndojeni dhe gjykoni.”
Kjo është ajo çfarë Haki Stërmilli do të shkruante nga Burgu i Tiranës më 17 prill 1929 dhe që tashmë është dhe teksti prezantues i këtij romani të botuar së fundmi për lexuesit shqiptarë nga shtëpia botuese “M&B”.
Ky libër vjen i plotë për herë të parë, që pas botimit të parë të vitit 1935, kur është botuar nga Haki Stërmilli, tashmë, me korrigjime të vogla nga botuesi, kryesisht ortografike.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Rubrika "Melodia e Vargut" këtë herë i dedikohet poetit, shkrimtarit të madh rus të shekullit të XIX dhe gjithashtu njërit prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë së këtij vendi, Aleksandër Pushkin.
Konsiderohet themeluesi i letërsisë moderne ruse.
Pushkin i përket kulturës ruse jo vetëm si një poet, romancier, dramaturg cilësor dhe i talentuar por dhe si shkrimtari i fuqishëm i ideve novatore, përfaqësues i një epoke, interpretues guximtar i një brezi të sprovuar rëndë nga politikat e ushtruara reaksionare. Aty konsiderohet një lloj hyjnie, poeti i gjithëpranishëm. Vepra e tij ruan një fazë fillestare mbushur nga tonet romantike duke kaluar më pas në një tjetër fazë të ndërtuar në mënyrë më realiste. U nda nga jeta në moshë shumë të re, vetëm 38 vjeç, në një sfidë në duel për të ruajtur nderin e bashkëshortes së tij. Bën përshtypje se këtë detaj e ka përshkruar në disa prej veprave të tij.
"Kujtoj një çast gëzimi" është një ndër vjershat më të njohura të Pushkinit kushtuar njërës prej grave që ai dashuroi, Ana Kern. Lidhja e tyre e apasionuar zgjati pak muaj por u përjetësua nga kjo vjershë si dhe nga letrat që ata i shkruan njëri-tjetrit, letra të cilat Ana Kern për t'i shpëtuar varfërisë, vendosi vite më pas t'i shesë.
Në fshatin muze kushtuar Pushkinit në Rusi, gjendet edhe një rrugë me emrin Ana Kern, pikërisht rruga ku mendohet se çifti shëtiste gjatë muajve të lidhjes së tyre. "Kujtoj një çast gëzimi" nuk është thjesht një varg dashurie por edhe një vjershë melankolie për kalimin e kohës dhe ëndrrat e rinisë të cilat papritur i lenë vendin moshës që shkon. Këto vargje, me notat e tyre romantike, kanë arritur të emocionojnë breza të tërë në mbarë botën.
Kujtoj një çast gëzimi
Kujtoj me mall një çast gëzimi
Përpara sysh m’u shfaqe ti
Si vezullim i një vegimi
Si engjëll plot me bukuri.
N’andralla jete zhurmëkote
Me dhimbje brengash e mërzi
Më grishte larg fytyra jote
Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
Nga shqotë e kohërave që shkuan
Kështjell’ e ëndrrave m’u shemb
Me mjegull vitet ma mbuluan
Fytyrën tënde, zërin tënd.
Ç’i ngrysa ditët gjithë brengë
I zymtë dhe në shkreti
Pa Perëndi, pa shpresë e kengë
Pa lot, jetë e dashuri.
Por ja! Më shkrepi prapë agimi
Se përsëri u shfaqe ti
Si vezullim i një vegimi
Si engjëll plot me bukuri
Dhe rreh me gaz kjo zemra ime
Sepse iu kthyen përsëri
Dhe Perëndi, dhe frymëzime
Dhe lot, e jetë, e dashuri.
Komente
