KASMI, NJË BIOGRAFI POLITIKO-HISTORIKE PËR SADIK PREMTJEN
Titulli: Sadik Premtaj - Trockisti i fundit
Autori: Marenglen Kasmi
Gjinia: Biografi politiko-historike
Shtëpia botuese: Naimi
Çmimi: 1500 lekë
Kjo monografi, e cila i kushtohet jetës, personalitetit dhe mendimit politik të Sadik Premtaj, emër i njohur në historinë politike gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfaqëson një përpjekje tjetër të historianit Marenglen Kasmi për të trajtuar me metodologji bashkëkohore edhe një nga rrymat më të diskutueshme dhe më pak të studiuara të historisë politike shqiptare të shekullit XX: opozitarizmin e brendshëm në Lëvizjen Komuniste Shqiptare.
Rëndësia e këtij studimi nuk qëndron vetëm në rikthimin e figurës së Sadik Premtajt në kujtesën historike, por në përpjekjen për ta rimenduar historinë përmes një paradigme më të hapur dhe analitike. Në libër publikohen për herë të parë dokumente e dëshmi autentike, duke ndihmuar në ndërtimin e një narrative më të balancuar, më kritike dhe, gjithashtu, më përfshirëse e realiste mbi të kaluarën tonë politike.
Sipas Kasmit, Sadik Premtja është një personazh historik i këtij vendi, përfaqësues tipik i së majtës shqiptare, të cilit historia jonë i ka borxh në pikëpamje të trajtimit shkencor, pasi për një periudhë shumë të gjatë kohe ka qenë i anatemuar dhe i denigruar në trajtim, si dhe i akuzuar për shumë gjëra.
Në këtë libër nuk trajtohet vetëm Premtaj si personazh kryesor, por edhe ndikimi i tij në histori, mënyra se si dhe historia vetë e përfshiu Sadik Premtajn.
Për Kasmin të shkruash biografi historike është tepër e vështirë, porse ky libër plotëson një dimension të munguar në shkencën tonë historike.
Për hartimin e biografisë, Kasmi ka shfrytëzuar dokumentacion arkivor nga Arkivi Qendror i Shtetit, nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, si dhe dorëshkrime të Sadik Premtjes, që për herë të parë trajtohen në këtë libër.
“GJITHÇKA QË DUA”, LAMAJ SJELL LIBRIN E DYTË TË TRIOLOGJISË
Titulli: Gjithçka që dua
Autori: Enkelejd Lamaj
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Arka e Noes
Çmimi: 1300 lekë
Pas suksesit të “Gjithçka që ke”, shkrimtari Enkelejd Lamaj vjen me një histori edhe më të errët, ku e kaluara kafshon më fort se kurrë. Në romanin e parë, Lamaj prezantoi vrasësin e parë serial të Tiranës dhe historinë e një gruaje që luftonte për mbijetesë.
Katër vite më pas, në qendër është gazetarja Sidorela Ejlezi, tashmë një shkrimtare e njohur, e cila humb gjithçka kur bashkëshorti dhe djali i saj zhduken pa gjurmë.
Një vit më pas, Tirana dhe Prishtina përmbyten nga krime monstruoze. Vajza të reja masakrohen barbarisht. Në shtëpitë e tyre, gjendet një detaj tronditës: fotografi të djalit të Sidorelës, të fshehura mes librave që ajo i njeh më mirë se kushdo.
Por nga kush? Dhe pse?
Çfarë fshihet pas këtij misteri? Një thirrje për ndihmë, një kërcënim i drejtpërdrejtë, apo diçka edhe më e errët, e lidhur me të shkuarën?
Libri është pjesa e dytë e një triologjie dhe ai vetë e përkufizon këtë pjesë të dytë të saj, si një libër thriller.
Lamaj bën me dije se ndërkohë është duke shkruar librin e tretë të triologjisë, që do të titullohet “Gjithçka që vdes”, porse megjithëse triologji, librat mund të lexohen e kuptohen shumë mirë edhe veçmas.
“ARRATISJE”, HISTORIA E NJË EMIGRANTI SHQIPTAR NË UKRAINË
Titulli: Arratisje
Autori: Mirela Kanini
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 500 lekë
Autorja shqiptare Mirela Kanini vjen para lexuesit me romanin e saj më të ri “Arratisje”, botuar nga Shtëpia Botuese Fan Noli.
Ky është botimi i gjashtë në karrierën letrare të autores, një vepër që ndërthur elementët e thriller-it me një histori dashurie të ndërlikuar dhe njerëzore.
Libri ndjek jetën e Mario-s, një emigrant i zakonshëm shqiptar në Itali, i cili përfshihet aksidentalisht në rrethana që e vendosin në konflikt me drejtësinë. Pas një arratisjeje të detyruar në Ukrainë, jeta e tij përfshihet nga trazira të reja, por edhe nga një ndjenjë e fortë dashurie me Ollgën, një vajzë ukrainase që sapo ishte kthyer nga studimet në Angli. Teksa shpërthen lufta, Mario përballet me zgjedhjen më të vështirë të jetës: të largohet apo të qëndrojë për dashurinë.
“Arratisje” është një roman i ndërtuar mbi dilemat njerëzore, zgjedhjet e vështira dhe forcat e padukshme që formësojnë fatin tonë – një rrëfim i fuqishëm që pasqyron realitete të prekshme për shumë emigrantë shqiptarë dhe lexues të brezave të ndryshëm.
MELODIA E VARGUT
Nga Sonila Strakosha
Rubrika "Melodia e Vargut" përcjell vargjet e Drita Çomos.
Drita Çomo u lind më 19 mars 1958. Gjithë jetën e saj vuajti dhunën e regjimit të egër komunist i cili nuk pati mëshirë për vetminë e saj, për dhimbjen, madje as për sëmundjen e rëndë. U internua në Kuç të Vlorës. Aty kaloi dhe një pjesë të fëmijërisë për t'u transferuar më pas në Progonat e më vonë në Cërrik ku vazhdoi dhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer por asnjëherë nuk u vlerësua për aq sa meritonte.
Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23 vjeçare. Më 19 shkurt 1981 sëmundja e mposhti vajzën me mendje e shpirt të bukur. U largua nga kjo botë e vetmuar. Regjimi nuk e lejoi të kishte pranë nënën e saj, Liri Belishovën, as në çastet e fundit të jetës.
Në Cërrik është ngritur një bust në nderim të figurës së Drita Çomos dhe një shkollë gjithashtu mban emrin e saj.
Na lë trashëgimi vargje të bukura të cilat flasin qartë për botën e mrekullueshme shpirtërore dhe talentin e saj.
Vetmia
Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.
Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.
Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.
Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.
Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.
Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet…
Për ty
Lëkunden pishat nën retë që ikin,
Ikin e ikin retë nëpër shi…
Unë pres të shoh pas reve pak qiell,
Ashtu siç pres pasditeve të më telefonosh ti.
Po ti s’dukesh gjëkund.
Ku paske humbur,
Ka kaq ditë që pres.
Dhe bie shi…
Si mund të jetoj, pa pak qiell të kaltër,
Si mund të jetoj, pa zërin tënd, pa ty.
Ti do vish, unë e di, do vish patjetër,
Po unë dua të vish tani, nëpër shi,
Pastaj retë do të ikin dhe do të dalë dielli
Po unë dua diellin të ma sjellësh ti.
Komente
