“Shqipëria prej letrave” nga Ben Andoni, “Ata që mbijetuan” nga Armand Bora dhe “Fata Morgana” nga Artan Gjyzel Hasani janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Ky libër shqyrton një hapësirë gati të paprekur, atë të botës së letrave të personaliteteve që mëtonin pavarësinë, hidhnin idetë për arsimin dhe kulturën kombëtare dhe synonin përgatitjen dhe rritjen e mendësisë për shtetësinë tonë.
I shoqëruar me një përzgjedhje faksimilesh origjinale të letrave të pabotuara më parë të figurave kryesore kombëtare si Konstandin Kristoforidhit, Sami Frashërit, Jeronim De Radës, Motrave Qiriazi, Ismail Qemalit, Rauf Ficos, Bajram Currit, Rexhep Mitrovicës, Lumo Skëndos, Faik Konicës, Ahmet Zogut, Nolit, Syrja dhe Eqerem bej Vlorës, At Fishtës, At Gjeçovit, Dom Mjedës, Patër Anton Harapit, Lef Nosit, Mustafa Merlika-Krujës, Migjenit, Vasil Shantos, Ramiz Alisë, Petro Markos, prof. Kondës, Ernest Koliqit, Ilo Qafëzezit, Medar Shtyllës e shumë të tjerëve, të cilat përbëjnë një shtojcë integrale, ai jep një tablo të plotë mbi epistolarët e shqiptarëve të njohur.
Triptiku i vepërzuar nga autori Armand Bora me titull “Ata që mbijetuan” fitoi Çmimin Kadare 2025 mes 40 dorëshkrimesh. Për herë të parë, ky çmim u shpall për një dorëshkrim në dramë,
Armand Bora ka kryer studimet në Universitetin e Arteve ku është diplomuar si regjisor në grupin që drejtohej nga regjisori Piro Mani. Aktivitetin artistik e ka nisur në teatrin “Petro Marko” të të Vlorës për të vazhduar më tej si regjisor në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar ku edhe vazhdon të mbaj pozicionin e regjisorit. Armand Bora është autor i shumë produksioneve skenike disa prej të cilave të realizuara në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Australi dhe Amerikë.
Produksionet e tij skenike janë shfaqur në disa skena shqiptare dhe të huaja si në Greqi, Malin e Zi,Bullgari, Kroaci,Serbi, Francë, Hollandë, Australi dhe Amerikë. Si regjisor i disa produksioneve në Teatrin e Operas dhe Baletit ai ka bashkëpunuar me artistë të huaj dhe shqiptarë si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa, Josif Gjipali, drejtorin e operas së Bullgarisë, regjisorin Plamen Kartalov dhe regjisoren e njohur amerikane Nancy Rhodes.
Armand Bora është autor i 6 teksteve dramatikë disa prejt të cilave të realizuara në skenat shqiptare dhe jashtë. Mes të tjerash, ai ka qenë drejtues i Teatrit Kombëtar dhe drejtues i lartë në disa institucione të tjera publike si Ministria e Kulturës dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Në kuadër të përfundimit të ciklit të tretë të studimeve doktorale po kryen një studim në fushën e përshtatjes së veprave letrare për skenar filmi dhe tekste skenike.
“Libido” titullohet vëllimi i ri poetik i shkrimtarit Artan Gjyzel Hasani. Autori na tërheq në misteret e pafund të jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe mungesës së saj, dinjitetit dhe depersonalizimit të individit dhe shoqërisë.
Provokimi i moraleve të dyshimta, sarkazma dhe autoironia mbeten tipare të krijimtarisë së Artan Gjyzel Hasanit.
93 poezitë e “Libido”, përjetohen si një udhëtim, ku autori shtrihet përtej dëshirës seksuale që nënkupton ky term, e përmes vargjeve e përjetimeve përvijon vullentin për të mos iu dorëzuar vdekjes para kohe.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e Vargut" vargje shkruar për atdheun, dedikuar Shqipërisë nga poetë, patriotë, në periudha tê ndryshme të historisë. Vargje të cilat sigurisht ruajnë frymëzimin apo stilin e veçantë të secilit emër. Të gjitha veç kanë një të përbashkët tê padiskutueshme; dashurinë për Shqipërinë.
Martin Camaj
Vendit tem
Kur të vdes, le të bahem bar
Në malet e mia në pranverë
Në vjeshtë do të bahem farë.
Kur të vdes, le të bahem ujë
E fryma eme avull
Në fush do te bie shi.
Kur të vdes, le të bahem gur
Në skajin e vendit tim
Të qindroj kufi.
Ndre Mjeda
Gjuha Shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
Geg’ e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’ u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjith na bashkon.
Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flak’ e shkrime
ç’ ka natyra vetë përpoq.
Asdreni
Sa të dua o Shqipëri
Sa të dua, o Shqipëri,
sa mall ndiej e sa dëshirë,
per ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbire!
Se per mua, o Atdhè,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhè
shpirtin tim per ta ushqyer!
Gjergj Fishta
Shqypnija
Po, edhe hana do t' a dije,
Edhe dielli do t' ket pa
Se per qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ka !
Rrnosh e kjosh, pra moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Per jetë t' jetës të rroftë tý ndera.
Naim Frashëri
Gjuha Jonë
Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.
Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombin ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.
Pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.
Vargje shkëputur nga kënga:
Dua më shumë Shqipërinë
Dua mëngjesn e Majit
Kur këndon bilbili i fushës
Kur fryn erëza e malit
Edhe qarku është i skuqur
Dua lulet e fushës
Në mëngjes kur janë plot me vesë
Doçkat e bardha te çupës
Qe vete me vrap ti presë
Dua natën në verë
Kur të ndritin yjtë e artë
Kur fryn zefiri me erë
Dhe dëfren këtë zemrën e zjarrtë
Zogjt' që ëmbël ligjerojnë
Nëpër lisa mbushur me fletë
O sa gaz mua më bëjnë
Për natyrën e vërtetë
Po nga gjithë këto më parë
dua më shumë Shqipërinë
që të vejë puna mbarë
edhe përjetë të ketë lirinë.
Komente
